Tetori

Tetori është muaji i vetëdijesimit lidhur me kancerin e gjirit. Ky muaj duhet të shërbejë jo vetëm për vetëdijesimin lidhur me këtë sëmundje, por njëherit, edhe për reflektimin mbi shëndetin e gruas në përgjithësi.

Shëndeti është pasuria më e madhe që kemi. Pa dyshim që këtë e vërteton ky vit që ngadalë po afrohet drejt fundit. Ka qenë një vit i mbrapshtë për tërë botën dhe për të gjithë ne. Pandemia Covid19 na tregoi edhe një herë sa të brishtë e kemi shëndetin, sa shpejt mund ta humbasim, e bashkë me të edhe jetën. Të gjitha masat e zbatuara gjatë këtij viti na treguan se kur bëhet fjalë për shëndetin nuk ekziston kompromis të cilin nuk do e bënim. E megjithatë shpesh harrojmë sa e vlefshme është kjo pasuri. Mendojmë se do jemi të shëndoshë përgjithmonë, dhe kur befas na godet një virus trivial i një gripi të zakonshëm, e gjithë bota rrënohet para syve tanë në ato dy tri ditë deri sa ndjejmë këputjen e shkaktuar nga sëmundja. Ata që janë përballur me virusin Covid19 e kanë këtë ndjenjë për një kohë më të gjatë dhe befas bëhen më të vetëdijshëm për vlerën e shëndetit, për vlerën e njerëzve të dashur, për vlerën e jetës në përgjithësi.

Kjo vetëdije sado pak e ngritur këtë vit duhet të vazhdojë edhe kur kjo pandemi të ketë mbaruar. Sepse vjen një ditë dhe pandemia mbaron, por shëndeti mbetet pasuria më e çmuar që kërkon kujdes të vazhdueshëm.

Mos i leni vitet të kalojnë pa bërë kontrollet e nevojshme shëndetësore. Mos prisni të paraqiten simptomat e sëmundjes për të reaguar. Bëni kontrollet atëherë kur ndiheni mirë. Për fat të keq, sëmundjet si kanceri i gjirit, i qafës së mitrës, si dhe shumë sëmundje tjera zakonisht nuk shfaqin asnjë simptom. Kur shfaqen simptomet është zakonisht mjaft vonë për veprim. Prandaj kontrollet rutinore të paktën një herë në vit janë vendimtare për ruajtjen e shëndetit. Sepse gjithmonë është më lehtë të parandalohet sëmundja se sa e njëjta të shërohet pasi ka marë hov. Një herë në vit gruaja duhet të bëjë të paktën një analizë të përgjithshme labaratorike dhe kontrollet e duhura gjinekologjike. Nuk ka asgjë të turpshme të kërkosh të ruash shëndetin tënd. Nuk ka asnjë arsye pse të mos e bësh këtë. Nuk ka asnjë arsyetim për të lënë situatën të dalë jashtë kontrolli për shkak të mosveprimit në kohë. Një eho e gjirit, një PAP test në vit, nuk marrin shumë kohë, nuk shkaktojnë dhimbje, ndërsa parandalojnë shumë gjëra të këqia që mund të ndodhin për shkak të neglizhencës. Prandaj gjatë këtij muaji shfrytëzoni mundësitë për të bërë kontrollet e duhura dhe mos anashkaloni kujdesin ndaj vetëvehtes.

Frika nga lajmet e mundshme të këqia asnjëherë nuk duhet të na ndalojë të jemi të kujdesshëm ndaj trupit tonë. Edhe lajmi i keq i marë herët jep mundësi të intervenimit me kohë dhe të veprimit për t’u përballur me problemin. Frika nuk është opsion. Frika nuk zgjidh asnjë problem. Frika asnjëherë nuk është e arsyeshme.

Le të punojmë për të mbrojtur shëndetin tonë. Është pasuria më e çmuar që e kemi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button