fbpx

Zaev, Dimitrov dhe Osmani-Sharll Mishell: Mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare, shtysë për reforma

Prioritetet më të rëndësishme të Republikës së Maqedonisë së Veriut në periudhën aktuale janë që të miratohet Korniza për negociata me BE-në nga ana e Këshillit Evropian dhe mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare të vendit me BE-në deri në fund të vitit me kryesimin e RF të Gjermanisë, u theksua në bisedën e Kryeministrit Zaev me kryetarin e Këshillit Evropian, Sharll Mishell, që u organizua online dhe në të cilën morën pjesë edhe zëvendëskryetari i Qeverisë për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, njofton Portalb.mk.

Në takimin online me kryetarin e Këshillit Evropian, Sharll Mishell, u konstatua se  rezultati pozitiv për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare do të jetë një shtysë për reforma më të shpejta në vend, si dhe një sinjal pozitiv për rajonin, i cili do të konfirmojë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, si një nga qëllimet e zgjerimit të BE-së.

“Është investuar shumë nga të dyja palët dhe gjithashtu shumë është realizuar, që na bën si vend. Të përgatitur për negociata sipas kapitujve për realizim të tërësishëm dhe pa kushte të vendit tonë në agjendën e BE-së”, tha në takim me kryetarin e Këshillit Evropian, Sharll Mishell, Kryeministri Zaev.

Kryetari i Qeverisë, Zoran Zaev, gjatë bisedës me Sharll Mishell, potencoi se prioritete të Qeverisë për periudhën e ardhshme janë avancime të mëtejshme të agjendës për reforma të BE-së në mënyrë inkluzive, me kyçjen e opozitës në Kuvend dhe me pjesëmarrje aktive të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Në këtë takim online me kryetarin e Këshillit Evropian u konstatua se rezultatet e rëndësishme të arritura në përforcimin e pavarësisë së gjyqësorit, sjellja e Ligjit për prokurori publike, si dhe vendimet përfundimtare për raste të krimit dhe korrupsionit të organizuar, përfshirë edhe në nivel të lartë, janë përmirësuar në mënyrë shtesë dhe në atë mënyrë janë konstatuar edhe në raportin vjetor të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut.

“Maqedonia e Veriut do t’i përforcojë përpjekjet e saj dhe do të sjellë rezultate të mëtejshme të prekshme dhe të qëndrueshme në fushat kryesore të reformës, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, duke përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha Kryeministri Zaev në këtë takim online.

Tema e takimit, ku morën pjesë edhe zëvendëskryetari i Qeverisë për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ishin edhe raportet e mira fqinjësore dhe rajoni.

Kryeministri Zaev theksoi se Qeveria është e përkushtuar në zbatimin e obligimeve nga Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe se të gjitha çështjet e tjera do të mbyllen me takime dypalëshe dhe në atmosferë miqësore.

Në takimin me Sharll Mishell, u theksua edhe rëndësia e madhe e Planit Ekonomik dhe për Investime për Ballkanin Perëndimor në vlerë prej 9 miliardë euro për investime më të mëdha në përforcimin e ndërlidhjes infrastrukturore, veçanërisht në sferën e transportit dhe energjisë, agjendës së gjelbër dhe digjitale, si dhe përforcimin e konkurrencës në sektorin privat, si sfera kyçe për ekonomitë rajonale.

Kryetari i Këshillit Evropian, Sharll Mishell, në takimin online rikujtoi se një prej prioriteteve të tij të para prej kur e mori mandatin në KE, ishte integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE dhe në atë drejtim e vlerëson shumë përkushtimin e Qeverisë dhe të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në plotësimin e standardeve evropiane në të gjitha sferat, përfshirë edhe harmonizimin e politikave nacionale të jashtme me ato të BE-së.

“Kjo është shumë e rëndësishme”, tha kryetari i Këshillit Evropian, Mishell, që të përfundojë më shpejtë procesi i mbylljes së kapitujve i cili do të fillojë me konferencën e parë ndërqeveritare në dhjetorë, gjatë kryesimit të RF të Gjermanisë.

Kujtojmë se në mars, Bashkimi Evropian miratoi vendim për fillim të pakushtëzuar të bisedimeve hyrëse me Maqedoninë e Veriut dhe pritet që konferenca ndërqeveritare të mbahet deri në fund të vitit, gjatë kohës së udhëheqësisë gjermane. Bullgaria në shtator dërgoi memorandum sqarues deri te vendet anëtare të BE-së,  ku mes tjerash thotë se gjuha maqedonase nuk ekziston dhe është dialekt i gjuhës bullgare, por edhe se populli maqedonas është projekt i ish liderit të Jugosllavisë, Josip Broz Tito.

Me konferencën ndërqeveritare fillojnë bisedimet, por që të ndodh ajo, të gjitha vendet anëtare duhet që ta harmonizojnë kornizën negociuese, proces të cilin për momentin e bllokon Bullgaria, duke kërkuar lëshime për historinë dhe gjuhën maqedonase.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close