Berlini dhe Brukseli zyrtar presin që Maqedonia e Veriut të fillojë bisedimet për pranim në BE deri në fund të vitit

Ambasadorja gjermane Anke Holshtajn dje deklaroi se në lidhje me procesin e zgjerimit, qëllimi i presidencës gjermane me BE është i qartë që të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut deri në fund të vitit dhe vlerësoi që nëse kjo nuk do të ndodhte do të ishte dështim, transmeton Mia.mk, njofton Portalb.mk.

“Në mars, të gjitha vendet anëtare dhanë dritën jeshile për fillimin e negociatave dhe hapjen e negociatave aderuese me Maqedoninë e Veriut për anëtarësim. Po punojmë shumë që konferencë ndërqeveritare të mbahet dhe jemi optimistë se do të jemi në gjendje ta arrijmë këtë qëllim, tha Holshtajn, e cili së bashku me Ambasadorin e BE Dejvid Gir dhe zëvendës kryeministrin Nikolla Dimitrov folën në një onlajn ngjarje promovuese për projektin “Promovimi i vlerave të përbashkëta në të gjithë Evropën”, që u organizua nga Transparensi Interneshënëll-Maqedoni.

Sipas saj, Procesi i Berlinit lehtëson shumë këtë proces dhe shprehu besimin se, në nëntor gjatë bashkë-presidencës së përbashkët të Maqedonisë dhe Bullgarisë me samitin e Sofjes, do të ketë atmosferë konstruktive.

“Kjo është një datë e rëndësishme për kompletimin e rendit të ditës në dhjetor. Sipas rregullave dhe procedurave, 10 nëntori është shansi i fundit për të pranuar kornizën negociuese dhe ne do të bëjmë gjithçka që kjo të ndodhë, tha Holshtajn.

Ambasadori i BE Gir, nga ana e tij, thekson se vendimi për hapjen e negociatave u mor në mars dhe se diskutimet për kornizën e negociatave po vazhdojnë në Bruksel.

“Shpresoj që marrëveshja të arrihet deri në fund të vitit,” tha Gir.

Zëvendës kryeministri për Çështje evropiane Dimitrov gjithashtu shprehu besimin se edhe Brukseli edhe Berlini e janë duke e njohur rastin.

“Në mars patëm vendim të pakushtëzuar për të filluar negociatat dhe mendoj se do të jetë mirë për të gjithë ne, edhe për BE-në, edhe për të gjithë fqinjët tanë që dhjetor të marrim përfundimisht qasje të plotë në instrumentin e procesit të aderimit, deklaroi Dimitrov.

Pengesa kryesore është pozicioni i Sofjes, me të cilin përmes një memorandumi shpjegues dërguar anëtarëve të BE, e konteston identitetin dhe gjuhën maqedonase. Tema për kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut ishte në agjendën e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së për herë të parë dje, pas disa javësh harmonizim të pikëpamjeve në nivel të ekspertëve. Siç ka lajmëruar korrespondentja e AIM nga Brukseli, ambasadori bullgar e ka paraqitur qëndrimin bullgar rreth miratimit të kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se Sofja e kundërshton emrin e shkurtër të vendit (Bullgaria beson se vendi duhet të quhet Republika e Maqedonisë së Veriut në komunikimin zyrtar e jo Maqedonia e Veriut) si dhe emërtimi i gjuhës si maqedonase.

Sipas diplomatëve të pranishëm në këshillin ambasador në Bruksel, asnjë shtet anëtar nuk e mbështet pozicionin e Sofjes, pasi ai është jashtë kompetencave të BE-së dhe duhet të zgjidhet mes të dy palëve. Sidoqoftë, kujtojnë diplomatët, e drejta e vetos në union rreth këtyre temave për momentin është e pakontestueshme dhe Bullgaria, nëse vendos, mund të bllokojë miratimin e kornizës. Mund të vërehet aktivitet intensiv diplomatik nga vetë vendet anëtare midis Sofjes dhe Shkupit, mes tjerash edhe nga qeveritë gjermane dhe austriake, të cilat po përpiqen të ndihmojnë në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të dy palët.

Ambasadorët do t’i kthehen çështjes së kornizës për negociata sërish javën e ardhshme, duke shpresuar se deri atëherë do të ketë ndonjë përparim midis dy palëve, por kujtojnë se disa vende anëtare të BE kanë vërejtje mbi tema të tjera në lidhje me reformën e metodologjisë së procesit të negociatave.

Ndërkohë, zëvendës kryeministri dhe ministri bullgar i mbrojtjes Krasimir Karakaçanov doli me një deklaratë të re provokuese. Ai tha se ishte gati të dërgonte një regjiment të inxhinierisë për të hequr monumentet dhe pllakat përkujtimore në Maqedoninë e Veriut në të cilat shkruan “okupatori fashist Bullgar”. Ai thotë që për të filluar Shkupi negociatat në dhjetor do të thotë të heqë dorë nga ato monumente dhe pllaka.

Autoritetet maqedonase e vlerësuan deklaratën e Karakaçanov si të papërshtatshme dhe të padenjë, duke siguruar që nuk është pozicion i publikut dhe qytetarëve të vendit fqinj.

Duke komentuar deklaratën, ministrja e mbrojtjes Radmilla Shekerinska tha se ka kaluar koha kur ministrat e mbrojtjes në rajon bëjnë deklarata, siç është ajo që e shpalosi ministri bullgar i mbrojtjes Karakaçanov, e dikush t’i konsiderojë ato serioze dhe se komunikimi i tillë nuk është i përshtatshëm për vendet anëtare të NATO-s. Ajo theksoi se do të vazhdojë të dërgojë të njëjtat mesazhe si në vitet e mëparshme, se “qytetarët tanë nuk paguajnë dhe presin që ne të sigurojmë siguri dhe se ajo siguri varet nga marrëdhëniet e mira fqinjësore”.

Mbështetjen për fillim të negociatave me BE-në Sofja e kushtëzoi me përparim në punën e Komisionit të përbashkët të ekspertëve për çështje historike dhe arsimore. Historianët maqedonas dhe bullgarë javën e kaluar në Shkup pas një pauze prej gati një viti u ulën përsëri, ku biseduan dy ditë, e sipas deklaratave të bashkë-kryetarëve të Komisionit pas takimit Dragi Gjorgiev dhe Angel Dimirov është arritur përparim i vogël, por jo edhe në lidhje me Goce Delçevin. Pas takimit, u theksua se ka disa propozime dhe ide, por ata kërkuan durim me sa më pak emocione e tensione, duke e paralajmëruar një takim të ri në Sofje deri në fund të vitit.

Takimi i fundit për harmonizimin e kornizës negociuese do të mbahet nga Këshilli i BE-së për çështje të përgjithshme më 10 nëntor në Bruksel, që përkon me mbajtjen e Samitit të procesit të Berlinit në Sofje, i cili do të bashkë-kryesohet nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria. Për fillim të nëntorit është paralajmëruar takim midis kryeministrit Zoran Zaev dhe homologut të tij Bullgar Bojko Borisov në Sofje, në të cilin pritet të tejkalohen keqkuptimet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button