fbpx

Ministrat e mbrojtjes të NATO-s sot dhe nesër diskutojnë për krizën e Kovid-19 dhe solidaritetin mes aleatëve

Ministrat e mbrojtjes të NATO-s  sot dhe nesër do të zhvillojnë takim përmes një video-konference, të kryesuar nga sekretari i përgjithshëm i Aleancës Jens Stoltenberg. Ministrat e mbrojtjes të 30 vendeve anëtare  të NATO-s në sesionin e sotëm të Këshillit veri-atlantik do të diskutojnë masat për të mbështetur përpjekjet civile për të parandaluar përhapjen e virusit Kovid 19 dhe solidaritetin aleat. Me sigurimin e paketës së NATO-s me vlerë 1.4 milion euro për 60 aparate për frymëmarrje dhe pajisje shtesë mjekësore, solidariteti aleat ndaj vendit tonë u konfirmua edhe një herë, thuhet në një kumtesë për mediat të ministrisë së mbrojtjes, njofton Portalb.mk.

Ministrat gjithashtu do të diskutojnë përparimin në ndarjen e barabartë të përgjegjësisë, forcimin e aftësive parandaluese dhe mbrojtëse në të gjitha fushat, forcimin e rezistencës shoqërore.

Sekretari i përgjithshëm i aleancës Jens Stoltenberg në një konferencë për shtyp me rastin e takimit dy-ditor të ministrave, tha se pandemia Covid-19 vazhdon të na sfidojë të gjithëve. “Ushtritë tona vazhdojnë të luajnë një rol kryesor në mbështetjen e përpjekjeve civile. Edhe aleatët ndihmojnë njëri-tjetrin. Vendosja e spitaleve në terren dhe transportimi i pacientëve. Edhe këtë muaj, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut po marrin mbështetje nga rezervat e reja të NATO-s. Covid-19 nuk bëri që sfidat e tjera të zhdukeshin. Pra, mbetet jetësore që të investojmë në mbrojtjen tonë”, tha  Stoltenberg.

Ndërkohë nga Ministria e Mbrojtjes informojnë se do të diskutojnë përparimin në përpjekjet për të rritur buxhetet e mbrojtjes dhe ndarjen e përbashkët të përgjegjësisë. “Shifrat tregojnë se për shumicën e aleatëve, buxhetet janë rritur për gjashtë vjet rresht. Të njëjtin trend ka edhe buxheti i mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut. Kjo u konfirmua nga Kryeministri Zoran Zaev gjatë një vizite në selinë e NATO-s në Bruksel këtë muaj, ku ai tha se ne mbetemi të vendosur për të rritur buxhetin e mbrojtjes dhe për të arritur 2% të PBB-së deri në 2024”, thuhet në kumtesën e ministrisë.

Në takim, ministrat e mbrojtjes të NATO-s do të diskutojnë krijimin e një qendre hapësinore në Reimshtajn, Gjermani, për një komunikim më të mirë satelitor dhe ushtarak.

“Nesër, sesioni i dytë i punës do t’i kushtohet misioneve të NATO-s dhe operacioneve paqeruajtëse në Afganistan, Irak dhe Kosovë. Maqedonia e Veriut vazhdon kontributin e saj në komandën kryesore të misionit të “Mbështetje e vendosur” dhe komandën e kryeqytetit, Kabul, në Afganistan, ndërsa së fundmi 44 anëtarët e parë të Armatës u dërguan brenda forcës së KFOR-it në Kosovë, gjë që e bën vendin tonë një kolonë e paqes dhe sigurisë në rajon”, thuhet në kumtesë.

Ministrat e mbrojtjes do të diskutojnë gjithashtu implementimin e planit të NATO-s zbatimin e Rezolutës 1325 të KB – Gratë, Paqja dhe Siguria, 20 vjetori i të cilave po festohet këtë muaj. Vendi ynë ka miratuar Planin e dytë Kombëtar të Veprimit për zbatimin e kësaj rezolute dhe është e angazhuar për përfshirjen e grave në mbrojtje, përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe që përfshin jo vetëm numra, por edhe përdorim aktiv të kapaciteteve të grave në proceset e mbrojtjes.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close