Edhe pas akuzave të Prokurorisë, s’janë larguar plaformat ilegale në Matkë, Bexheti nuk ka kohë t’u përgjigjet gazetarëve

Edhe pas ngritjes së dy akuzave nga ana e Prokurorisë Publike në lidhje me platformat ilegale në Matkë, objektet vazhdojnë të jenë të “palëkundshme” mbi ujë, ndërsa uzurpatorët nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për t’i larguar të njëjtat, shkruan Portalb.mk.

Platformat ilegale janë vendosur para shumë kohësh mbi liqenin e Matkës, dhe edhe pse ky shqetësim është ngritur shumë herë nga mediat, autoritet nuk kanë ndërmarrë masa për ta zgjidhur problemin. Portalb.mk vizitoi Matkën dhe shkrepi këto fotografi.

Matka

Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve kanë deklaruar për Portalb.mk se kompetencat në lidhje me këtë çështje i kanë kaluar Komunës së Sarajit.

“Kompetencat në lidhje me këtë tashmë disa vite i ka kaluar Komunës së Sarajit. Gjithë procedurat rreth legalizimit të atyre platformave i zhvillon komuna. Ligji për legalizim i përfshin të gjitha objektet që janë ndërtuar deri më 3 mars i vitit 2011 dhe ligji është i qartë se vetëm ata objekte mund të legalizohen. Ne e kemi përfshirë atë në ligj. Atë ligj duhet ta zbatojnë komunat. Se sa e zbatojnë atë komunat është punë e Inspektoratit Shtetëror të Ndërtimtarisë. Pronarët e platformave njëherë kanë kërkuar legalizim, komuna ua ka refuzuar kërkesat, duhej ti rrënojnë, në terren doli inspektorati por, procedurat zhvillohen në komunë”, deklaruan nga kjo ministri.

Matka

Por, kryetari i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti si dhe zyrtarët e kësaj komune, nuk janë të qasshëm për të sqaruar se a po punojnë në zgjidhjen e kësaj çështje, si dhe se çfarë do të ndodhë tani kur është ngritur akuzë nga ana e Prokurorisë.

Zëdhënësja e kësaj komune thotë se kryetari i komunës nuk ka kohë për t’iu përgjigjur redaksisë së Portalb.mk në pyetjen e drejtuar në emailin zyrtar, rreth dy javë më parë.

Matka

Ndërkohë, nga Gjykata Themelore thanë për Portalb.mk se pas ngritjes së akuzave nga ana e Prokurorisë, tani rasti me platformat ilegale në Matkë është në fazën e vlerësimit të akuzave dhe më pas do të caktohet gjykimi.

Prokuroria Themelore Publike javën e kaluar dorëzoi propozim për akuzë ndaj dy personave për veprën penale – Uzurpim i patundshmërive, sipas nenit 225 paragrafi 1 nga Kodi Penal. Ata akuzohen se kanë uzurpuar lokacion të shpallur si monument natyror në Matkë.

“I akuzuari i parë, 39 vjeçar banor i Gllumovës, si tregtar individual i cili kryen veprimtarin për transport ujor të udhëtarëve, në një datë të pavërtetuar saktësisht me qëllim ka uzurpuar patundshmëri të huaj që është e shpallur si monument natyror. Ndryshe, në parcelën e kadastrës në bregun e liqenit të Matkës ka vendosur platformë prej druri me sipërfaqe prej 120 m2 me konstruksion metalik, mbi të cilën ka ndërtuar objekt prej tullave dhe drurit me sipërfaqe prej 49m2”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

I akuzuari i dytë, 25 vjeçar nga fshati Gllumovë, në 5 parcela të kadastrës po ashtu në bregun e liqenit, ka vendosur platformë prej druri me konstruksion metalik në sipërfaqe prej 189,54 m2, në të cilët ka ndërtuar objekt të përkohshëm me sipërfaqe prej 187 m2.

Kujtojmë se, platformat ilegale në Matkë nuk janë rrënuar akoma. Ndërkohë, lundrimi me barka me motor, në liqenin e kanjonit  të Matkës është rreptësisht i ndaluar, dhe Vendimi për shpalljen e Matkës një monument natyror, është vendim që në vitin 1994 e ka miratuar kuvendi i atëhershëm i qytetit të Shkupit, me të cilin është përcaktuar që në kanjon mund të lëvizin vetëm mjete lundruese me energji elektrike.

Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit, i ka dorëzuar padi Prokurorisë Publike kundër kryetarit të Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, për keqpërdorim të pozitës zyrtare nga neni 353 paragrafi 1 dhe punë të papërgjegjshme të detyrës sipas nenit 353 paragrafi 1 nga Kodi Penal.

Në këtë lëndë Antikorrupsioni ka punuar disa muaj dhe në bazë të dokumenteve të marra nga institucionet kompetente dhe nga Komuna ka ardhur në përfundim se kryetari i Komunës, edhe pse ka pasur kompetenca ligjore, nuk e ka refuzuar kërkesën për legalizim të ndërtimit pa leje e cila është bërë në zonën e mbrojtur.

Sipas nenit 22 nga Ligji për Vetëqeverisje Lokale, të cilin e ka cituar kryetarja e Antikorrupsionit, Biljana Ivanoska, kryetari është i oblgiuar që të miratojë vendime për konteste administrative, të kujdeset për mjedisin jetësor, që në këtë rast nuk është bërë. Për lëndën në Komunë ka vendosur personi i cili nuk ka pasur as njohuri, as kompetenca.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button