RMV, Ka vdekur një kirurg i infektuar me korona virus nga spitali i Kumanovës

Doktori Dragan Tasevski, një mjek specialist i punësuar në repartin e Kirurgjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës, vdiq nga ndërlikimet e korona virusit. Mjeku mori test pozitiv dhjetë ditë më parë, ndërsa pasi gjendja e tij u përkeqësua, ai fillimisht u mjekua në Klinikën Infektive në Shkup dhe më pas me kërkesën e tij u transferua në spitalin privat “Acibadem Sistina”, njofton SDK, transmeton Portalb.mk.

Qendra për Shëndet Publik në Kumanovë konfirmoi se më 9 tetor, është shënuar një rast i covid-19 i një punëtori shëndetësor.  Drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm në Kumanovë, Snezhana Zaharieva, thotë se të gjithë janë akoma të tronditur nga humbja e kolegut të  tyre, i cili humbi betejën me korona virusin.

“Kolegu qysh prej dhjetë ditë më parë ishte shtruar në spitalin në Klinikën Infektive në Shkup, si rezultat i një bronkopneumonie të rëndë të shkaktuar nga covid-19. Ai rezultoi të ishte pozitiv me një pasqyrë më të rëndë klinike dhe u dërgua menjëherë në një klinikë private. Sidoqoftë, sipas vlerësimit tim, siç mësova nga kolegët, ai shkoi në Sistina për kurim. Pasditen e djeshme gjendja e tij u përkeqësua dhe ai vdiq këtë pasdite. Askush nga ne nuk priste që të mbaronte kështu. E kemi shumë të vështirë që humbëm një profesionist të lartë, një njeri të madh dhe një koleg, i cili kontribuoi në këtë betejë me korona virusin” tha Zaharieva.

Drejtoresha nuk e di se ku u infektua kirurgu Tasevski, por konfirmon se në dy muajt e fundit nuk është regjistruar asnjë rast me korona virus në repartin Kirurgjik të spitalit. Ajo thotë se ky është rasti i parë i një vdekjeje të korona virusit në spitalin e tyre, megjithëse deri më tani më shumë se 10 përqind e të punësuarve e kanë kaluar virusin.

“Ne kemi mbi 700 punonjës, por të infektuar kishim kryesisht në fillim të krizës, në periudhën kur kemi pasur një fluks të madh pacientësh në dy pika në ndërtesat e vjetra joadekuate për akomodim. Situata është e qëndrueshme tani dhe shpresoj se do të mbetet kështu,” tha Zaharieva.

Drejtoresha u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që ta marrin seriozisht sëmundjen, veçanërisht skeptikët që besojnë se virusi nuk ekziston, sepse covid-19 është një sëmundje me një rrjedhë të paparashikueshme.

Kumanova ka qenë një vatër e koronavirusit që nga fillimi i pandemisë. Deri më tani, Qendra e Shëndetit Publik në Kumanovë, e cila përfshin Likovën dhe Nagoriçin e Vjetër, ka regjistruar 1,998 pacientë me koronavirus dhe 233 janë aktivë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button