Në Bllacë sot filloi ngritja e “Murit të Kujtesës”

Në Bllace do të ndërtohet një mur, i cili simbolikisht do të quhet “Muri i Kujtimit”. Është ky vendi ku para 21 viteve kishte ndodhur drama më  e tmerrshme e eksodit, dhe në të do të gravohet imazhi i Sherife Lutës dhe të bijës Besianës që në kohën e luftës po kalonin në Maqedoni, pasi u dëbuan nga ushtria e policia serbe. Ky mur, thonë nga ITShKSh, bëhet me qëllim që të mos humben pikërisht kujtimet për të kaluarën e trishtë, njofton Portalb.mk.

Krahas fotografisë së familjes Luta, në “Murin e Kujtesës”,  i cili do të fillojë të ndërtohet nga sot, do të gdhenden edhe fjalët që thanë për refugjatët personalitet e njohura botërore, në mesin e të cilëve  – Bil Klinton, Toni Bler, Medlin Olbrajt e Robin Kuk.

Takim i drejtorit të ITShKSh Skender Asani me kryetarin e Bllacës Rufki Suma dhe tjetër kryetarn e Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve në Vatrat e tyre Jahja Lluka
Takim i drejtorit të ITShKSh Skender Asani me kryetarin e Bllacës Rufki Suma dhe tjetër kryetarn e Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve në Vatrat e tyre Jahja Lluka

Kjo qendër do të mbetet pronë e përhershme historike e krejt gjeneratave që vijnë pas nesh, tha Skender Asani, drejtor i ITShKSh-së në Shkup, në cilësinë e ideatorit dhe inicuesit të kësaj qendreje, bashkë me Jahja Llukën, kryetar i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve në Vatrat e veta, e mbështetur nga të dy qeveritë – ajo e Kosovës dhe e Maqedonisë së Veriut si dhe nga Komuna e Hanit të Elezit, e përfaqësuar nga kryetari Rufki Suma.

“Ne si brez, por edhe si  shoqëri dhe si studiues duhet të angazhohemi që botës t’ia prezantojmë portretin e vuajtur të viktimës, sepse vetëm në këtë mënyrë ne nderojmë sakrificën sublime për lirinë që sot e gëzojmë. Edhe ky Mur shpreh pikërisht këtë sakrificë, sepse aty është e gdhendur golgota shqiptare, e cila ishte edhe shkak i drejtpërdrejt që të aktivizohet ndërgjegjja politike e diplomatike e botës së qytetëruar, duke e shpëtuar një popull të tërë nga kthetrat e gjenocidit serb”, tha Skender Asani, drejtor i ITSHKSH-së në Shkup.

Punimet për ‘Murin e Kujtesës’

Nga ana tjetër kryetar i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve në Vatrat e tyre Jahja Lluka tha se në këtë mur do të ketë edhe disa të dhëna mbi atë se sa shqiptarë në atë kohë u larguan nga Kosova. “Ndërkaq mbi koston e këtij objekti, kjo do të bëhet publike në momentin kur do të përurohet”, tha Jahja Lluka.

Për kryetarin e Hanit të Elezit, Rufki Suma, ky mur do të jetë edhe një pikë referuese për shumë vizitor, por edhe një mësim për gjeneratat e reja, të cilët do të kenë rastin të njihen me një pjesë të kaluarës së popullit tonë. Ai premtoi se hapësira përreth murit do të inkorporohet në një infrastrukturë modern e cila do të ndërtohet në disa faza.

“Muri i Kujtesës”, si një simbol që ngërthen në vete vuajtjet e shumë brezave të shqiptarëve, vjen edhe si ide shoqëruese e disa projekteve të ITSHKSH, të cilat kanë për qëllim institucionalizimin e kujtesës kolektive përmes sakrificës së popullatës.

“Muri i Kujtesës”, do të jetë i gjatë 15 metra dhe i lartë 2.7 metra.

Qendra Përkujtimore e Eksodit “Bllacë ‘99”
Qendra Përkujtimore e Eksodit “Bllacë ‘99”

Vitin e kaluar në prani të shumë zyrtarëve të lartë politikë e institucional të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në zonën ndërkufitare në Bllacë, në pjesën kosovare, u vu gurthemeli i Qendrës Përkujtimore e Eksodit “Bllacë ‘99” dhe u promovua treni me mbishkrimin “Përjetësisht në memorjen shqiptare”, që është simbol tragjedisë së shqiptarëve të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button