SHBA ka humbur 19 miliardë dollarë nga mashtrimet në Afganistan

Shtetet e Bashkuara kanë humbur 19 miliardë dollarë në Afganistan që nga viti 2002 për shkak të “shpërdorimit të fondeve, mashtrimeve dhe abuzimeve”, tha Inspektori i Përgjithshëm Special për Rindërtimin e Afganistanit (SIGAR) në një raport të ri të lëshuar të martën. SIGAR monitoron të gjitha shpenzimet e Shtetevet të Bashkuara në luftën 19-vjeçare në Afganistan, më e gjata e Amerikës, transmeton Zëri i Amerikës, njofton Portalb.mk.

Autoriteti amerikan i mbikëqyrjes vuri në dukje se Kongresi Amerikan ka ndarë gati 134 miliardë dollarë për programet e rindërtimit në Afganistan që nga përmbysja e talibanëve në fund të vitit 2001.

“Nga kjo shumë, SIGAR shqyrtoi afërsisht 63 miliardë dollarë dhe arriti në përfundimin se një total prej rreth 19 miliardë dollarësh, ose 30 për qind e shumës, ishte humbur nga shpërdorimet, mashtrimet dhe abuzimet”, thotë raporti.

Auditimi i SIGAR-it identifikoi afërsisht 1.8 miliardë dollarë në shpërdorime, mashtrime dhe abuzime midis janarit të vitit 2018 dhe dhjetorit 2019.

Zyra e autoritetit të mbikëqyrjes ka për detyrë të rishikojë fondet e rindërtimit dhe të paraqesë rekomandime për t’i vënë paratë në përdorim më të mirë për programe ose përpjekje të tjera në vendin e trazuar të Azisë së Jugut.

Raporti i fundit i Inspektorit të Përgjithshëm Special për Rindërtimin e Afganistanit (SIGAR) vjen ndërsa administrata e Presidentit Donald Trump po ushtron trysni mbi qeverinë afgane dhe kryengritësit talibanë për të negociuar një zgjidhje politike për t’i dhënë fund përfundimisht konfliktit të gjatë. Rivalët afganë janë aktualisht të angazhuar në bisedime të drejtpërdrejta të paqes në Doha, Katar.

Dialogu historik është produkt i një marrëveshjeje për ndërtimin e paqes që administrata e Presidentit Trump arriti me talebanët në shkurt për t’i dhënë fund luftës dhe për të tërhequr të gjitha trupat amerikane deri në maj të vitit 2021.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj pushtuan Afganistanin pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara dhe rrëzuan qeverinë talibane në atë kohë për shkak se ajo strehonte rrjetin terrorist të al-Kaidës dhe shefin e saj, Osama bin Laden, i cili organizoi sulmet.

Lufta që prej asaj kohe i ka kushtuar Uashingtonit jetën e më shumë se 2,400 ushtarëve amerikanë dhe gati 1 trilion dollarë.

SIGAR vazhdimisht ka kritikuar përpjekjet e qeverisë afgane për të frenuar korrupsionin e perhapur, duke thënë se ato janë të pamjaftueshme dhe një shqetësim i madh në mesin e komunitetit të donatorëve.

Në një raport të lëshuar në fillim të vitit 2020, agjencia amerikane tha se administrata e presidentit afgan Ashraf Ghani “është më e interesuar të veprojë për të kënaqur komunitetin ndërkombëtar sesa të çrrënjosë në të vërtetë problemin e saj të korrupsionit.”

Përpjekjet anti-korrupsion dhe programet e reformave do të jenë në qendër të vëmendjes muajin e ardhshëm kur zyrtarët afganë dhe donatorët ndërkombëtarë të takohen në Gjenevë për të shqyrtuar angazhimet e ardhshme të ndihmës për Afganistanin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button