Raportet e para mbi sundimin e ligjit brenda BE-së: jo për ngushëllim, por për shembull

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova

Në vendet që u bashkuan me BE, shpesh kanë ditur të thonë se BE zbaton standarde të dyfishta e madje edhe të trefishta – disa që vlejnë për të, e të tjera për ato që aderojnë, me ndryshime midis tyre. Është fakt se Bashkimi Evropian, brenda politikës së tij të kushtëzimit, është shumë më ambicioz kur bëhet fjalë për vendosjen e kushteve për ata që janë jashtë Bashkimit kur bëhet fjalë për kriterin politik. Sidoqoftë, është gjithashtu një fakt që kushtet e vendosura nuk janë pa ndonjë lidhje me atë që ndodh ose zhvillohet si koncept në Bashkimin Evropian. Kështu, shumë vetë në Bashkim kanë vërejtur më parë se Unioni miraton një raport mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në botë, por jo mbi vete. Por posa u krijua baza ligjore për këtë me miratimin e Kartës së të Drejtave Themelore të BE, Agjencia për të Drejtat Themelore filloi botimin e raporteve mbi zbatimin e të drejtave themelore në Bashkimin Evropian – qysh në vitin 2010.

Këtë vit, Komisioni Evropian publikoi për herë të parë një raport mbi sundimin e ligjit në Bashkimin Evropian, me raporte të ndara për secilin shtet anëtar. Ato shkaktuan një vëmendje të madhe në vetë Unionin. Në të njëjtën kohë, diskutimi mbi sundimin e ligjit u zhvillua si kusht për përdorimin e fondeve nga Buxheti i Unionit, përmes së cilës është në proces një propozim rregullore  përkatëse e Komisionit. Harmonizimi nuk është aspak i lehtë, sepse marrin pjesë edhe ata që mund të preken.

Raportet e sundimit të ligjit në Union të botuara në fund të Shtatorit të këtij viti janë pjesë e mekanizmit të ri parandalues të BE-së për sundimin e ligjit. Në fakt është një dialog që zhvillohet brenda Unionit, midis institucioneve të tij – Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit Evropian, por së bashku me shtetet – anëtare, si dhe parlamentet kombëtare, shoqërinë civile dhe aktorët tjerë të interesuar për sundimin e ligjit. Baza për dialog të tillë janë pikërisht raportet e publikuara. Nuk është mekanizëm sanksionesh – shërben për procedurën e parashikuar në nenin 7 të Marrëveshjes së BE-së, ndërsa nuk është as pjesë e të ashtuquajturës Kornizë e sundimit të ligjit të BE-së. Sidoqoftë, të gjithë këta mekanizma së bashku i forcojnë ndjeshëm instrumentet për monitorimin dhe promovimin e sundimit të ligjit në BE. Nga ana tjetër, kjo e forcon legjitimitetin e BE-së për të kërkuar mbrojtje të vlerave të njëjta nga ata që duan të bashkohen me Unionin.

Paketa e dokumenteve përbëhet nga një Raport i përgjithshëm për të gjithë Bashkimin Evropian (kominike i Komisionit) dhe raporte të veçanta për secilin nga 27 shtetet anëtare (dokumentet e punës së shërbimeve të Komisionit). Raportet i mbulojnë fushat e sistemit të drejtësisë, kornizën anti-korrupsion, pluralizmin dhe lirinë e medias, si dhe çështje të tjera institucionale në lidhje me mekanizmat e kontrollit dhe ekuilibrit. Shumë elementë të raporteve për shtetet që duan të aderojnë në lidhje me sundimin e ligjit nga Kapitulli 23 Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore janë pothuajse identikë në seksionet mbi sistemin e drejtësisë dhe kornizën e korrupsionit, si dhe lirinë e medias nga raportet e BE-së për sundimin e ligjit.

Raportet treguan një pabarazi të madhe dhe larmi në zbatimin e standardeve të sundimit të ligjit në vendet anëtare të BE-së. Disa analistë, duke analizuar përmbajtjen e tyre, nxituan të renditnin ose vendet anëtare të grupit sipas nivelit të kriticizmit të Raportit të KE. Kështu, portali “Politiko” i ndan vendet anëtare në pesë kategori. I pari quhet “autoritar” dhe përfshin Hungarinë dhe Poloninë, ndërsa e dyta – e quajtur “më e keqja nga pjesa tjetër” dhe këtu është renditur vetëm Bullgaria. Ajo ndiqet nga Kroacia, Malta, Rumania dhe Sllovakia në një grup të quajtur “Luftë e rëndë”, duke aluduar në reformat afatgjata që ngadalë po japin rezultate. Kategoria e katërt përbëhet nga Spanja, Italia dhe Portugalia – me një emërues të përbashkët “Sfidat e Jugut”. Kategoria e fundit dhe më e mira me ironi quhet “Më e mira e pjesës tjetër” – vendet ku nuk ka sfida sistemore për sundimin e ligjit, por edhe më të mirët kanë çështje që shqetësojnë Komisionin.

Nëse është për ngushëllim – nuk jemi vetëm, por është gabim të kërkohet ngushëllim. Ajo që duhet të kërkojmë dhe synojmë është krahasimi më i lartë, shembulli më i mirë për ndryshim, jo shembulli më i mirë i reformave të pafrytshme.

LEXO: U publikua raporti i progresit për Maqedoninë e Veriut, Komisioni Evropian kërkon zbardhjen e rasteve gjyqësore që kanë të bëjnë me korrupsion të lartë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button