RMV, Ministria sqaroi se si do të vlerësohen nxënësit gjatë mësimit në distancë
Ministria e arsimit dhe shkencës (MASH) në Maqedoninë e Veriut përmes Udhëzuesit për mësimdhënësit me gjithsej 11-të faqe, përcaktoi mënyrën se si do të vlerësohen nxënësit gjatë realizimit të mësimdhënie përmes mësimit në distancë, transmeton Portalb.mk.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit i informuan shkollat për mënyrën e ndjekjes dhe vlerësimit të nxënësve në periudhën e realizimit të mësimit në kushtet e pandemisë”, raportojnë nga MASH.
Vlerësimi i parë i nxënësve duhet të bëhet deri më 20 nëntor, ndërkohë ministria sqaroi rastin kur nxënësit nuk mund të vlerësohen në distancë.
“Në rastet ku për arsye të ndryshme nuk mund të formohet vlerësimi online, duhet të organizohen takime individuale me këta nxënës, nëpërmjet mësimdhënësve të cilët do t`i ndjekin arritjet e tyre dhe do të formojnë vlerësimin”, sqarojnë nga Ministria.
Procesi arsimor në Maqedoninë e Veriut realizohet në formë të kombinuar, ashtu që kryesisht nxënësit nga klasat e para deri në të tretën e ndjekin mësimin me prani fizike në shkolla, ndërsa kryesisht nxënësit nga klasat e katërta e deri në vitin e katërt në shkolla të mesme e ndjekin mësimin në distancë.