fbpx

Filipçe: Masat për mbrojtje nga KOVID-19 të cilat janë në Kuvend, patjetër urgjentisht të miratohen

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, deklaroi se masat për mbrojtje nga KOVID-19 të cilat janë në Kuvend patjetër urgjentisht të miratohen, njofton Portalb.mk.

“Deputetët të tregojnë përgjegjësi dhe sa më shpejtë njëzëri të votohen dy pakot e masave për mbrojtje të popullsisë dhe parandalimin e shpërndarjes së mëtutjeshme të virusit. Kërkoj që të gjithë bashkë të dërgojmë porosi të bashkimit rreth rëndësisë për respektim të masave. Ata janë tërësisht të qëndrueshme, të bazuara në analizat e Institutit të Shëndetit Publik dhe të përvojave ndërkombëtare. Të njëjta ose ngjashëm janë masat që për momentin janë në fuqi në të gjitha vendet evropiane”, theksoi ministri Filipçe.

Ai shtoi se nuk ka kohë për prolongim, pasi që gjendja me virusin është serioze.

“Njëkohësisht i porosis qytetarët se edhe masat ekzistuese janë në interes të mbrojtjes së shëndetit të tyre dhe patjetër duhet që t’i respektojnë. Spitalet janë të mbushura dhe të gjithë duhet që të jemi të vetëdijshëm se prej çdonjërit prej nesh varet se si do ta kalojmë gjendjen. Vijojnë muaj të rrezikshëm të vjeshtës dhe dimrit dhe kërkoj nivel të lartë të vetëdijes dhe respektim të punës së punëtorëve shëndetësor”, tha Filipçe.

Ndryshe, propozim ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për mbrojtje të popullsisë nga sëmundje infektive me procedurë të shkurtuar, ku janë të përfshira edhe masat e reja për mbrojtje nga covid-19, të propozuar nga Komisioni për Sëmundje Infektive, sot nuk u vendos në rend dite të seancës plenare në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut. Me kërkesë të opozitës maqedonase, sot nuk u diskutua për këtë ligj. Nga VMRO-DPMNE thanë se kërkojnë më shumë kohë për të shqyrtuar se çfarë përmban ligji, sepse sipas tyre “kanë dyshime për disa akte ligjore”.

Me këtë kërkesë, pritet të ligji në fjalë të diskutohet në seancë plenare me datë 27 tetor, kur dhe pritet të kthehen dy deputetët aktualisht të infektuar, Laze Taneski dhe Ismail Jahoski.

Siç është paralajmëruar më herët, pakoja e re e masave përfshin kufizim të orarit të punës deri në orën 23:00 për të gjithë operatorët ekonomik, kufizim i grupimeve pas orës 22 në ambiente të hapura si dhe në ambiente familjare, si dhe mbajtje të maskës gjithkund edhe në ambiente të hapura. Komisioni për Sëmundje Infektive po ashtu do t’i rekomandojë Qeverisë që administrata shtetërore dhe publike, të punësuarit në gjykatë dhe në komuna, të punojnë në ndërrime apo në rotacion apo online, në pajtueshmëri me kushtet për procesin e punës.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close