Përderisa të rinjtë ikin nga RMV, vetëm vitin e kaluar 6,575 shtetas janë zënë ilegalisht në BE (INFOGRAFIK)

Gjithsej 6,575 shtetas të Maqedonisë së Veriut vetëm gjatë vitit 2019 janë zënë duke qëndruar ilegalisht në një prej shteteve të Bashkimit Evropian. Tri shtetet më të frekuentuara ilegalisht nga shtetasit e RMV-së janë Gjermania, Hungaria dhe Sllovenia. Anëtarësimi i shtetit në Bashkimin Evropian do të zgjidhte këtë problem, shkruan Portalb.mk.

Pse largohen të rinjtë nga RMV-ja?

Në vitin 2019 Fondacion Fridrih Ebert ka realizuar një hulumtim për atë se pse largohen shtetasit e Maqedonisë së Veriut nga vendi.

Nga ky hulumtim, rezultoi që një e treta e të anketuarve kanë dëshirë të zjarrtë të largohen nga shteti, arsyet për këtë sipas të anketuarve, janë tre:

  • Standardi më i mirë i jetës.
  • Mundësi më të mira për punësim.
  • Arsimim më të mirë.

Si probleme në shoqëri, të rinjtë, kishin theksuar korrupsionin, padrejtësinë sociale, varfërinë, papunësinë. Ndonëse duan të arsimohen, ata mendojnë që për punësim do t’iu ndihmojnë më shumë lidhjet se sa dituria. Gjermania është përfundimisht destinacioni i preferuar për emigrim, pastaj vjen Zvicra, tregojnë rezultatet e studimit. Gati gjysma e të anketuarve janë të pakënaqur me cilësinë e procesit arsimor në Maqedoni. Një pjesë e arsyeve të pakënaqësisë mund të detektohet në perceptimin e dobishmërisë së diturive të fituara.

Edhe pse me datë 19 dhjetor të vitit 2009 Bashkimi Evropian i hoqi vizat për shtetasit e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, kjo është vetëm për udhëtimet afatshkurtra. Ndërkaq duke u bazuar në studimin e lartpërmendur, shumica e shtetasve tanë shkojnë në këto vende evropiane për punë, që do të thotë se ju nevojitet më shumë kohë se sa e kanë të lejuar.

Pra, zënia e një pune apo punësimi i shtetasve të Maqedonisë së Veriut në një nga shtetet e Bashkimit Evropian përbën problem në vete, marrë parasysh se kushtet e vizave afatshkurta nuk e lejojnë një gjë të tillë. Këtu theksojmë se disa nga shtetet e BE-së kanë ndërhyrë në ligjet pozitive nacionale ku kanë bë të mundur punësimin e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor në shtetet e tyre për afat më të gjatë.

Pasoja, qëndrimi ilegal i shtetasve të RMV-së në BE gjatë vitit 2019

Vetëm gjatë vitit 2019, duke qëndruar ilegalisht në një prej shteteve të Bashkimit Evropian, janë zënë gjithsej 6,575 shtetas të Maqedonisë së Veriut.

Portalb përgatiti një infografik për këtë

Ndërkaq qytetarët e Ballkanit Perëndimor me qëndrim ilegal në BE në viti 2019, sipas % të popullatës janë kështu:

  • Shqipëria – 1.3%
  • Maqedonia e Veriut – 0.3%
  • Kosova – 0.2%
  • Serbia – 0.2%
  • Mali i Zi – 0.1%
  • Bosnje dhe Hercegovinë – 0.1%

Shtetasit e Maqedonisë së Veriut më së shumti ilegalisht gjatë vitit 2019 kanë qëndruar në Gjermani, Hungari dhe Slloveni ndërkaq në përgjithësi, top tre vendet e BE-së me numër më të madh të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor të zënë me qëndrim ilegal gjatë 2019 janë Gjermania, Greqia dhe Hungaria.

Anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian do të zgjidhte këtë problem

Një prej parimeve dhe vetë qëllimit të themelimit të Bashkimit Evropian padyshim që është edhe bashkëpunimi mes shteteve anëtare, në secilën sferë dhe fushë.

Kështu, personat që posedojnë nënshtetësi të njërit prej shteteve anëtare të Bashkimit Evropian mund të udhëtojnë, punojnë apo shpërngulën në cilindo shtet anëtar tjetër pa pasur nevojë as për vizë punë apo vizë qëndrimi.

Sipas ekspertit të të drejtës ndërkombëtare Selim Ibraimi, ky vërshim ilegal i shtetasve të RMV-së mund të parandalohet vetëm me stabilizimin e situatës ekonomike të vendit, që sipas tij, do të jetë një proces i vështirë viteve në vijim.

Selim Ibraimi
Selim Ibraimi

“Ata shtetas të RMV-së që kanë kërkuar azil dihet se ku qëndron problemi dhe pse kanë shkuar në shtetet e BE-së ndërsa personat ilegal duhet parë që ky problem të zgjidhet në kuadër të një marrëveshje riatdhesimi. Por fundja do të jetë vështirë që BE dhe MV të parandalojë këtë vërshim qoftë legal apo ilegal. Duhet stabilizuar ekonomia e MV e që do të jetë vështirë ne vitet në vazhdim. Personat ilegalë gjatë qëndrimit në BE siç thashë mund të aplikojë për statusi e azilit ose të gjejnë forma tjera të qëndrimit. Askush nga të ikurit nuk dëshiron kthim në RMV sepse jetën në Maqedoni e konsiderojnë si ferrin e Dante Aligerit” tha për Portalb.mk, Selim Ibraimi.

Ndryshe, në mars të këtij viti vendet e BE-së arritën marrëveshje politike për të filluar negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërkaq, pas 10 muajsh pauzë, komisionet për zgjidhjen e konflikteve historike mes Bullgarsë dhew RMV-së ditëve të fundit po zhvillojnë takime në Shkup në përpjekje për zgjidhjen e kontesteve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button