Kriza me koronën, rajoni italian do të vendosë orë policore

Rajoni në veri të Italisë, Lombardia do të vendosë orë policore, në përpjekje për të frenuar përhapjen e mëtejme të koronavirusit të ri, shkruan The Guardian. Ora policore do të aplikohet nga ora 23:00 deri në orën 05:00 dhe pritet të hyjnë në fuqi natën e 22 tetorit, transmeton Portalb.mk.

Kjo masë, sipas autoriteteve pritet të zgjasë deri më 13 nëntor, raporton AFP. Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza ka dhënë pëlqimin e tij për ashpërsimin e masave, që ka propozuar qeveria e këtij rajoni.

“Është një nismë e duhur dhe simbolikisht e rëndësishme, që nuk do të ketë pasoja serioze, veçanërisht në ekonomi”, tha presidenti rajonal, Attilio Fontana për gazetën La Repubblica.

Sipas autoriteteve, gjatë orës policore në Lombardi, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre nëse kanë emergjenca shëndetësore dhe për punë esenciale.

Italia po shënon rritje të rasteve të reja me koronavirus ditëve të fundit. Vetëm gjatë ditës së hënë, në këtë rajon, u regjistruan mbi 1,600 raste të reja.

Në fillim të pandemisë, Italia dhe posaçërisht Lombardia ka qenë rajoni më i goditur nga ky virus. 

Të shtunën, më 17 tetor, Lombardia po ashtu urdhëroi mbylljen e bareve në mesnatë dhe ndaloi shërbimet e gastronomisë në ambiente të jashtme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button