Moska planifikon që në fund të vitit të fillojë vaksinimin masiv kundër koronavirusit

Moska planifikon vaksinimin masiv kundër korona virusit në fund të këtij viti. Kryetari i Moskës Sergei Sobyanin tha se synon të hapë dy spitale tjera, ashtu që autoritetet të përballen më lehtë me rritjen e numrit të rasteve të infektimit, transmeton agjencia ruse e lajmeve TASS, njofton Portalb.mk.

“Një fushatë vaksinimi në shkallë të gjerë ka shumë të ngjarë të ndodhë në fund të vitit ose në fillim të vitit të ardhshëm,” vuri në dukje kryetari i Moskës.

Ai shtoi se provat pas miratimit të vaksinës ruse kundër korona virusit, do të zgjasin dy deri në gjashtë muaj. Prodhimi masiv i vaksinës do të fillojë në dhjetor 2020. Në fillim do të vaksinohen grupet e rrezikuara të njerëzve, duke përfshirë punonjës mjekësorë, mësues, zyrtarë të zbatimit të ligjit, ata që janë të punësuar në tregti dhe “ndoshta gazetarë. Ne duhet ta kemi parasysh se rreziku është ende atje. Ndërsa hyjmë në vjeshtë dhe dimër, do të ketë ndërlikime. Sidoqoftë, mendoj se do të jetë më e lehtë se pranvera e kaluar, por ne ende duhet të përgatitemi për problemet”, tha kryetari i Moskës Sobyanin.

Sobyanin tha më herët gjatë një takimi onlajn me Presidentin rus Vladimir Putin se ai ishte vaksinuar kundër korona virusit.

Më 11 gusht, Rusia u bë vendi i parë që miratoi një vaksinë kundër korona virusit, e cila u emërua Sputnik V. Vaksina u zhvillua nga Instituti i Kërkimeve Shkencore Gamaleya i Epidemiologjisë dhe Mikrobiologjisë dhe iu nënshtrua provave klinike në qershor dhe korrik. Ministria ruse e Shëndetësisë njoftoi fillimin e prodhimit të vaksinave më 15 gusht. Provat pas regjistrimit të vaksinës në Moskë pritet të përfshijnë 40,000 vullnetarë. Kjo nxiti debate në mesin e komunitetit ndërkombëtar të shkencëtarëve, të cilët kanë pretenduar se nuk janë kryer teste të mjaftueshme për të.

Mirëpo zyrtarët shëndetësorë rusë kanë përkrahur vaksinën.

Rusia ka miratuar tashmë vaksinën e dytë dhe ishte planifikuar të nisë testimin e së tretës më 19 tetor.

Ky vend, që renditet i katërti në botë për nga numri i të prekurve me këtë virus, apo mbi 1.4 milionë të infektuar, është duke përjetuar valën e dytë të rasteve, sikurse shumë vende tjera në botë.

Këto qendra pritet të kenë kapacitet për të trajtuar rreth 3,500 pacientë me korona virus.

Moska ka regjistruar 5,376 raste të reja më 19 tetor, njëherësh numrin më të madh prej 12 majit.

Autoritetet e qytetit kanë nisur të ashpërsojnë masat për të parandaluar përhapjen e virusit.

Policia në Moskë është duke patrulluar transportin publik për të siguruar që njerëzit janë duke vendosur maskat, ndërkohë që qeveria është duke gjurmuar në mënyrë digjitale personat që vizitojnë baret dhe klubet tjera.

Autoritetet e Moskës po ashtu u kanë kërkuar kompanive që të punojnë sa më shumë nga shtëpitë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button