TREGTI ME LESH

Çfarë kanë këta njerëz me gjuhën shqipe që e shkelin ashtu pamëshirshëm, ndonëse në emër të saj bëjnë be. Janë ulur nëpër kolltuqe televizionesh të ndryshme anë e mbanë hapësirës sonë etnike, nëpër salla kuvendesh, nëpër zyra qeveritare dhe e flasin të folmen e fshatit ose të pallangës o të kasabasë së tyre. Kur të takohesh me ta, s’ka më avokatë të mirë të gjuhës shqipe se ata. Po mos u beso, më thotë një mik imi që s’e ngre kryet nga librat. S’e kanë me gjithë mend ata. I kanë për pikë partiake.

Loçi e Toçi, më tha, janë bërë pronarë të mëdhenj duke luajtur me qibrita aty te ajo përmendorja kiç pranë urës së gurit. Ata sa herë që takohen me profesorët e gjuhës shqipe nuk ndalen  duke folur për gjuhën letrare. Madje u mbajnë ligjërata profesorëve. Thonë se e duan shumë këtë gjuhë. Por kur një ditë profesor Dema i pyeti se çfarë do të thotë letrare, ata i thanë se s’ka rëndësi ajo që pyet ti. Dhe, shtuan: kush je ti që të na pyesësh neve që aq stazh kemi bërë nëpër këshilla drejtuese, nëpër komisione dhe sa kohë që merremi me biznes të ndërresave femërore? Pastaj i thanë: shko o profo përkthe ndonjë reklamë që ta bësh pazarllëkun, të blesh ndonjë patate e ndonjë koqe ve. Loçi pastaj shtoi: Profo, a ke pare? Në mos paç, ja merri këto dhe i nxori dyqind denarë, dy monedha njëqindshe të ndrydhura. Mbaj për vete o Loç, i tha profesor Dema dhe u largua me krenari. Po nuk janë vetëm Loçi e Toçi.

A e keni parë emisionin e asaj bukuroshes në një televizion të Tiranës e cila titullin ia ka vënë emisionit të vet për fëmijë “Në kurthin e Piter Pan”? pyeti Gimi. I ka shkruar asaj profesor Gimi: E nderuar fisnike pse kështu e dhunon gjuhën shqipe, madje para fëmijëve? Kush ta jep atë drejtë të shkelësh pamëshirshëm mbi normat e gjuhës shqipe kur thua: “Në kurthin e Piter Pan”? Ne, moj zonjë e kemi lexuar moti, moti librin prej kah ti e ke pshtjellë atë titull. Titulli i atij libri është “Pjetër Pani”. Me mbiemrin që shquhet. Ti si gazetare dhe biznesmene duhet ta dish se emrat e gjuhës shqipe, qofshin të përgjithshëm, qofshin të përveçëm kanë trajta. Trajtën e shquar dhe trajtën e pashquar.Qofshin emra shqiptarësh apo të huajsh, krejt njësoj. Ata duhet ta ulin kokën para rregullave të gjuhës sonë. Duhet ta dish, po ashtu moj zonjë, se emrat i kanë edhe rasat. Dhe, kur ke thënë në kurthin e Piter Pan i ke bërë dy padrejtësi Pjetër Panit, pse s’e ke lënë Pjetër ashtu si e ka lënë përkthyesi në gjuhën shqipe dhe e ke lënduar edhe Panin, pse s’e ke lënë në vendin e vet, në rasën gjinore. Është dashur të thuash, pra Në kurthin e Pjetër Panit, zonjooo.U ke bërë padrejtësi të madhe. Dhe, moj zonjë, kurthin e ke lënë në rasën kallëzore, ashtu si duhet, kurse Panit ia ke marrë të drejtën të jetë në rasën gjinore. E ke përzënë nga rasa ku duhet të jetë në këtë rast. Kështu i ka shkruar Gimi, po ajo as që e ka marrë në dorë fjalën e profesionistit dhe njohësit të gjuhës shqipe. Si duket ka thënë: Hajt mos më çajë kryet, mor katunar! E ka thënë kështu ajo, thotë Pjetër Loti se ajo flet në emër të një klani, të një pushteti. Të një pushteti që vetë e ka sjellë ligjin për gjuhën shqipe dhe ushtarëve të vetë partiakë ose klaneve biznesore o mediatike vetë u hap shtigje ta përbaltin gjuhën.

Ky pushtet e di se duhet të gjitha institucionet të kenë lektorë, e di po ashtu se ata që e shkelin gjuhën shqipe në përdorim zyrtar dënohen. Po shumë u ha palla atyre. E njëjtë është edhe opozita. As ajo një fjalë s’e ka thënë për gjuhën shqipe. Keli i Tolit më thënë se ata, as të pozitës e as të opozitës,  nuk duan të mësojnë prej fqinjëve si mbrohet gjuha e cila është shtylla e identitetit tonë. Ata janë pushtetarë dhe si të tillë kanë punë më të mëdha. Thonë se do të fillojnë një biznes shumë fitimprurës: tregti me lesh. Pazari qendror, dihet, do të jetë në Tiranë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button