RMV, u kyç në “luftën” me Kovid-19, studentja Veliu: Profesioni ynë human e kërkon këtë!

“Profesionin e kemi human, kjo është ajo që ne e bëjmë çdo ditë, ndihmojmë komunitetin”, tha Revije Veliu, një prej studenteve të vitit të gjashtë të mjekësisë së përgjithshme e cila do të kyçet në mbështetje të frontit të parë në përpjekje për tu përballur me virusin korona në vend, shkruan Portalb.mk.

Studentja Revije Veliu theksoi se ajo së bashku me kolegët e saja, kanë vetë-ofruar ndihmën e tyre deri te kolegët e mjekësisë për shkak të asaj që siç thotë ajo, e kanë pasur parasysh se RMV-ja nuk qëndron mirë në pjesën e kuadrove në fushën e mjekësisë.

“Vendi ynë, po edhe bota në përgjithësi përballet me një krizë të madhe, unë dhe koleget e mi me vetë dëshire u aktivizuam në ndihmë duke e parë situatën, ne u jemi vetë ofruar institucioneve shëndetësore qysh në fillim të pandemisë për të ndihmuar. E kemi parasysh se shteti ynë nuk qëndron mirë financiarisht po edhe ka mungesë të kuadrove në fushën e mjekësisë. Ky është profesioni jonë human , të ndihmojmë komunitetin, na erdhi shuma mirë që do të kontribuojmë sadopak” tha Revije Veliu, studente e vitit të gjashtë në mjekësinë e përgjithshme.

Ajo shtoi se edhe pse nuk e ka përvojën e mjaftueshme për tu përballur me pacientë në situatë pandemie, së bashku me kolegët e saja, kanë qenë të gatshëm të trajtojnë pacientët e infektuar me kovid-19. Megjithatë, përgjegjësitë e tyre do të jenë me shkallë, së pari do të kryejnë punët e epidemiologëve.

Fotografi nga takimi me studentët

“Për arsye se nuk e kemi ende përvojën e punës , përgjegjësit tonë nuk do të na vendosin direkt në luftën kundër virusit , pavarësisht se ne studentët e vitit të gjashtë ishim të gatshëm edhe për këtë, shumë studentë u paraqitën si vullnetarë për tu përballur dhe për të ndihmuar me pacientët e infektuar në trajtimin e tyre. Në rastin aktual do të jemi të kyçur indirekt , gjegjësisht do të përpunojmë anketa përmes telefonit dhe do të mbledhim të dhëna që janë të nevojshme. Pa dyshim mendoj se edhe kjo do të jetë një përvojë në vete” tha Revije Veliu.

Veliu thotë se duhet të merret parasysh fakti që ky virus ende nuk është i njohur mirë për shkencën mjekësore, andaj, kontributi i gjithsecilit është shumë i rëndësishëm në këtë luftë kundër virusit korona.

“Virusi mund të themi se ende nuk është i njohur mirë, kudo në botë po bëhen pa ndalur analiza e kërkime, patjetër se mjekët e ri duhet të konsultohen me ata me përvojë më të madhe, sepse është e kuptueshme se ata kanë më shumë eksperiencë, roli i tyre duhet të jetë ofrimi i ndihmës së nevojshme, të kontribuojnë aq sa munden, të gjithë së bashku duhet ta fitojmë këtë luftë kundër virusit kovid-19” shtoi Veliu.

Si një zinxhir i cili në momentin që këputet, një pjesë rrezikohet, e përshkroi studentja e mjekësisë Veliu luftën me virusin korona, ajo apeloi deri te të gjithë të respektojnë masat dhe të jenë sa më të përgjegjshëm për shëndetin publik.

“Lufta kundër virusit do thosha se shkon sikurse një zinxhir, kudo që të këputet një pjesë rrezikohet. Stafi mjekësor pa dyshim duhet të bëjë të pamundurën (ashtu dhe si po bëjnë), institucionet e sigurisë e policisë të jenë aktiv në kontrollimin se a po zbatohen masat e marra nga popullata, dhe se fundmi shumë e rëndësishme vetëdija qytetare, qytetarët të mbrohen maksimalisht me përdorimin e maskave mbrojtëse, ta ruajnë vetën dhe të tjerët, më saktë të jenë të përgjegjshëm” u shpreh Revije Veliu.

Ndryshe, studentët vitit të gjashtë të mjekësisë së përgjithshme do të mbështesin kolegët e tyre, epidemiologë, në përpjekjet e tyre për t’u përballur me pandeminë e koronavirusit, informojnë nga Ministria e shëndetësisë. Për atë qëllim, të enjten ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe dhe dekanja e Fakultetit të Mjekësisë në Shkup, Sonja Topuzovska, patën një takim me studentët e vitit të gjashtë për të diskutuar përfshirjen e studentëve, mjekëve të ardhshëm, në procesin e përballjes me koronavirusin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button