Ballkoni

Dashnore e dashnoreve, nënë e kujtimeve
për mua je çdo detyrë dhe çdo kënaqësi!
Do të bjerë ndërmend bukuria e përkëdhelimeve,
nuri i mbrëmjeve dhe vatra plot ngrohtësi,
dashnore e dashnoreve, nënë e kujtimeve!

Mbrëmjet ndriçuar nga qymyri plot ngrohtësi,
Dhe mbrëmjet në ballkon, me avuj të trëndafiltë mbuluar!
Ah, sa mirësi zemra jote më rrezatonte, sa butësi!
Shpesh ne patëm thënë gjëra të paharruara;
Mbrëmjeve ndriçuar nga qymyri plot ngrohtësi.

Sa të bukur diejt në mbrëmjet e ngrohta të praruara!
Sa e fortë është zemra! Hapësira pa anë e kënd!
Duke u përkulur mbi ty, mbretëreshë e vashave të adhuruara,
më dukej sikur thëthija, parfumin e gjakut tënd.
Sa të bukur diejt në mbrëmjet e ngrohta, të praruara.

Posi mur i madh gjithnjë më shumë nata nxinte
dhe sytë e mi n’errësirë të tutë donin të gjenin.
O helm, o ëmbëlsi, goja frymën tënde thëthinte!
Në duart e mia vëllazërore këmbët e tua flinin.
Porsi mur i madh gjithnjë më shumë nata nxinte.

E njoh artin për të thirrur minuta lumturie,
të kaluarën pashë tulatur nën gjurin tënd.
Pse të kërkoj më kot bukuritë e tua dalldie,
përveçse te trupi, zemra jote, në tjetër vënd?
E njoh artin për të thirrur minuta lumturie!

Këto betime, aroma, puthje që s’kanë të mbaruar,
nga ky hon i ndaluar për ne a do lindin përsëri?
siç ngjiten në qiell diejt e rinuar,
pasi në detra janë larë, zhytur në thellësi?
O betime! O aroma! O puthje që s’kanë të mbaruar!

Lajme të ngjashme

Back to top button