Evropa me masa të reja kundër pandemisë Kovid-19

Italia, Franca dhe Sllovenia kanë njoftuar se do të shtojnë masat pas rasteve të infektimeve. Qeveria italiane miratoi një projekt-buxhet prej rreth 40 miliardë eurosh për masa të reja kundër koronës dhe forcimin e ekonomisë së sëmurë. Qeveria njoftoi se kabineti kishte miratuar si projektligjin e paraqitur nga Ministri i Financave Roberto Gualtieri për vitin buxhetor 2021 edhe buxhetin shumëvjeçar deri në vitin 2023, raporton Deutsche Welle, njofton Portalb.mk.

Planet parashikojnë “një rritje të konsiderueshme të buxhetit” për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe stabilitetin ekonomik të Italisë. Rreth katër miliardë euro janë planifikuar për sistemin shëndetësor dhe do të përdoren edhe për zgjatjen e kontratave të përkohshme për 30,000 mjekë dhe infermierë. Rreth gjashtë miliardë euro do të jepen për shkollat dhe universitetet, katër miliardë euro janë caktuar për ndihmë në sektorët e përfshirë nga kriza e ekonomisë. Përveç kësaj qeveria e qendrës së majtë të Kryeministrit Giuseppe Conte dëshiron të shtojë fondin e veçantë për papunësinë. Shuma të mëdha janë planifikuar për familjet. Po ashtu një reformë tatimore dhe mbështetje për Jugun e varfër të vendit. Sipas raporteve shpenzimet do të financohen pjesërisht përmes borxhit dhe pjesërisht me ndihmën e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë Situata e pandemisë së koronës në Francë po vazhdon të përkeqësohet prej disa javësh. Por për shkak rritjes së numrit të infektimeve të reja brenda 24 orësh me 32.427  raste ditën e shtunë, një vlerë maksimale kjo që nga fillimi i testimit në shkallë të gjerë në Francë, në vend janë vendosur masa shtetrrethimi  për orët e natës. Gjendja e shtetrrethimit është shpallur për Parisin dhe tetë qytete të tjera më të mëdha dhe nga ora 21:00 deri në 6 të mëngjesit njerëzit lejohen të dalin jashtë vetëm për probleme madhore.

 Nga ana tjetër për shkak të rritjes së shpejtë të numrit të infeksioneve me virusin korona, Ministria e Shëndetit e Sllovenisë e ka ndërprerë gjurmimin e kontakteve të njerëzve që kanë rezultuar pozitivë me korona. Sipas njoftimeve Drejtoritë e Shëndetit nuk janë më në gjendje të përballonjnë numrin e madh të rasteve. Sidoqoftë ata që pas testimit rezultojnë pozitivë do të vazhdojnë të informohen për infeksionin e tyre nga Drejtoritë e Shëndetit dhe të urdhërohen të hyjnë në karantinë dhe të informojnë personat që kanë qenë në kontakt. Në Slloveni u bënë të njohura të dielën 726 infeksione të reja me virusin korona, kurse një ditë më parë ishin regjistruar 897 raste. Numri i rasteve aktive në këtë vend me dy milion banorë pothuajse është dyfishuar brenda një jave.

Ndërkohë në të gjithë botën që prej fillimit të pandemisë 39 596 858 janë infektuar nga virusi kovid-19, ndërsa kanë vdekur 1,107,374 persona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button