Dita ndërkombëtare e bioetikës dhe teknologjia për reproduktim artificial
Shkruan: Arta Selmani Bakiu.
Në vitin 2016 UNESCO ka shpallur 19 tetorin Ditë ndërkombëtare të Biotikës, ndërkaq Republika e Maqedonisë së Veriut që nga viti 2007 është anëtare e “Rrjetit Ndërkombëtar të UNESCO-s për Bioetikë” me seli në Universitetin e Haifes në Izrael. Universiteti i Evropës Juglindore ka një rol të veçantë në këtë drejtim, sepse ndjek dhe realizon shumë aktivitete nëpërmjet Njësisë për bioetikë që funksionon në kuadër të Universitetit.
Bioetika paraqet një disipline e cila në vete integron shumë lëmi me qëllim të përmbledhjes, analizimit, sistemimit dhe rregullimit të shumë çështjeve nga fusha e mjekësisë, të drejtës psikologjisë, etikës, sociologjisë, filozofisë, madje edhe religjionit me qëllim të ofrimit të zgjidhjeve konkrete për të gjitha pyetjet si pasojë e sfidave të reja jetësore. Në kuadër të bioetikës shqyrtohen dhe analizohen shumë tema, siç janë: zënia dhe lindja e fëmijës (reprodukimi artificial, kontracepcionet, sterilizimi); gjenetika; të gjitha çështjet lidhur me embrionin e njeriut (statusi juridik i embrionit, eksperimentet me embrionin), etj. Revolucioni në shkencë dhe teknologji e në veçanti në biomjekësi dhe mjekësinë klinike, janë ndër arsyet bazike për paraqitjen e bioetikës. Teknologjitë e reja kanë mundësuar fitimin e fuqisë së krijimit të jetës, ndikimin në potencialin gjenetik të individit, metoda të reja për diagnostifikimin dhe shërimin e shumë sëmundjeve, mënyra të reja për jetëgjatësinë dhe ruajtjen e jetës; lindjen e fëmijëve në mënyrë artificiale; krioprezervimin e trupit, organeve, materialit gjenetik, embrionit, si dhe shumë metoda të reja biomjekësore.
Një ndër temat nga e drejta familjare shumë me interes viteve të fundit e që ka lidhje të ngushtë edhe me bioetikën, është themelimi i familjes përmes teknologjisë së reprodukimit artificial. Reprodukimi i familjes më nuk paraqet çështje e cila është jashtë kontrollit të njeriut. Lindja e fëmijës ka tejkaluar atë që quhet natyrore, mu për shkak të metodave të shumta biomjekësore që i kanë në dispozicion individët. Ajo që dikur llogaritej një proces natyror për zënien e fëmijës, në kohën e sodit, paraqet një transformim të vetëdijshëm dhe të planifikuar në jetën e njeriut në momentin kur ai vendos të merr rolin e prindit. Prandaj, të gjithë personat të cilët dëshirojnë të kenë fëmijë, mirëpo për shkak të disa indikacioneve mjekësore janë të penguar të plotësohen si prindër, biomjekësia ua ka mundësuar zbatimin e teknologjisë së reprodukimit artificial. Inseminimi artificial, in vitro fekondimi, amësia surrogate, reprodukimi posthuman dhe metodat tjera për reprodukim artificial kanë bërë të mundur që çiftet infertile të bëhen prindër. Ndërlidhur me këto dhe shumë çështje tjera të ngjajshme, imponohet nevoja që e drejta familjare të merret me analizën e implikimeve juridike të reprodukimit artificial. Si pasojë e zbatimit të këtyre metodave për lindjen e fëmijëve, në të drejtën familjare shtrohet nevoja për ridefinimin e nocioneve juridike të familjes dhe prindërisë. P.sh, me rastin e lindjes së një fëmije nëpërmjet ndonjërës prej metodave për reprodukim artificial vendoset në pikëpyetje çështje e prindërisë gjenetike, prandaj e drejta familjare duhet të jep përgjigje lidhur me amësinë/ atësinë e atij fëmije. Të gjithë e kemi të njohur faktin se prindëria gjenetike si bartje e gjeneve tek fëmija është bazë për gjininë e gjakut. Në të kaluarën, zënia e fëmijës është bërë vetëm në rrugë biologjike. Lidhja gjenetike në këtë drejtim ka qenë shumë e rëndësishme midis prindërve dhe fëmijëve. Me paraqitjen dhe aplikimin e metodave të reprodukimit artificial, koncepti biologjikë i lindjes së fëmijëve nuk është më unik dhe i vetëm, prandaj këto metoda imponojnë ndryshimin e konceptit tradicional të prindërisë. Në këtë rast, lidhur me konceptin e amësisë dallojmë: 1.nënën biologjike dhe gjenetike (gruaja e cila e siguron qelizën vezë dhe e lind fëmijën); 2. nënën gjenetike (gruaja e cila e siguron qelizën vezë mirëpo nuk e lind fëmijën); 3. nënën gestacionale (gruaja e cila e lind fëmijën por nuk e vë në dispozicion qelizën vezë- amësia surrogate); 4. nënën jobiologjike/juridike (gruaja e cila përkujdeset për fëmijën, por nuk është e lidhur gjenetikisht e as e ka lindur fëmijën- adoptimi). Është me rëndësi të theksohet se, që nga e drejta romake ka ekzistuar parimi se “Nëna çdoherë është e njohur” Mater semper certa est, pra nëna konsiderohet gruaja që e lind fëmijën, parim ky në të cilin nuk mund të thirremi në situatat e zbatimit të teknologjisë së reprodukimit artificial, për shkak se, jo çdoherë nënë konsiderohet gruaja e cila e lindën fëmijën.
Dilemat serioze të cilat na imponon bioetika dhe lidhur me të cilat ligjdhënësit duhet të gjejnë përgjigje dhe rregullim juridik janë: çështjet mbi respektimin e të drejtës në anonimitet të donatorëve të materialit gjenetik, të drejtat e shfrytëzuesve të fekondimit të asistuar biomjekësor, statusin juridik të fëmijëve të lindur me anë të këtyre metodave, të drejtat prindore, konfliktet që burojnë nga e drejta e fëmijës për të njohur prindërit e tij biologjikë dhe të drejtën e anonimitetit të donatorit, rregullimin e mundësisë së kryerjes së eksperimenteve shkencore me embrionet njerëzore, parandalimin e komercializimit t ë procesit reprodukues, ridefinimin e konceptit të familjes dhe prindërisë si dhe një numër të madh çështje tjera.
Këto janë vetëm disa tema që ndërlidhin bioetikën me të drejtën. Prandaj, në aspektin juridik, bioetika duhet të jep përgjigje në pyetjet të cilat imponojnë zhvillimet e hovshme të shkencës dhe teknologjisë, por që etika i bllokon. E drejta duhet të vendos një baraspeshë midis asaj çka është e lejuar në dobi të përmirësimit të jetës së njeriut dhe asaj çka është e ndaluar në drejtim të shkatërimit të aspektit natyror të vazhdimësisë së jetës, gjithnjë duke pasur parasyshë ambicjet, potencialin dhe energjinë e njeriut lidhur me zbatimin e të arriturave shkencore dhe teknologjike.