ANALIZË: Ndërmarrjet publike: me dhjetëra mijëra të punësuar dhe borxhe milionëshe – a do të vihet nën kontroll puna e tyre?

Ato janë të renditura shumë lartë në listën e “punëdhënësve më të mëdhenj”, në periudhën paszgjedhore kanë qenë në rolin e ndërmarrjeve që janë punësuar kuadro partiake, ndërsa nga ana tjetër gjenerojnë borxhe milionëshe, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Disa nga ndërmarrjet publike, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror, nuk arritën të riorganizohen dhe evropianizohen në të gjitha aspektet. Paralajmërimi i privatizimit ose partneriteti publik-privat i disa prej NP-ve aktuale – humbëse, e hapi çështjen e vështirë – a do të jetë më në fund shteti në gjendje t’i japë fund punës aktuale të ndërmarrjeve problematike?

Deri në 62% të NP-ve të formuara nga qeveria dhe firmat shtetërore – në minus …

Në nivelin qendror, Qeveria zotëron 14 ndërmarrje publike dhe 15 shoqëri tregtare – madje 18 prej tyre ose 62% treguan humbje në gjysmën e parë të këtij viti.

Sipas shumës së humbjeve, në vend të parë me 16.1 milion euro është Sh.A. “Termocentralet e Maqedonisë së Veriut“, humbje prej 3.2 milion euro tregoi edhe ndërmarrja shtetërore “MEPSO”, ndërsa në vendin e tretë me humbje prej 2.2 milion euro është Sh.A. “M – NAV”.  Këto kompani në përgjithësi i justifikojnë treguesit e këtillë financiarë për shkak të krizës së Kovid-19 dhe ato nuk gjenden në listat e borxhlinjve të DHP-së dhe të Ministrisë së Financave si borxhlinj për tatime të papaguara ose kontribute të papaguara të rrogave – përkundrazi, disa nga këto kompani edhe në kohë krize shëndetësore ndanë mjete për punonjësit, si p.sh. K15, ndërsa rrogat në shumë raste janë mbi mesataren e vendit.

Megjithatë, në shoqërinë e këtyre kompanive janë edhe ato që mbajnë shenjën e “humbësve kronikë”. Kështu, Sh.A. “HM – Transporti” – Shkup tregon humbje prej 2 milion euro, NP “Pyjet kombëtare” – Shkup 1.3 milion euro, NP “HM – Infrastruktura” në fund të qershorit raportoi një deficit prej 808,000 euro, Sh.A. “Ekonomizimi me ujërat e R. Të Maqedonisë së Veriut” – Shkup 500,000 euro, NP “Zletovica” – Probistip gati 600,000 euro, Sh.A. Për ndërtimin dhe menaxhimin me hapësirat banesore dhe afariste  me një minus prej 700,000 euro.  Është interesante që kjo e listë e përfshin edhe Sh.A. “Posta e R. të Maqedonisë së Veriut”, por për të nuk është publikuar asnjë tregues për të ardhurat dhe shpenzimet në gjysmën e parë ekonomike, prandaj në kolonën e humbjes/fitimit është shkruar “00”. Vitin e kaluar, “Posta” raportoi humbje prej 1 milion euro. Për dallim nga ndërmarrjet shtetërore dhe NP-të e formuara nga Qeveria që treguan humbje, gjashtë muajt e parë të vitit ishin fitimprurëse për 11 të tilla, mes tyre NPTR “Radio dhe Televizioni Kombëtar“, Sh.A.” Lotaria shtetërore“, NP “Gazeta Zyrtare“, Sh.A. “Burimet kombëtare të energjisë” ose “NER”.

Ndërmarrjet publike – në listat e borxhlinjve, si në DHP ashtu edhe në Ministrinë e Financave 

Kontributet e papaguara të rrogave, tatimet e papaguara – për këto arsye një pjesë e madhe e borxhlinjve në listën e DHP-së janë ndërmarrje publike dhe kompani shtetërore, edhe atë jo vetëm në nivelin qendror, por edhe në atë lokal.

Kështu, në njëzet borxhlinjtë më të mëdhenj janë “Komunalec”-i nga Gostivari, i cili ka borxh për TVSH-në dhe në bazë të kontributeve të rrogave – në vlerë të përgjithshme prej 3.6 milion euro deri në fund të shtatorit të këtij viti. Në vend të lartë për nga borxhi është edhe NP për mirëmbajtjen e rrugëve magjistrale dhe rajonale me një borxh prej 3.4 milion euro, Pyjet kombëtare me 2.7 milion euro borxh për tatime, Ndërmarrja Publike Komunale – Tetovë me një borxh prej 2.5 milion euro, e në këtë listë prej vitesh është edhe kompania shtetërore “11 tetori – Eurokompozit” – Prilep, me një borxh prej 900,000 euro.

Pikërisht për “Eurokompozit”-in, së bashku me Hekurudhat e Maqedonisë, TC Negotinë dhe “Postën”, qeveria njoftoi se do të kërkohet zgjidhje – privatizim ose partneritet publik-privat.

“Portalb”-i tashmë ka analizuar se ndërmarrjet publike janë lartë në listën e borxhlinjve me detyrime të prapambetura dhe të papaguara edhe ndaj Ministrisë së Financave – kështu borxhe milionëshe ka raportuar Ndërmarrja Publike Komunale – Tetovë, në vlerë prej 4 milion euro, Ndërmarrja Publike Ujësjellësi – Ohër me 1.2 milion euro, NP Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Strugë me detyrime të prapambetura dhe të papaguara në vlerë prej 1,1 milion euro, Ndërmarrja Publike Komunale – Kërçovë me një borxh prej gati 960,000 euro, NP – “Komunalec” Sveti Nikole me afro 800,000 euro, deri në fund të qershorit të këtij viti.

Një pjesë e NP-ve dhe një pjesë e ndërmarrjeve shtetërore, megjithëse po zhyten në humbje, përsëri paraqesin adresë punësimi sipas çelësit partiak dhe në të njëjtën kohë renditen shumë lartë sipas numrit të të punësuarve. Sipas informatave nga Regjistri i Punonjësve të Sektorit Publik, në vitin 2019 vetëm në shoqëritë aksionare në pronësi të shtetit, ishin të punësuar gjithsej 8,800 persona, nga të cilët 8,545 për kohë të pacaktuar, 83 për kohë të caktuar dhe 172 përmes agjencive për punësim të përkohshëm.

Në vend ka 141 ndërmarrje publike, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror, dhe në vitin 2019 atje kishte 18,026 të punësuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button