Shqetësim në gjithë botën për rritjen e rasteve të koronavirusit

Numri i infeksioneve me koronavirus në gjithë botën ishte të shtunën në mbi 39.3 milionë, ndërsa mbi 1.1 milionë kanë vdekur, sipas Universitetit Johns Hopkins. Shtetet e Bashkuara kanë mbi 8 milionë infektime, numri më i lartë në gjithë botën, si edhe numrin më të madh të viktimave nga COVID-19, me mbi 218,000 të vdekur.

Fluksi në Shtetet e Bashkuara i atribuohet rritjes së niveleve të infeksionit në shtetet e Teksasit, Ilinoit, Uiskonsit, Floridës dhe Kalifornisë, sipas të dhënave të mbledhura nga Johns Hopkins, shkruan Zëri i Amerikës.

India ka 7.4 milion raste dhe ka gjasa që t’ia kalojë së shpejti Shteteve të Bashkuara, pasi numri i infeksioneve po rritet me shpejtësi.

Pjesë të Francës filluan zbatimin e kufizimeve të reja të shtunën në përpjekje për të frenuar koronavirusin. Në Paris dhe të paktën shtatë qytete të tjera, përfshirë Lion, Grenoble, Aix-en-Provence, Montpellier, Lille, Rouen dhe Saint-Étienne do të ketë ndalim-qarkullim nga ora 9 deri në 6 të mëngjesit.

Belgjikë do të vendoset ndalim-qarkullimi nga e hëna nga ora 12 e natës në 5 të mëngjesit për të frenuar fluksin në rritje me raste të COVID-19. Përveç kësaj, Belgjika ka urdhëruar që të gjitha kafenetë, baret dhe restorantet të mbyllen, duke filluar nga e hëna.

Rastet e përditshme të COVID-19 kanë arritur nivele rekord në të gjithë botën, veçanërisht në Evropë dhe kontinentin amerikan, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë të Premten.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha gjatë një konference për shtyp të premten në Gjenevë se një numër rekord rastesh u raportuan në secilën prej katër ditëve të fundit.

“Duhet të kemi parasysh se kjo është një pandemi e pabarabartë,” tha Ghebreyesus. “Vendet kanë reaguar ndryshe dhe vendet janë prekur ndryshe. Pothuajse 70% e të gjitha rasteve të raportuara në shkallë globale javën e kaluar ishin nga 10 vende, dhe pothuajse gjysma e të gjitha rasteve ishin nga vetëm tre vende.”

Maria Van Kerkhove e OBSH-së u tha gazetarëve të Premten se 80% e vendeve të Evropës po përjetonin rritje të ndjeshme në rastet e COVID-19.

Britani, ku Universiteti Johns Hopkins raportoi gati 19,000 raste të reja të premten, Kryeministri Boris Johnson paralajmëroi se do ta detyronte Mançesterin e Madh të vendoste nivelin më të rreptë të kufizimeve të koronavirusit të vendit pasi zyrtarët lokalë refuzuan të vendosnin kufizime në zonat me norma të larta infektimi.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe guvernatorët e 16 shteteve të vendit kanë rënë dakord të vendosin një raund të ri kufizimesh në mbarë vendin pasi panë raste të reja rekord të COVID-19. Kufizimet përfshijnë mbylljen herët të bareve dhe restoranteve dhe kufizimin e numrit të njerëzve që lejohen të mblidhen në publik.

Merkel tha të Premten se një samit i planifikuar i Bashkimit Evropian mbi politikën e Kinës të bllokut 27-vendesh në Berlin muajin e ardhshëm ishte anuluar për shkak të pandemisë së ringjallur.

Italia raportoi më shumë se 10,000 infeksione të reja gjatë 24 orëve të fundit të premten, numri më i lartë ditor që nga fillimi i pandemisë në vend. Italia ka numrin e dytë më të lartë të vdekjeve në Evropë pas Britanisë, duke raportuar më shumë se 36,400 vdekje që nga fillimi i pandemisë në shkurt.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button