fbpx

Mosmarrëveshja me Bullgarinë – Dimitrov thotë se po punohet intensivisht për zgjidhje, Mickoski kërkoi takim liderësh

Zv/kryeministri për çështje evropiane në Maqedoninë e Veriut, Nikolla Dimitrov, vlerësoi se anëtarësimi i vendit në Bashkimi Evropian është qëllimi kryesor që nga pavarësia e vendit, duke theksuar se për realizimin e saj duhet këmbëngulje, transmeton Portalb.mk.
Ai theksoi se përkundër sfidës me Bullgarinë, po përgatiten për mbajtjen e konferencës së përbashkët gjatë këtij viti.

“Gjithashtu nuk është sekret se kemi sfidë me fqinjët tanë, me Bullgarinë fqinje. Por, unë jam i bindur se të gjitha vendet anëtare janë të vetëdishëm, në veçanti fqinjët, se jemi para një zgjedhje të thjeshtë – ose do të kemi sukses të përbashkët ose do të kemi përmbysje të përbashkët, sepse mos suksesi nuk do të jetë vetëm maqedonas, por do të jetë edhe për imazhin evropian për Bullgarinë, por para se gjithash për vetë Evropën dhe vlerave të saja thelbësore. Ne përgatitemi për skenar të suksesshme dhe fitues”, deklaroi Dimitrov.

Ai nuk vlerëson se puna e komisionit të përbashkët është e pasuksesshme, posaçërisht nëse për pikë referuese merret fakti se komisione të këtilla nga vende të tjera punojnë me dekada.

“Mendoj se komisioni maqedono – bullgar punon në mënyrë produktive. Është e saktë se nuk kemi shumë kohë, bëhet fjalë për disa javë. Njëkohësisht, është e jona që të sqarojmë për pozicionet tona, ta sqarojmë investimin. Ka shumë ambicie në Berlin që ky proces të ketë sukses. Kancelarja Merkel ka thënë publikisht në Parlamentin Evropian se një ndër prioritetet më të mëdha në aspektin e politikës së jashtme të kryesimit gjerman është të fillojnë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe ka shtuar se nëse ajo është e mundshme dhe përmbushen kushtet e parashikuara në mars edhe për Shqipërinë. Kështu që, mendoj se ka mirëkuptim të plotë për pozicionet tona që nuk do të thotë se ne duhet të ndalojmë absolutisht me përpjekjet maksimale të gjejmë mirëkuptim edhe me Bullgarinë në korniza dhe për çështjet për të cilat është i mundur mirëkuptimi. Këtu sigurisht nuk bëjnë pjesë identiteti dhe gjuha maqedonase”, tha Dimitrov.

Ndërkohë, lideri i VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka kërkuar takim liderësh për diskutimin e çështjes së kontestit me Bullgarinë, si dhe për zhvillimet e tjera aktuale në vend.

“E shfrytëzoj këtë rast t’i ftoj liderët e partive relevante politike, të ulemi dhe të flasim hapur për çështjen që është sot aktuale, ndërsa ajo është negociatat me fqinjin tonë lindor. Ajo është shumë e rëndësishme. Si VMRO-DPMNE, i ftojmë të gjitha partitë relevante politike të ulemi në takim liderësh dhe të flasim për të gjitha çështjet aktuale të rëndësishme politike, që duhet ta përcaktojnë ardhmërinë e qytetarëve maqedonas dhe të Maqedonisë si shtet. Këtu para së gjithash mendoj në zhvillimet rreth negociatat me fqinjin tonë lindor, por edhe në regjistrimin, në katastrofën në ekonomi, debaklin në arsim”, tha mbrëmë Mickoski.

Në lidhje me takimin dy ditore të komisionit të përbashkët bullgaro-maqedonas, Mickoski theksoi se profesorët që janë pjesë e atij komisioni nuk kanë marrëveshje në çështjet thelbësore.

“Nëse me histori të përbashkët nënkuptojmë dy popuj të ndryshëm, dy popuj të posaçëm kanë pasur në të kaluarën momente të përbashkëta, ndërsa ato janë populli maqedonas që ka luftuar për shtetin e vet të pavarur maqedonas dhe populli bullgar duke luftuar për shtetin e vet bullgar, atëherë po mund të pajtohemi me atë se në periudhë të caktuar kemi histori të përbashkët, por pasi Bullgaria të pranojë veçantinë e popullit maqedonas, i cili në atë interval kohor historik është i veçantë nga populli bullgar dhe ka luftuar për shtet e vet të veçantë të pavarur maqedonas”, tha Mickoski.

Gjuha, sikurse edhe shumë çështje të tjera historike vlerësohen si pengesë bullgare në rrugëtimin eurointegrues të Maqedonisë së veriut. Dje, Anëtarët e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në Komisionin e përbashkët për çështjet e historisë dhe arsimit, edhe pas dy ditëve takim në Shkup, akoma nuk kanë gjetur zgjidhje të përbashkët për disa çështje. Anëtari bullgar i komisionit, Angell Dimitrov, raportoi se në lidhje me gjuhën nuk është folur, ndërsa në fund u paralajmërua se sivjet do të ketë edhe një takim të Komisionit në Sofje.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close