Vaksina Sputnik V dhe imunizimi

Që nga zbulimi i parë i vaksinës, qeveritë shpesh kanë investuar në zbulimet, megjithëse në mënyrë të pabarabartë dhe jo të plotë. Fillimisht vaksinat konsideroheshin një çështje e krenarisë dhe prestigjit kombëtar të shteteve. Shpërndarja e vaksinave ose ndarja e mjeteve financiare nga buxhetet e shteteve që vlerësohen si lidere në zbulime dhe të reja, e ndihmojnë njerëzimin të rimëkëmbet së bashku nga pasojat e sëmundjeve ngjitëse. Megjithatë, në marrëdhëniet ndërkombëtare, shtetet nuk janë aq miqësore, por interesi shtetërorë përherë ka triumfuar në garën e shteteve në sistemin ndërkombëtar.

  1. Ndarjet në mes Fuqive të Mëdha, tani po mprehen ndërsa shtetet kërkojnë të fitojnë avantazh ekonomik dhe gjeopolitik përmes teknologjisë së zbulimeve në fushën sëmundjeve ngjitëse siç është rasti me virusin Covid-19. Dallimet në rolin e shtetit, liritë politike, individuale, shpërndarja e burimeve dhe kapacitetet shkencore dhe teknologjike po ndryshojnë rendin ndërkombëtar dhe padyshim era e re e nacionalizmit ekonomik dhe teknologjik ka prekur dhe Ballkanin Perëndimor. Përderisa pandemia këto trende të reja i ka mprehur edhe më shumë, shtetet janë duke luftuar për të frenuar shpërthimet e reja të sëmundjes për të mbajtur ekonominë e tyre stabile, ndërsa konkurrenca edhe më tej midis tyre po bëhet agresive.

Zbulimi i vaksinës për herë të parë nga Eduard Xhener në vitin 1790 në Angli, ishte në të vërtetë simbolika e një shteti të parë që zbuloi dhe zhvilloi një zgjidhje të sigurtë dhe të efektshme mjekësore të pandemisë globale në atë kohë. Në fakt, ky zbulim nxiti një konkurencë globale të prodhimit të vaksinave nga shtetet që ishin fuqi në rang botërorë. Siç dihet, qeveritë dhe shtetet luftojnë për prestigj ndërkombëtar, promovim të nacionalizmit tregtar të prodhimeve vendore dhe padyshim të zbulimeve në mjekësi dhe industrinë farmaceutike.

Në këtë linjë, Komisioni Europian (KE) ka nënshkruar dy kontrata të para për të lejuar blerjen e një vaksine, pasi ishte provuar e sigurtë dhe efikase, me AstraZeneca dhe Sanofi-GSK. Bisedimet përfunduan me Johnson-Johnson më 13 gusht, me CureVac më 18 gusht, Moderna më 24 gusht dhe BioNTech më 9 shtator. Pra siç shihet BE është në mesin e një konkurence globale në mes SHBA-së, Rusisë dhe Kinës për blerjen e milionave dozave të vaksinave kundër Covid-19. BE nuk është vetëm një aktorë blerës por edhe aktor në zbulimin e vaksinës, ajo më 17 qershor të këtij viti paraqiti një strategji europiane për vaksinën.

Në këtë konkurencë të re, Rusia po garon ashpër me prodhimet ruse si EpiVacCorona dhe Sputink V, ku Moska paraqitet si lojtarë kryesorë në nacionalizmin e zbulimit të vaksinës. Mirëpo, dyshimet e BE-së dhe SHBA-së për testimet e vaksinës e bëjnë të pasigurtë në aplikimin global të vaksinës ruse.

Megjithatë, Rusia dhe Kina nxitojnë të mbushin vakumin me vaksinat kundër Covid-19 të lëna mënjëanë nga perëndimi dhe shtetet tjera të intreresuara për një vaksinë të sigurtë. Londra ka njoftuar për propagandën ruse kundër vaksinës që zhvillohet në laboratoret e Oksfordit si një vaksinë e rrezikshme. Rusia dëshiron që ta shesë Sputink V. Kompania farmaceutike amerikane Pfizer dhe BioTech kanë njoftuar se në fund të nëntorit mund të paraqesë kërkesë pranë autoriteteve amerikane për përdorimin e vaksinës kundër Covid-19.

Këtu, Maqedonia e Veriut (MV) ka bërë kërkesë tek autoritet ruse për vaksinën Sputnik V. Mirëpo, pasi blerja e vaksinës është çështje e sigurisë kombëtare, implikimet e MV-së, nëse do të vendosë që të jetë partner rus në vaksinë, do të ishin të dukshme dhe poshtëruese për SHBA dhe BE. Qeveria e MV-së ka parashtruar një kërkesë tek autoritetet europiane për blerjen e 800.000 mijë dozave të Remdesivirit për të trajtuar të sëmurët me Covid-19. Kontrata e mundshme e MV-së me kompaninë ruse për vaksinën Sputnik V pa i tejkaluar të gjitha procedurat e testimit klinik, do të ishte katastrofale dhe gjeopolitikisht e dëmshme për një shtet anëtarë i NATO-s. Autoritetet e Shkupit nuk mund ta kopjojnë Serbinë që të qëndrojnë në mes Perëndimit dhe Kremlinit.

  1. Tani le t’i kthehemi fushatës së imunizimit kombëtar dhe global: Frymëmarrje dhe tingujt dallues të kollës së thatë, fëmijë të paralizuar nga poliomieliti dhe anomali shkatërrimtare të lindjeve të shkaktuara nga rubeola, ishin pamjet që specialistët e sëmundjeve ngjitëse dëshmonin gjatë pandemive. Për shumicën e amerikanëve dhe qeverisë në Uashington e cila po merrte statusin e një fuqie botërore, mijëra fëmijë të prekur nga paraliza dhe sëmundjet e mushkërive paraqitnin njëkohësisht frikë nga sëmundjet e errëta të mesjetës.

Institucionet publike shëndetësore nga rreziku i përhapjes së sëmundjeve, vendosën përdorimin e vaksinave dhe fushata e imunizimit shpejt u bë pjesë integrale e shëndetit publik dhe të sigurisë kombëtare. Në Europën Perëndimore dhe Amerikën e Veriut gjatë shek.19, vaksinimi kundër lisë u bë i detyrueshëm.

Në shek. e 20, standarded e imunizimeve të fëmijëve, kundër difterisë, fruthit dhe rubeolës, para se të fillonin nxënësit klasën e parë, u bënë gjithashtu të detyrueshme. Pra, imunizimi është një histori globale e suksesit të shëndetit dhe zhvillimit, duke shpëtuar miliona jetë çdo vit dhe që duhet të vazhdohet pasi të jetë zbuluar vaksina kundër Covid-19, duke filluar me grup moshat më të rrezikuara dhe rastet e veçanta.

Sipas OBSH-së, sot në botë ekzistojnë vaksina për të parandaluar më shumë se 20 sëmundje të rrezikshme për jetën, duke ndihmuar njerëzit e të gjitha moshave të jetojnë më gjatë. Imunizimi aktualisht parandalon 2-3 milion vdekje çdo vit nga sëmundje si difteria, tetanozi, pertusisi, gripi dhe fruthi.

Imunizimi është një përbërës kryesor i kujdesit shëndetësor parësor dhe një e drejtë e padiskutueshme e njeriut. Sipas, OBSH-së, vaksinat janë gjithashtu thelbësore për parandalimin dhe kontrollin e shpërthimeve të sëmundjeve infektive. Ata mbështesin sigurinë globale të shëndetit dhe do të jenë një mjet jetësor në betejën kundër rezistencës antimikrobike. Megjithë përparimin e jashtëzakonshëm, shumë njerëz në të gjithë botën përfshirë gati 20 milion foshnje çdo vit nuk kanë qasje të mjaftueshme në vaksina.

Andaj, mbulimi i vaksinimit global kundër Covid-19, do të zhvillohet paralel me garën globale të nacionalizmit dhe prestigjit të zbulimeve të shteteve dhe atyre që do të gjenden në mes të kësaj gare globale.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button