Sot 148-të raste të reja në Kosovë, ministri Zemaj paralajmëroi shqyrtim të situatës në pikat kufitare

Në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit janë realizuar 1028 testime, prej të cilave pozitiv kanë rezultuar 148-të, raporton Portalb.mk. Ndërkohë janë shëruar 56 pacientë të infektuar me virusin korona. Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj sot kërkoi gjithashtu që insititucionet aktivitetin e tyre ta kalojnë në formë online.

“Janë testuar gjithsej 1028 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 148 raste pozitive. Brenda 24 orëve nuk është raportuar asnjë rast i vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv”, raportojnë nga Instituti.

Instituti raportoi se në këtë periudhë nuk është regjistruar asnjë viktimë me virusin korona.

“Numri total i rasteve pozitive është 16.754 raste nga 79.189 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 652 raste të vdekjes. Ndërsa i të shëruarve është gjithsej 14.617 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1.485”, raportojnë nga Instituti.

Instituti raportoi gjithashtu se rastet e reja vijnë nga komuna Prishtinë 66 raste, komuna Gjilan 14 raste, komuna Mitrovicë 14 raste, komuna Fushë Kosovë 10 raste, komuna Deçan 6 raste, komuna Drenas 6 raste, komuna Pejë 6 raste, komuna Prizren 5 raste, komuna Vushtrri 5 raste, komuna Lipjan 4 raste, komuna Ferizaj 2 raste, komuna Shtime 2 raste, komuna Skenderaj 2 raste, komuna Viti 2 raste dhe me nga një rast komunat Kamenicë, Malishevë, Novobërdë dhe Podujevë.

Armend Zemaj, ministri i shëndetësisë në Kosovë dje paralajmëroi se është duke prit vlerësimin e gjendjes në pikat kufitare, duke e marrë parasysh se kufiri Kosovë-Maqedoni e Veriut është hapur më 12 tetor.

“Në takimin e sotëm me Bordin Këshillëdhënës, nga çështjet e veçanta, deklarova se e pres një vlerësim të situatës nga pikat hyrëse kufitare”, deklaroi Zemaj. Ai dje gjithashtu raportoi se së bashku me inspektorët kanë mbyllur disa kafene për shkak të mosrespektimit të masave.

Kosova tashmë ka rritur numrin e testeve të realizuara, duke marrë parasysh se edhe laboratorët privat janë duke kryer testime të tilla, ndërkohë 100 mijë teste Kosova i pranoi këtë javë nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur.

“Të gjitha institucionet qendrore dhe lokale, duhet t’i ndalin urgjentisht seminaret, punëtoritë dhe format tjera të organizimit ku ka grumbullim njerëzish, sikurse edhe veprimtaritë e ndryshme, të panevojshme. Rekomandohet të përdoren format on-line të takimeve, të punës dhe aktivitetet tjera”, deklaroi Zemaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button