Mësimi online

Edukimi është pasaporta drejtë të nesërmes, sepse e nesërmja ju takon atyre që përgaditen për të sot. Edukimi i mendjes pa edukimin e zemrës s’mund të quhet fare edukim; nga bota e re që po strukturohet brenda këtyre dy thënieve ziejnë shumë të vërteta.

Virusi i cili shkaktoi pandemi globale siç është Covid19 ka prekur jo vetem shëndetin e njerëzve, por ai njëkohësisht ka goditur çdo pore të formës së jetës së njerëzve përfshi këtu edhe arsimimin, si njëra nga shtyllat kryesore të çdo shoqërie dhe tē nesërme tē shëndoshë. Ky virus përveç se obligoi larjen e duarve dhe mbajtjen e maskave, ai ndërpreu edhe mësimdhënien klasike duke e imponuar me çdo kusht mësimdhënien në distancë, tē drejtëpërdrejtë, përmes syrit të kameras dhe imazheve kompjuterike. Mësimi në distancë përnjëherësh u bë një nga sfidat kryesore të trekëndëshit të famshëm nxënës, mësimdhënes, prind dhe të gjithë organizimit brenda shtetëror në lidhje me arsimimin. Ky sistem i ri pune ka sfiduar edhe sistemet më të avansuara arsimore dhe informatat që janë përcjellë anë e kënd globit janë se kjo formë e nxënies së dijeve nga ana e nxënësve lë shumë për të dëshiruar.

Vendi ynë si një nga vendet që kanë problem në vendosjen e prioriteteve, në mes të një pandemie shpalli zgjedhje pak muaj para fillimit të vitit të ri shkollorë, të një viti shkollorë nga më sfiduesit në historinë e arsimit. Kjo bëri që edhe formimi i mekanizmave ekzekutiv, vendimarrës në arsim të vonoj. Vonoi vendosja e një forme se si do ecet në arsim këtë vit, vonoi fillimi i vitit të ri shkollorë, vonoi trajnimi i mësimdhënësve të cilët duhet ta vendosin në praktikë mesimdhënien në distancë përmes programeve tashmë të njohura kompjuterike, u vonua edhe mirëinformimi i nxënësve, atyre për të cilët bëhet i gjithë organizimi online, normalisht me dilema ngelën edhe prindërit dhe në vështirësi pa fund mbetën edhe udhëheqësit e shkollave të cilët e kanë barën e organizimit të të gjithë procesit.

Shkollat me ata pak mundësi që kanë janë munduar që të krijojnë kushte për mbarvajtje të këtij procesi duke selektuar nxënësit me status të rezikuar social si dhe duke ju shpërndarë të njejtëve pajisje elektronike në formë donacioni nga donator të ndryshëm përmes të cilave ato do mund të lidheshin me shokët dhe mësimdhënësit e tyre. Përforcimi i rrjetit të internetit dhe plotësimi i klasëve me kompjutor ka qenë një tjetër sfidë brenda institucionale.

Mësimdhënësit nga ana e tyre kanë bëre më të mirën e mundëshme edhe përskaj paqartësive dhe të panjohurave pa fund të një procesi të koklavitur dhe kokçarës. Ata kanë vënë në përdorim edhe pajisjet e veta elektronike personale dhe i janë nënshtruar këtij procesi që kërkon dy herë më shumë angazhime dhe punë pa asnjë qindarkë shtesë; ndërsa vetë nxënësit dhe prindërit duke patur parasysh rëndësinë e edukimit dhe arsimimit kanë bërë më të mirën që e gjitha të funksionoj sipas dinamikës tashmë të paraparë edhe pse e gjitha kjo ka rënduar buxhetet familjare kur dihet se ka familje me disa nxënës në shkollë, e që prindërit për dallim nga vitet tjera është dashur që përveç se si zakonishtë të harxhojnë në mjete shkollore, ata këtë vit kanë bërë pajisjen e fëmijëve me pajisje elektronike, me internet të mirë, si dhe është dashur të krijojnë edhe kushte në shtëpi për mësimnxënie.

Njeriu është qenie shoqërore dhe si i tillë nuk mund të funksionoj i vetëm në shoqëri, prandaj edhe përpekjet për të individualizuar skajshmërisht qenien njeri duken të dështuara. Si më të goditur në të gjithë këtë katrahurë në distancë janë nxënësit kur dihet se shkollimi nuk është vetëm arsimim, por edhe edukim në veçanti. Shekulli 21 është i teknologjisë së lartë, internetit, robotikës, i globalizimit të gjithanshëm; procese këto që kanë revolucionarizuar gjithçka, përfshirë edhe arsimin.

Mangësitë e një mësimi në distancë janë të shumta dhe si të tilla janë edhe të damshme për ndërtimit dhe projektimin e të nesërmes përmes nxënësve, atyre që janë e nesërmja dhe perspektiva e shoqërisë njerëzore. Vështirësitë në nxënie të arsimit online janë të natyrave të ndryshme përfshi këtu edhe problemet teknike të internetit ose pajisjeve elektronike të cilat pamundësojnë marrjen e informacioneve nga ana e nxënësve përmes mësimdhënësve të tyre me lehtësinë e duhur, vetë të qëndruarit para monitorit të celularit ose kompjutorit për disa orë pa ndërprerë është e damshme, e lodhëshme, monotone dhe jo metodike. Kjo formë e mësimdhënies dhe mësimnxënies ka zbeh komunikimin në mes të nxenësve dhe ka thelluar distancën fizike dhe sociale mes tyre, si pasojë edhe interaksioni, interaktiviteti si element shumë i rëndësishëm i zhvillimit të procesit mësimorë në masë të madhe ka ra duke e kthyer të gjithë procesin në favor të regresit edhe përskaj metodave moderne në dukje që po mundohen ti imponohen nxënësit, mësimdhënësit dhe të gjithë të përfshirëve në proces. Të mësuarit në distancë shkatëron përfitimin e shkathtësive sociale, socializimin mes nxënësve në përgjithësi, pamundëson zgjidhjen e problemeve në kohë reale dhe mbi tgjitha një proces i këtillë ka shëndruar nxenësin në numra, inicale, e-mail, një pamje vizuale ekrani; një proces i cili zhdukë ndjenjën për tjetrin, empatin, dëshirën për të qenë në krah, afër, për të ndihmuar dhe qenë përkrahje reciproke. Thënë me terme të kohës ndoshta përmes intelegjencës artificiale neve po krijojmë pa dashje një “robo nxënës” i cili asnjëherë ska qenë mision i mēsimdhënies, shkollimit, edukimit dhe arsimimit.

Gjithsesi, koha që po kalojmë është një test i përgjithshëm i të gjithë neve të cilin të gjithë do e kalojmë. Pamvarsishtë vështirësive ajo që duhet bërë është të përfitojmë në maksimum, ta kthejmë procesin online në dobi të nxënsve duke dhënë më të mirën të gjithë ata që mbajnë përgjegjësi derisa gjërat të kthehen në normalitet. Online ose me prezencë fizike shkollimi është rruga, ushqen vetëbesimin, ndez shpresën, merr nga e djeshmja, sjellë në të sotmen dhe shëndritë të nesërmen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button