RMV, Karaxhovski: Pa disiplinë as 500 mjekë dhe as 20 spitale nuk do të na ndihmojnë kundër Kovid-19

Nëse nuk e ndihmojmë veten, as 500 mjekë, 500 infermierë dhe as 20 spitale të tjera nuk do të na ndihmojnë. Prandaj, ne kërkojmë ndihmë nga të gjithë, nga e gjithë popullata. T’i respektojmë masat, ne duhet ta bëjmë atë për ne, për familjet tona. Përndryshe, ne do t’i stëmbushim spitalet. Do të bëhen rotacione në stafin mjekësor, por numri i atyre njerëzve është i kufizuar. Le ta zbatojmë të gjithë së bashku një masë, u bëri thirrje qytetarëve Zharko Karaxhovski, Kryetar i Komisionit për Sëmundjet Infektive, i cili së bashku me Ministrin e Shëndetësisë Venko Filipçe dhanë një deklaratë për media, njofton Portalb.mk.

 “Ne duhet ta ndihmojmë vetveten. Ja, Shkupi është një e treta e vendit dhe këtu numri i të infektuarve është më i larti. Në vendin tonë, më së shumti nuk respektohen masat. Ne kemi thënë njëqind herë se cilat janë masat kryesore. Kur pyetni se çfarë mund të presim, mund të presim përkeqësim të situatës, 400, 500, deri në 1000 raste në ditë”, deklaroi Karaxhovski.

Ndërkohë ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tha se spitali modular pranë Klinikës së Sëmundjeve Infektive është i gatshëm të pranojë pacientë të rinj nëse është e nevojshme.

“Rastet e reja janë duke u rritur kudo në rajon. Një paketë kufizimesh për Qeverinë tashmë është propozuar dhe duhet të bëhen ndryshime ligjore. Ne presim që Kuvendi të votojë javën e ardhshme për ndryshimet ligjore që parashikojnë ndalim të grupimit pas 22:00, ndalim të tubimeve në shtëpi, në mënyrë që inspektorët të mund të bëjnë kontrolle dhe të dënojnë ata që nuk i respektojnë masat, u shpreh tha Filipçe.

Në mbledhjen e sotme të anëtarëve të Komisionit për Sëmundjet Infektive, u bisedua për një paketë shtesë të masave që do të aktivizohen nëse është e nevojshme. Kjo paketë përfshin kufizimin e kapacitetit të transportit publik deri në 50 për qind, ndalim të plotë të të gjitha ngjarjeve dhe përfundim të orarit të punës të të gjitha kompanive deri në 23:00. Autoritetet vlerësojnë se nëse ka një rritje të rasteve dhe nëse kjo paketë aktivizohet, do të ngadalësohet përhapja e virusit.

Karaxhovski tha se analiza e bërë nga epidemiologët për tre ditët e fundit kur ka një numër të madh të njerëzve të sapo infektuar, tregoi se ngjarje të caktuara janë promotori kryesor i shumë rasteve – evente, koncerte dhe ahengje.

“Problemet shkaktohen nga grupime ose mosrespektimi i mbajtjes së maskës. Ne e dimë që mos-grupimi, distanca dhe maska ​​janë kushtet kryesore që të mos ketë raste të reja. Shihet qartë që kjo nuk respektohet. Për sa i përket moshës, janë persona 29-30 vjeç që ishin në aheng, ngjarje, promovim, në lokale ku nuk respektoheshin rregullat. Tani për tani, nuk ka plane për të pasur orë policore, por ne si komision nuk i kemi shteruar të gjitha masat. Nëse asnjë nga këto masa të reja nuk respektohet, nuk përjashtohet mundësia e vendosjes së orës policore, tha Karaxhovski.

Këto masa janë paralajmëruar për shkak të numrit të lartë të të infektuarve në vend. Vetëm dje në Maqedoninë e Veriut ndërruan jetë 6 persona me KOVID-19 dhe u shënuan 535 të infektuar. Me këtë, numri i përgjithshëm i të infektuarve në vendin tonë ka arritur në 22.170, i të shëruarve në 16.758, i të vdekurve në 815, ndërkaq për momentin ka 4.597 raste aktive.

LEXO: RMV, 6 persona me KOVID-19 ndërruan jetë, 535 raste të reja

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button