VEPRA QË MBIJETOJNË SHEKUJ

Viteve të fundit janë shkruar shumë monografi mbi të shkuarën dhe të tashmen e vendbanimeve shqiptare. Autorët e tyre janë mësues, profesorë e intelektualë të shquar, njerëz me zjarrin në shpirt që mbledhin me vite të dhëna me të cilat shkruajnë, pa asnjë interes material, vepra që dokumentojnë të qenmen tonë në trojet etnike, të keqpërdorur dje e sot nga pseudohistorianët sllavë. Në mesin e tyre bën pjesë dhe bashkëvendësi im i nderuar z. Qazim Kurtishi, autori i monografisë “Sellca ndër shekuj”, që hedh dritë mbi të kaluarën e fshatit të tij të lindjes – Sellcën, madje, në vija të trasha, edhe mbi të kaluarën e Malësisë së Sharrit, të qytetit të Tetovës dhe të Pollogut të Epërm.

Grumbullimi i materies së kësaj monografie – të dhënat e trashëguara nga rrëfimet dhe gojëdhënat e gjyshërve dhe stërgjyshërve, mbamendja dhe evidenca personale e gjërave, gjurmimi i dokumentave arkivore, shfletimi i shtypit të kohës së shkuar… paraqesin një punë që kërkon vullnet, këmbëngulje, durim, sakrifica, sens dhe dije.

Kjo është një ndërmarrje që në vendet tjera bëhet nga ekipe të tëra ekspertësh të fushave të ndryshme, punë që mbështetet nga institucionet e specializuara të shtetit…, kurse tek ne tërë bara mbetet mbi supet e autorit, që në rastin tonë ka kapërcyer me sukses të gjitha problemet, ka bërë të pamundurën për t’ua lënë trashëgim breznive që vijnë pas nesh këtë thesar të paçmueshëm.

Mahnit gjurmimi i ngulmtë i të dhënave të sjellura në libër. Bie fjala, vetëm të dhënat për etimologjinë e emrit të fshatit dhe të lumit të tij… mund të befasojnë lexuesit dhe, njëkohësisht, të fusin në borxh dijetarët diletantë dhe pronarët e epoletave/gradave kallpe shkencore.

Ky tekst hedh poshtë historitë tendencioze përplot me të dhëna të dyshimta e gjysmake; sfidon të vërtetat, deri dje, të pamohueshme të pseudohistorianëve e pseudoshkëncëtarëve sllavë, të cilët, duke shfrytëzuar mbamendjen tonë të vockël dhe të padokumentuar…, përdhosin autoktoninë shqiptare, duke e nxjerrë popullatën e kësaj ane me një moshë që mezi kapërcen kufijtë e pesë-gjashtëmbëdhjetë dekadave…

Akribia e lakmueshme shkencore, korrektësia dhe saktësia e përdorur në këtë monografi tejkalon disa fish kufijtë e nivelit të shkollimit që pati fatin të ndjekë autori i këtij libri, i cili pas veprës në fjalë, përgatiti me të njëjtin përkushtim edhe monografinë interesante mbi fshatin Llacë. Duke lexuar, redaktuar e lekturuar me vëmendje faqet e këtij teksti interesant e voluminoz, të botuar vite më parë, e kam pyetur veten shumë herë: Ku do të arrinte njeriu ynë, sikur të kishte pasur fatin të jetonte i lirë në trojet e tij? S’ka asnjë dyshim se, në një rast të tillë, edhe këto troje do të rrisnin Fan Nolët, Faik Konicët dhe Eqrem Çabejët e vet.

Në shtatë kapitujt e monografisë autori hedh dritë mbi gjeografinë, kufijtë e fshatit, klimën, ajrin, ujërat, bjeshkët, arkitekturën karakteristike, fiset, të folmen, toponimet, mikrotoponimet, onomastikën, zakonet, adetet, bestytnitë, lojërat, këngët folklorike, fjalët e urta, shprehjet frazeologjike, bekimet, mallkimet, festat e vjetra – deri tek ato pagane, që sigurisht vijnë nga thellësitë e lashtësisë ilire, botën e madhe shpirtërore të sharrjanit…, të ilustruara me fotografi, tabela, faksimile, dokumente, të dhëna arkivore, harta të zakonshme, harta topografike, të dhëna statistikore, të vjela me shumë vështirësi, sakrificë e mençuri nga institucionet dhe arkivat e ndryshme…, përfshirë këtu edhe ato të diktaturave të egra bolshevike. Të gjitha këto i gjejmë tok brenda kapakut të këtij libri interesant. Thjesht: autori i monografisë “Sellca ndër shekuj, s’ka lënë gjë pa prekur, ndaj ky libër, sot e mot, do të paraqesë literaturën e pakapërcyeshme për çdonjërin që do t’i rreket ndonjë puneje të ngjashme studimore, mbi të kaluarën e këtyre viseve.

E veçanta e këtij teksti janë skemat gjenealogjike të dhjetë fiseve të Sellcës, të dhëna në kapitullin e dytë të monografisë – Fiset e fshatit Sellcë, ku bëjnë pjesë të gjitha familjet dhe banorët e sotëm rezidentë dhe jorezidentë (të shpërngulurit nga fshati). Pikërisht ky kapitull ka kërkuar angazhime supreme dhe përpjekje titanike, sepse nuk është lehtë të mblidhen e të gjurmohen gjithë ato të dhëna mbi banorët e një vendbanimi të vjetër, të degdisur sot në të katër anët e botës.

Në fund të këtij shkrimi modest më duhet të them se janë dy gjëra/ngjarje të kohës më të re që e faktorizojnë Sellcën dhe që i bëjnë nder asaj: pjesëmarrja masive e të rinjëve të Sellcës në epopenë e vitit 2001, të bërë me shpresën e madhe për një të ardhme më dinjitoze… dhe kjo monografi e autorit Qazim Kurtishi, të cilin parapëlqej ta thirr Lalë, duke mos dashur t’i kontribuoj shpirtit të robit, ndjenjës së vlerës së ultë dhe harresës idiotike të epiteteve të fisnikërisë së moçme shqiptare.

Fatmirësisht, monografitë si kjo e Lalës Qazim vazhdojnë të shkruhen dhe të dokumentojnë të vërtetën e trojeve shqiptare në Maqedoninë e sotme të Veriut, duke u dhënë kësisoj përgjigjen më bindëse psikopatëve që helmojnë vetveten dhe të painformuarit me sëmundjen e shqiptarofobisë. Po përmend me këtë rast vetëm monografitë e botuara kohëve fundit, si: “Sllatina” e poetit dhe pedagogut të njohur Syrja Etemit, “Përshefca nëpër vite” e autorëve Reshat Jashari dhe Afrona Jashari dhe monografinë 720-faqëshe të posa dalur nga shtypi “Veshalla nëpër shekuj” të profesorit të shquar universitar Vebi Bexhetit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button