RMV, 13 shkolla fillore morën pëlqim për zhvillimin e mësimit me prani fizike

Në seancën e djeshme, Qeveria miratoi Raportin për punën e Komisionit për shqyrtimin e kërkesave nga ana e shkollave fillore për organizimin e mësimit me prani fizike, të paraqitura në periudhën nga 5 deri më 6 tetor 2020. Komisioni ka pranuar vetëm 13 kërkesa të shkollave fillore për fillimin e mësimit me prani fizike, njofton Portalb.mk.

“Sipas raportit, Komisioni shqyrtoi gjithsej 39 kërkesa nga shkollat ​​fillore dhe dha pëlqimin për të filluar mësimin me prani fizike të 13 shkollave fillore, ndërsa kërkesat e 25 shkollave fillore nuk u pranuan”, njoftojnë nga Qeveria.

Komisioni i dha pëlqim të pjesshëm një shkolle fillore për mësimdhënie me prani fizike për mësim praktik, duke marrë parasysh që është shkollë muzike.

Ndërkohë, dy ditë më parë Ministria e Arsimit dhe Shkencës informoi se ka gjithsej 42 raste aktive të Kovid-19 te nxënësit dhe 65 te mësimdhënësit. Prej tyre 29 nxënës janë nga arsimi fillor, ndërsa 13 nga arsimi i mesëm, 47 mësimdhënës janë nga arsimi fillor, ndërsa 18 nga arsimi i mesëm.

Nga rastet aktive në arsimin e mesëm, asnjë nga nxënësit dhe mësimdhënësit nuk kanë marrë pjesë në mësim me prani fizike dhe në pajtim me rrethanat nuk kanë pasur kontakt me pjesën tjetër të nxënësve ose kuadrin mësimor.

Ndryshe, mësimi me prani fizike këtë vit për shkak të pandemisë Kovid-19, mbahet vetëm në ato shkolla ku kushtet hapësinore e lejojnë atë dhe  ku mësimi zhvillohet në përputhje me protokollet shëndetësore. Nuk duhet të ketë më shumë se 20 fëmijë në klasa, të cilët duhet të mbajnë maska dhe të qëndrojnë në një distancë prej një metër e gjysmë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button