Nuk ka propozim për marrëveshje të re, këto janë gjitha çështjet e zgjidhura dhe të pazgjidhura mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë

Nuk ka propozim për marrëveshje të re mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Zyrtarët shtetërore kanë hedhur poshtë pretendimet e VMRO – DPMNE-së se në Sofje, gjatë vizitës së ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, Bullgaria i ka propozuar marrëveshje të re.

Osmani gjatë konferencës së sotme, ka hedhur poshtë këto pretendime, duke thënë se lideri opozitar, Hristijan Mickoski mund t’i paraqitet dhe të flasin në lidhje me këtë temë, shkruan Portalb.mk.

“Unë jam i gatshëm të komunikoj me të në bazë ditore. Nuk është mirë që të spekulohet në bazë ditore për këto çështje. Porosia themelore gjatë vizitës sime në Sofje u përcoll nga kryeministri, Bojko Borisov i cili tha se nuk dëshiron që Bullgaria të vijë në situatë që të bllokojë Maqedoninë dhe se pret përparim në punën e Komisionit të Përbashkët për çështje të historisë. Porosia themelore ishte ajo dhe në bazë të saj mundohemi ta intensifikojmë komunikimi. Është mirë që komisioni vazhdoi me punë në Shkup. I inkurajoj të gjejnë pika të përbashkëta të afrimit, ndërsa ne do të vazhdojmë të flasim në të gjitha nivelet politike nëse ka paqartësi të caktuara”, deklaroi Osmani.

Edhe presidenti, Stevo Pendarovski deklaroi se ai nuk ka marrë informatë as të shkruar as verbale se në takimin në Sofje, Osmanit i është përcjell ndonjë set i kërkesave, siç informuan disa media. Ai tha se është larg mendjes që të bisedohet për çfarë do lloj ndryshimi të Kushtetutës apo anekse dhe shtesa të marrëveshjes, pasi kjo është e panevojshme.

“Deri në këtë moment askush nga pala bullgare as në nivel bullgar nuk ka kërkuar ndryshim të kushtetutës. Në lidhje me interpretimin e marrëveshjes bilaterale, nuk është hera e parë që pala e Sofjes dikush të kërkojë deklaratë politike me të cilën do të shpjegojmë disa çështje në Marrëveshjen nga viti 2017. Ka deklaratë të presidentit Radev me të cilën kërkon aneks të asaj marrëveshje se gjoja nuk respektohet, apo praktikisht marrëveshje të re”, deklaroi Pendarovski.

Ndërkohë, pasi 10 muaj pauzë, komisioni përbashkët për çështjet e historisë dhe arsimit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, sot dhe nesër do të zhvillojnë takime në Shkup, në përpjekje për të gjetur zgjidhje për kontestet historike mes dy vendeve.

Në këto takime do të bisedohet edhe për harmonizimin e librave të historisë për nxënësit e klasës së shtatë, për shkak se për këto të fundit kishte mosmarrëveshje mes palëve.

Takimet e realizuara më herët, palët kanë arritur marrëveshje për disa çështje dhe një pjesë të figurave historike:

  • Shën Cirili dhe Metodi – Në bazë të Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi të mirë dhe Bashkëpunim dhe të raportit Komisionit të Përbashkët Multidisiplinar të ekspertëve për çështje të historisë dhe arsimit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vitin e kaluar ka pranuar sugjerimin për festim të përbashkët me Bullgarinë të Shën Cirilit dhe Metodit.
  • Shën Klimenti – Ka pajtueshmëri nga të dyja palët për festim të përbashkët të iluministit sllav dhe njërit ndër nxënësit më të theksuar të Cirilit dhe Metodit, themelues i Shkollës Letrare të Ohrit.
  • Shën Naumi i Ohrit – Komisioni i përbashkët ka arritur pajtueshmëri për festim të përbashkët të Shën Naumit – njëri ndër themeluesit e alfabetit slloven, që konsiderohet si nxënësi më i ri i Cilirit dhe Metodit, pjesëmarrës në misionin e Moravës.
  • Mbreti Samuel – Parashihet edhe festim i përbashkët i mbretit Samuel, sundimtar mesjetar në territorin e Gadishullit Ballkanik.
  • Grigor Prliçev – Në komisionin e përbashkët është biseduar edhe për festim të përbashkët të shkrimtarit të shquar, të lindur në Ohër dhe autor i poemës së njohur “Serdarot”.

Komisioni i përbashkët për dy vite, pas arritjes së Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë, kanë arritur përparim të caktuar për periudhën antike dhe mesjetën, por jo edhe rreth çështjes së Goce Dellçevit.

Dy palët kanë pranuar se më e mundimshme do të jetë shqyrtimi i periudhës rreth ngjarjeve dhe figurave të shek. 19 dhe fillimi i shek. 20, periudha e paraqitjes së lëvizjeve kulturore, shpirtërore dhe politike në territorin e Maqedonisë së Veriut, ku ka dallime serioze midis historive të dy vendeve.  Njëra ndër temat më të vështira është qasja ndaj figurës dhe veprës së Goce Dellçevit.

Nga ana tjetër, Komisioni për Arsim dhe Shkencë në parlamentin bullgar, sipas paralajmërimeve, sot do të mbaj seancë publike për propozimin që 24 maji të riemërohet nga Dita e alfabetit slloven në Dita e alfabetit bullgar. Amendamenti për ligjin e raporteve të punës është dorëzuar nga një grup deputetësh dhe veç më është miratuar në lexim të parë.

Kujtojmë se, Sofja zyrtare ka paralajmëruar Maqedoninë e Veriut se mund të pengojë proceset e integrimit të vendit në BE, nëse nuk zgjidhet kontestet historike mes dy vendeve. Në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin. Sofja zyrtare kërkon mbështetje prej tyre për pozitën e vet lidhur me identitetin dhe gjuhën maqedonase, si dhe ë kuadër të kornizës negociuese mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, të futet edhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë, që dy shtetet e nënshkruan në vitin 2017.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button