Gjermania gjatë 24 orëve të fundit është goditur nga një rekord i ri i të infektuarve me Kovid-19

Gjermania ka shënuar mbi 6,000 raste të reja gjatë 24 orëve të fundit. Nivele si ky nuk janë parë që nga fillimi i pandemisë. Sjellja e qytetarëve gjermanë, njoftoi Deutsche Welle, do të ndikojë në mënyrën se si do të festohen Krishtlindjet këtë vit, paralajmëroi Ministri i Shëndetësisë së Gjermanisë Jens Spahn, njofton Portalb.mk.

Sipas të dhënave nga Instituti Robert Koch, agjencia përgjegjëse për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve, Gjermania  sot shënoi rritje rekorde ditore të rasteve të reja të koronavirusit, duke raportuar 6,638 infeksione të reja.

Rekordi i fundit në këtë vend ishte më 28 mars, ku për një ditë u shënuan 6,294 raste.

Rritja e numrave erdhi vetëm disa orë pasi kancelarja gjermane, Angela Merkel u takua me udhëheqësit e 16 shteteve federale të Gjermanisë për të diskutuar vendosjen e kufizimeve më të ashpra për të ngadalësuar përhapjen e virusit.

Kancelarja Merkel të mërkurën në mbrëmje njoftoi kufizime të reja për numrin e njerëzve që mund të tubohen, si dhe mbajtjen e maskës mbrojtëse në vende të mbushura me njerëz.

Sipas masave të reja, nëse një zonë regjistron më shumë se 35 infeksione të reja për 100,000 banor gjatë shtatë ditëve, maskat do të bëhen të detyrueshme në të gjitha vendet ku njerëzit kanë kontakt të ngushtë.

“Duhet të parandalojmë një rritje të pakontrolluar të rasteve”, ka thënë Merkel.

Numri i njerëzve që lejohen të mblidhen gjithashtu do të jetë i kufizuar në 25 në vende publike dhe 15 në hapësira private.

Gjithë Evropa ditëve të fundit po përballet me valë të re të infeksioneve në rritje nga Kovid-19. Ditë më parë Çekia dhe Holanda njoftuan se do të shtrëngojnë masat dhe kanë vendosur mbyllje të pjesshme.

Vetëm në Evropë prej fillimit të pandemisë, janë infektuar  mbi 7 milion persona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button