RMV, Kuvendi filloi debatin për rishikim të buxhetit

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot ka filluar debatin për rishikim të buxhetit shtetëror për vitin 2020. Debati zhvillohet në Komisionin për Financa dhe Buxhet të Kuvendit.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, gjatë elaborimit të propozimit tha se me rishikimin e buxhetit mundësohet zbatimin e pakos së katërt të masave antikrizë, që synohet të sigurojë qëndrueshmëri të aktiviteteve të brendshme ekonomike dhe vendeve të punës, të rimëkëmben aktivitete të caktuara, të sigurojë stabilitetin e transferimeve sociale dhe të sigurojë politika të cilat do të ndihmojnë në zbatimin e një strategji dalje të shpejtë, me qëllim për të vazhduar me trendet pozitive të ekonomisë vendore, kur kriza të ketë mbaruar, njofton Portalb.mk.

“Grupi i katërt i masave ka tre shtylla. E para është menduar për qytetarët, segmenti shoqëror që u referohet qytetarëve dhe standardit të tyre për përballimin e kësaj periudhe. Shtylla e dytë i referohet sektorit privat, pra aktivitetit ekonomik dhe vendeve të punës, të gjitha aktivitetet që përfshijnë likuiditet, stabilitet financiar dhe rimëkëmbje ekonomike. Shtylla e tretë nënkupton stabilitetin fiskal dhe financiar të ekonomisë në tërësi. Masat e synuara do të zbusin ndikimin në kompanitë e prekura vendore duke stimuluar konsumin privat dhe duke mbështetur sektorin privat – tha ministri i financave Fatmir Besimi.

Të hyrat totale janë planifikuar në nivelin 196.3 miliard denarë dhe ato janë planifikuar në nivel pothuajse identik në krahasim me planin, ndërsa shpenzimet totale janë planifikuar në nivelin prej 253 miliard denarë ose 4.1%, pra rreth 10 miliard denarë më të larta në lidhje me planin. Bazuar në të hyrat dhe shpenzimet e planifikuara, deficiti pozicionohet në vlerën 56.6 miliard denarë, pra 8.4% të BPK-së.

Deficiti i parashikuar për vitin 2020, ripagimi në bazë të principit të borxhit të jashtëm në vlerë prej 26.9 miliard denarë dhe ripagimi i borxhit të brendshëm në vlerë prej 15.3 miliard denarë do të financohet përmes huazimeve nga jashtë vendi dhe në tregun e brendshëm të letrave me vlerë të qeverisë.

Partia opozitare VMRO – DPMNE, veç më ka paralajmëruar 170 propozim – amendamente për rishikimin e buxhetit, të cilat kanë të bëjnë me ndarjen e më shumë mjeteve për repartet infektive si dhe për projekte për uljen e ndotjes, për të cilat diskutimi në komisionin amë, si dhe në Komisionin Ligjvënës-Juridik, mund të zgjasë nga 10 ditë.

Sipas informatave nga Kuvendi, seanca plenare për rishikimin e buxhetit pritet të fillojë rreth 25 tetorit dhe ajo mund të zgjasë pesë ditë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button