445

Sikur gjatë muajit prill të këtij viti dikush të na thoshte se në tetor do të përballemi me numra marramendës të të infektuarve nga Covid19, ndoshta nuk do ta besonim. Atëherë kur qëndronim mbyllur në shtëpi dhe tmerroheshim nga numrat dyshifrorë të të infektuarve na dukej sikur erdhi fundi i botës. Kur në ditë të caktuara kishte lajme për 70 apo 80 të infektuar na frikësonte e nesërmja. Tani që numri i të infektuarve arrin 445 në një ditë, e shohim se ditët e prillit paskan qenë ditë të mira. Dimri që kemi para do të jetë i vështirë.

E tërë Evropa dhe bota po ashtu është në gjendje të vështirë lidhur me virusin Covid19. Lajmet nuk janë aspak shpresëdhënëse dhe shtetet fillojnë dalë ngadalë tu kthehen masave më strikte të izolimit. Shkollat mbyllen, po ashtu edhe kafenetë dhe restorantet. Spitalet popullohen nga dita në ditë gjithnjë e më shumë. Vala e re e kësaj sëmundjeje është duke e marë përpara jetën e njeriut. Për ekonominë të mos flasim, ajo është duke pësuar dëme të rënda dhe rimëkëmbja do të marë kohë të gjatë dhe shumë energji.

Në ndërkohë përreth nesh jeta vazhdon. Masat e vendosura janë shpesh kontradiktore. Kufizohet numri i nxënësve në shkolla, por jo edhe në trasportin publik. Kufizohet numri i mysafirëve në shtëpi, por jo edhe numri i mysafirëve në kafene e restorante. Kufizohen shumë gjëra por jo edhe pritjet në grupe para bankave ku virusi meret gratis. Është e qartë që shumë nga këto kontradikta vinë si pasojë e tentimit që të mbahet gjallë ekonomia dhe të mundësohet një rrjedhë normale e përditshmërisë. E megjithatë, ka shumë gjëra të cilat janë të tepruara dhe nuk kanë asnjë kuptim.

Ata që kanë pasur fatkeqësinë të qarkullojnë në kovid qendrat në qytetet tona e dinë mirë si është puna. Unë personalisht e përjetova këtë fatkeqësi gjatë shtatorit dhe nga afër e pashë mënyrën e funksionimit të Kovid qendrës në Tetovë. Mjekët, infermierët dhe infermieret dhe i gjithë personali shëndetësor nuk pushonin asnjëherë. Dhe shtatori llogaritej si muaj i mbarë për shkak të numrave të ulët të të infektuarve. Mbaj mend kur mjeku me tha që shumë njerëz megjithatë ende nuk besojnë që ka virus dhe shkojnë nga dasma në dasmë, ndërsa kur vinë këtu dhe ballafaqohen me sëmundjen e ndryshojnë mendimin por atëherë bëhet vonë sepse kjo është një sëmundje e paparashikueshme me të cilën pacienti përkeqësohet brenda natës dhe përnjëherë e humb jetën. Ata që e kanë përjetuar e dinë. Unë humba nënën dhe dajën brenda vetëm dy javësh, ndërsa shumë anëtarë të tjerë të familjes mezi shpëtuan. Gjithmonë më kujtohen fjalët e mjekut, dëshpërimi i tij kur për çdo ditë i vdesin pacientët nëpër duar e megjithatë dasmat vazhdojnë, muzika nuk ndalet, zijafetet nuk lihen anësh dhe kafeja e mëngjesit vazhdon të pihet në kallaballëk.

A mendoni ndonjëherë për ata mjekë dhe infermierë që duhet të kujdesen për ne kur sëmuremi? A mendoni se edhe ata kanë shtëpi, kanë familje, kanë fëmijë që duhet të hynë në mësim online, kanë probleme të cilave u duhet kohë të zgjidhen, kanë të dashur me të cilët duhet të kalojnë kohë, sepse ja, jeta është e shkurtër dhe mbaron një ditë për gjithsecilin prej nesh? Është e qartë që ky është virus që shpërndahet lehtazi, veçanërisht me mënyrën se si jetojmë ne, por a me të vërtetë nuk kemi fare mundësi të ruhemi pak më tepër? A është kaq e vështirë të mbajmë maskë? A është kaq e vështirë të mos ngjitemi pas njëri tjetrit kur presim rend për të paguar në market? A është vërtet jetike që dasma e caktuar për sivjet të bëhet me të gjitha salltanetet sikur të flitet për një oborr mbretëror përrallor? A nuk është koha të kuptojmë një herë e mirë se duhet pasur më shumë kujdes, se çdo veprim i gabuar na afron më shumë drejt asaj kovid qendrës ku nuk është këndshëm të përfundosh? A nuk kemi aspak mëshirë ndaj atyre që duhet pastaj të kujdesen për ne?

Është mirë të fillojmë të reflektojmë pak më shumë për këtë. Është mirë të bëjmë çdo përpjekje për të mos e rënduar edhe më tepër situatën se kaq. Është mirë të kemi durim dhe ta tejkalojmë edhe këtë sprovë që kërkon ta ndryshojmë mënyrën e jetesës, qoftë edhe për një periudhë të caktuar.

Nëse nuk e bëjmë për veten tone, le ta bëjmë për të tjerët, për prindërit tanë, për fëmijët tanë, për mjekët që duhet të kujdesen për ne.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button