Banka Botërore miratoi 12 miliardë dollarë për financimin e vendeve të varfëra me vaksina kundër Kovid-19

Bordi i Drejtorëve Ekzekutiv të Bankës Botërore dje miratoi një shumë prej 12 miliardë dollarësh për t’iu ndihmuar shteteve në zhvillim që të blejnë dhe shpërndajnë vaksina për korona virus, teste dhe trajtime tjera për qytetarët e vendeve të tyre, njoftuan nga Banka Botërore, transmeton Portalb.mk.

Financimi, i cili synon të mbështesë vaksinimin e deri në një miliard njerëz, është pjesë e një pakete të përgjithshme të Grupit të Bankës Botërore (WBG) prej më tepër se 160 miliardë dollarë deri në qershor 2021 për të ndihmuar vendet në zhvillim të luftojnë pandeminë COVID-19. Ajo përfshin financime të reja në programet e Bankës Botërore për përgjigje emergjente ndaj COVID-19 që tashmë janë shtrirë në 111 vende.

“Ne jemi duke zgjeruar dhe zmadhuar qasjen e përgjigjes së shpejtë ndaj emergjencës së COVID-19, në mënyrë që shtetet në zhvillim të kenë qasje të drejtë dhe të barabartë në vaksina. Qasja në vaksina efektive dhe forcimi i sistemeve të ofrimit të shërbimeve, janë çelës për ndryshim të kursit të pandemisë dhe për t’iu ndihmuar shteteve, që po përballen me katastrofa ekonomike dhe ndikim fiskal, të ecin tutje drejt rimëkëmbjes”, ka thënë presidenti i kësaj Banke, David Malpass.

Vendet në zhvillim do të kenë mënyra të ndryshme për të përvetësuar dhe shpërndarë vaksina të aprovuara. Qasja mbështetet në ekspertizën e rëndësishme të Grupit të Bankës Botërore në mbështetjen e programeve të imunizimit në shkallë të gjerë për sëmundjet e parandalueshme nga vaksinat, si dhe programe të shëndetit publik për të trajtuar sëmundjet infektive si HIV, tuberkulozi, malaria dhe sëmundjet tropikale të neglizhuara.

Gjetja e një vaksine kundër korona virusit konsiderohet kyçe për ndalimin e përhapjes së koronavirusit, i cili ka lënë të vdekur më shumë se 1 milion njerëz dhe ka infektuar 38 milionë të tjerë, ndërkohë që ekonomitë e shkatërruara po përballen me miliona të papunë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button