IMAZHI I DEFORMUAR NË LIBRAT E KARL MAY-IT

Në shtypin tonë, zakonisht, janë botuar dhe botohen studime e shkrime autorësh të huaj që flasin për virtytet e shqiptarëve, por ka edhe shumë autorë të cilët kanë shkruar zi e më zi për shqiptarët dhe popujt tjerë të Evropës Juglindore, të cilën, madje, e “zhvendosën” në Orient. Nuk deshën t’ia dinë se në këtë hapësirë kishte lindur letërsia e pavdekshme evropiane dhe agora e famshme. Stereotipat e ushqyen edhe letërsinë, pikërisht në kohën kur librat letrarë kishin ndikim të madh mbi opinionin publik.

Njëri prej autorëve që botoi libra letrarë dhe që e paraqet një imazh të deformuar për shqiptarët është edhe shkrimtari gjerman Karl May (1842 – 1912). Ai botoi 120 libra me aventura, artistikisht të dobët, por joshës për lexuesit që nuk kishin kërkesa të veçanta estetike.

Në librin “Në tokën e shkipetarëve” (1892), nga cikli “Orienti“, ai i përshkruan shqiptarët si popull i rrezikshëm dhe si anarkistë të lindur që nuk i honepsnin ligjet civile.

May i botoi librat në kohën kur demonizohej gjithçka që lidhej me hapësirën e quajtur “Turqia evropiane”.

Sipas historianit të njohur, Mark Mazoverit, i cili në veprat e tij merret me historinë e Ballkanit, stereotipat për këtë hapësirë “prodhoheshin” nga politika, diplomacia, institucionet shkencore dhe mediat me qëllimin për ta krijuar një identitet të ri evropian.

May i paragjykon shqiptarët jo se i njeh, por sepse është ndikuar prej një libri të financuar nga qeveria serbe. Në librat e autorëve serbë zakonisht thuhej se shqiptarët “nuk kishin unitet kombëtar”, “ishin pa kulturë”, “pa gjurmë në histori”, “të paaftë për të drejtuar një shtet” etj.

Karl May u ndikua nga një libër i autorit serb Spiridon Gopçeviqit (1855 – 1928), i cili sajoi statistika ku shqiptarët i shënoi si “serbë muhamedanë” dhe “arnautashë” (një term i shpikur për “serbë të shqiptarizuar”). Gopçeviqi me paratë e qeverisë serbe e botoi një libër të këtillë edhe në gjuhën gjermane. Që të dukej më bindës para lexuesit evropian e botoi librin me pseudonimin Leo Brenner.

Karl May-it, që nuk njihet si erudit, i cili më shumë shkruante se sa lexonte, i duheshin personazhe negative për librat e tij dhe ata ishin shqiptarët. Një pjesë e ngjarjeve në librin “Në tokën e shqiptarëve” zhvillohen në Shkup, Tetovë  (Kalkandelen) dhe në disa fshatra të malësisë së Tetovës, që autori nuk i kishte parë asnjëherë. Ai, madje, nuk i kishte lexuar as librat e autorëve më të rëndësishëm gjermanë, që paraqesin një imazh krejt tjetër për shqiptarët e këtyre viseve. May ka shkruar për Ballkanin pa qenë në Ballkan. Për të ky ishte rajoni i trazuar ku ligjin e bënin plaçkitësit dhe dhunuesit.

Ky autor mediokër i fundshekullit XIX, pa ndonjë peshë në letërsinë botërore, i cili i akuzonte shqiptarët si plaçkitës, disa herë ishte dënuar për plaçkitje. Për ironi: suksesi i tij si shkrimtar kishte filluar nga burgu, ku shkroi një libër me aventura derisa e vuante dënimin disamujor për një vjedhje.

Libri i sipërpërmendur u botua edhe në periudhën e Jugosllavisë së Titos dhe ishte shumë i lexuar (Kroz zemlju Arbanasa, 1965).

Librat e këtij autori u ekranizuan, ndërkaq një film ishte xhiruar edhe në Kosovë. Sot anekënd botës botohen stripe për fëmijë me motive nga librat e tij. Botuesit vetëm i retushojnë qëndrimet ksenofobe dhe paragjykimet kombëtare, që janë me shumicë në krijimtarinë e May-it.

Nëpër vendin e shqiptarëve, ku shëtit heroi i tij Kara Ben Nemsi, autori nuk gjen asnjë shqiptar me virtyte. Për të “albanezët, arnautët, skipetarët, mirditoret dhe të gjithë popujt e fiset e tyre”, funksionojnë si klane që kanë ligjet, rregullat dhe të drejtat e veta. Sipas tij “çdo katund është në luftë me katundin fqinj”; në çdo vendbanim ka “një problem me vjedhje, rebelim ose gjakmarrje”, kurse “në këtë luftë të përjetshme fiton më i dhunshmi apo krimineli më i egër!”. Për të “shqiptarët nuk vlejnë për asgjë”.

May ishte i painformuar edhe për vendet ku ndodhin ngjarjet në librat e tij. Ai nuk e dinte se Shkupi (Skopia) dhe Uskupi janë i njëjti qytet. Shkruante për “ortodoksët katolikë”, sepse nuk  dinte ta bënte as dallimin ndërmjet katolicizmit dhe ortodoksizmit. Përmendi Kanunin e Lekë Dukagjinit, por nuk kishte njohuri për të, kurse gjuha shqipe dhe serbe për të ishin e njëjta gjuhë.

Ende ka “kronistë” që shkruajnë për Evropën Juglindore duke iu referuar librave të May-it. Në vizionin ose ndërdijen e tyre ky cep Evrope është vetëm një hapësirë ekzotike me luftëtarë të egër dhe plaçkitës; është Evropë si territor, por jo si kulturë e mendësi.

Këtë imazh të deformuar kanë tentuar ta “ndreqin” autorë dhe autore nga Evropa. Në mesin e tyre është zonja Durham, kurse shumë më vonë edhe autorja ballkanase, Maria Todorova, e cila pretendon se për Ballkanin, i cili nuk është “as më i mirë, as më i keq” se pjesa tjetër e botës, duhet të flasin edhe ballkanasit. Para se të flasin duhet ta ndjejnë, ta duan, t’ia njohin kulturën dhe historinë, t’ia njohin përparësitë dhe të metat, të punojnë për ta bërë më të mirë, njëkohësisht edhe t’u kundërvihen atyre që flasin për të pa e njohur fare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button