RMV, rreziku për veto nga Bullgaria ekziston prej një viti, BE duhet të ndërhyjë për zgjidhjen e kontestit

Rreziku për bllokadë të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE nga ana e Bullgarisë, ekziston prej një viti, ndërsa Bashkimi Evropian duhet të ndërhyjë në zgjidhjen e kësaj problematike. Dy vendet fqinje nuk kanë nevojë për zënka, dhe vetëm me ndërmjetësim të ndërkombëtarëve evropian, çështja mund të zgjidhet shprehen njohësit e çështjeve evropiane dhe politike, transmeton Portalb.mk.

Malinka Ristevska Jordanova, nga Instituti për Politika Evropiane, thotë se pozicioni i Bullgarisë nuk është edhe aq i papritur duke u nisur nga Memorandumi Shpjegues i Bullgarisë, i cili ndërlikon miratimin e Kornizës Negociuese për Maqedoninë e Veriut.

Malinka Ristevska Jordanova

“Nuk ka pasur asnjë ndryshim në pozicionin e Bullgarisë gjatë vitit të kaluar, përkundrazi, Memorandumi Shpjegues i Bullgarisë në mënyrë shtesë e ndërlikon miratimin e Kornizës Negociuese për Maqedoninë e Veriut. Megjithëse presidenca gjermane po bën përpjekje për të mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare këtë vit, Bullgaria nuk bashkangjitet në aprovimin me vendet anëtare për sjelljen e Kornizës negociese për të cilën është i nevojshëm konsensusi”, deklaroi Malinka Ristevska Jordanova nga Instituti për Politika Evropiane për Portalb.

Sipas saj, priten disa ndërrime pozicionesh, veçanërisht me Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut në kryesimin e përbashkët gjatë procesit të Berlinit në Samitin e Sofjes më 10 nëntor. Vendi ynë, deklaron Ristevska, nuk ka shumë hapësirë ​​për kompromis, veçanërisht duke pasur parasysh faktin se shumë prej kërkesave bullgare janë në kundërshtim me Marrëveshjen e Prespës, si dhe me vlerat dhe standardet e BE-së. Prandaj  pritet më shumë fleksibilitet nga krerët e lartë politik bullgar.

Selim Ibraimi
Selim Ibraimi

Nga ana tjetër, kolumnisti Selim Ibraimi, në një deklaratë për Portalb.mk, thotë se Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut duhet të gjejnë një zgjidhje përfundimtare për sa i përket historisë, kulturës dhe gjuhës maqedonase. Sipas tij, nuk ka nevojë për zënka mes shteteve, andaj është me rëndësi që BE-ja të ndërhyjë në çështjen e gjuhës dhe kulturës maqedonase, pra në çështjen e cila rrezikon që Bullgarinë dhe Maqedoninë t’i bëjë shtete armiqësore.

“Qeveria e Maqedonisë dhe diplomacia maqedonase duhet të ketë kujdes në trajtimin e çështjeve historike të cilat janë të tendosura që nga koha e komunizmit, pra që nga viti 1944 e deri në pavarësinë e Maqedonisë. Rishikimi i disa çështjeve dhe datave historike mendoj se është në interes të Maqedonisë dhe shtetësisë së saj, për nënshkrimin e një marrëveshje përfundimtare me Bullgarinë. Gjithashtu edhe pala Bullgare, si mbrojtëse e interesave sllave, duhet të ketë kujdes në trajtimin e çështjeve, pasi kultura dhe gjuha janë çështje identitare dhe nuk mund të trajtohen si çështje unike vetëm të një shteti a të një kombi. Andaj është me rëndësi që të gjendet një  gjuhë e përbashkët por duhet të jetë e kujdesshme në atë se çfarë deklaron politika dhe çfarë do të deklarojnë historianët të cilët merren me këtë çështje”, deklaron Ibraimi.

Gjithashtu, sipas tij, historianët maqedonas duhet të revidojnë të gjitha çështjet të cilat kanë ngjashmëri historike me Bullgarinë dhe janë vendosur në kohën e komunizmit, rivalitetit të atëhershëm të kohës që ekzistonte në Jugosllavi pra në Ballkan mes perëndimit dhe Rusisë dhe gjithashtu rolit të  Jugosllavisë.

Ai vlerëson se do të duhet një diplomaci e hollë nga Maqedonia që të arrihet një marrëveshje. Por nuk është në interesin as të Bullgarisë dhe as të Evropës që Maqedonia të mos fillojë bisedimet.

Sipas tij, nuk është me rëndësi nëse bisedimet do të fillojnë në janar ose dhjetor, me rëndësi është që të vendosen marrëdhënie stabile dhe të sigurta mes shteteve. BE-ja duhet të jetë në përkrahje të të dyja shteteve, ndërsa diplomacia maqedonase të kujdeset që të mos krijojë tensione të reja me Bullgarinë.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani në një takim të realizuar në Sofje katër ditë më parë, u përball me qëndrimin se Sofja zyrtare nuk do të lëshojë pe nga kërkesat e saj për zgjidhjen e çështjes së identitetit dhe gjuhës maqedonase. Kjo iu bë e qartë edhe njëherë nga ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva e cila u tha gazetarëve se është koha që Maqedonia e Veriut t’i njohë realitetet historike.

Zaharieva tha se Bullgaria e para e ka pranuar pavarësinë e vendit dhe ka pranuar shumë herët realitetet moderne politike. Ajo shtoi se vendi i saj çdoherë ka mbështetur pavarësinë dhe sovranitetin shtetëror të Maqedonisë së Veriut, asnjëherë nuk ka pasur pretendime territoriale dhe asnjëherë nuk ua mohuar të drejtën e vet identifikimit të qytetarëve të saj.

Dy ditë pas këtij takimi, pasoi reagimi i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, i cili tha se bisedimet mes ministres së Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva dhe ministrit të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, nuk kanë qenë të mira dhe nëse Bullgaria mbetet në atë që ka propozuar, populli i Maqedonisë duhet të përgatitet se në dhjetor nuk do të fillojnë bisedimet me Bashkimin Evropian.

Komisioni i përbashkët i dy shteteve për çështjet e historisë, pas një pauze njëvjeçare, do ta vazhdojë punën më 15 dhe 16 tetor. Ky komision ka dalë nga Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë, me qëllim që të zgjidhen dallimet mes dy vendeve në lidhje me ngjarjet dhe figurat historike. Puna e komisionit është bllokuar kryesit rreth çështjes së Goce Dellçevit.

Në mars, Bashkimi Evropian miratoi vendim për fillim të pakushtëzuar të bisedimeve hyrëse me Maqedoninë e Veriut dhe pritet që konferenca ndërqeveritare të mbahet deri në fund të vitit, gjatë kohës së udhëheqësisë gjermane. Me konferencën ndërqeveritare zyrtarisht fillojnë bisedimet me BE-në.

Por, procesi bllokohet nga Bullgaria, e cila në shtator iu dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së, ku mes tjerash thotë se gjuha maqedonase nuk ekziston dhe është dialekt i gjuhës bullgare, por edhe se populli maqedonas është projekt i ish liderit të Jugosllavisë, Josip Broz Tito.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button