Çekia nesër do t’i mbyllë shkollat, baret dhe restorantet

Si rezultat i përkeqësimit të situatës epidemiologjike Republika Çeke ka shtrënguar masat kufizuese kundër korona virusit. Mbrëmjen e së hënës, Qeveria çeke njoftoi se, nga 14 tetori, të gjitha restorantet, baret dhe klubet do të mbyllen deri më 3 nëntor, transmeton Portalb.mk.

Ky vend, në javët e fundit, ka regjistruar rritjen më të shpejtë të rasteve në Evropë, për kokë banori. Të gjitha shkollat, përveç kopshteve, do të mbyllen deri më 2 nëntor dhe do të kalojnë në mësime online. Tubimet e njerëzve në publik do të kufizohen në gjashtë vetë.

Paraprakisht qeveria e këtij vendi mbylli të gjithë teatrot, kinematë, kopshtet zoologjike, muzetë, galeritë e artit, qendrat e fitnesit dhe pishinat publike për të paktën dy javë. Gjithashtu, ndaloi të gjitha aktivitetet sportive në ambiente të mbyllura. Në natyrë, vetëm deri në 20 persona lejohen të marrin pjesë në aktivitete sportive.

Javën e kaluar, Çekia ka regjistruar rekord të rasteve me koronavirus brenda një dite: mbi 8,600, ndërsa numri i pacientëve të shtruar në spitale është rritur për 76 për qind, përkatësisht në mbi 2,000.

Ky vend aktualisht ka të konfirmuara mbi 121,400 raste me koronavirus.

Prej tyre, mbi 62,000 raste mbeten aktive. Numri i viktimave aktualisht qëndron në 1,051.

Ministri i Shëndetësisë i Republikës Çeke, Adam Vojtech, muajin që lam pas dha dorëheqje për shkak të rritjes rekord të rasteve me korona virus. Vojtech tha se hapi i tij duhet të krijojë hapësirë për një qasje të re ndaj pandemisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button