SHBA, Senati fillon sot seancat katër ditore për konfirmimin e gjyqtares Barrett

Komisioni Gjyqësor i Senatit i dje hapi seancat dëgjimore të Gjykatës Supreme për Gjyqtaren Amy Coney Barrett, e emëruar nga presidenti Donald Trump për antare të Gjykatës. Emërimi i gjyqtares Barrett kaq afër zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit ka shkaktuar një grindje politike midis republikanëve dhe demokratëve, shkruan Portalb.mk.

Presidenti Trump zgjodhi gjyqtaren Barrett për të zëvendësuar ikonën e drejtësisë amerikane Ruth Bader Ginsburg, e cila vdiq muajin e kaluar në moshën 87 vjeçare, njoftojnë mediat amerikane.

Republikanët, të cilët aktualisht mbajnë një shumicë të pakët në Senatin e ShBA-së, organi që emëron gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, po përpiqen të përfundojnë sa më shpejt procesin, gjegjësisht përpara zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit përballë kundërshtimeve të forta të demokratëve.

Nga ana tjetër, demokratët kanë frikë se emërimi i suksesshëm i gjykatëses Barrett do të favorizonte republikanët në çështje të ndjeshme politikisht që arrijnë në Gjykatën e Lartë.

Në deklaratën e tij të hapjes, kryetari i komitetit, Lindsey Graham e përshkroi Barrett-in si “një kategori përsosmërie, diçka për të cilën vendi duhet të ishte krenar”, por gjithashtu parashikoi “një javë të gjatë dëgjimesh”.

Demokratja e lartë e komitetit, Dianne Feinstein hapi vërejtjet e saj në mbrojtje të reformave të kujdesit shëndetësor të miratuara nën presidencën e Barack Obama, duke thënë se emërimi i zonjës Barrett mund të kërcënonte aksesin shëndetësor për miliona njerëz.

Ndërkohë deklarata hapëse e Barrett vjen pas fjalës së 22 anëtarëve të komisionit.

Për shkak të shqetësimeve për pandeminë, jo të gjithë senatorët marrin pjesë personalisht në debat.

Republikanët kanë një shumicë 53-47 në Senat, prandaj konfirmimi i zonjës Barret duket pothuajse i sigurt.

Barrett do të përballet me pyetje nga senatorët të martën dhe të mërkurën në seanca të gjata që pritet të vazhdojnë gjithë ditën. Seancat dëgjimore janë planifikuar të përfundojnë të enjten.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button