MARSHMALLOW

 “Mos u bër butëlosh. Eja rrugës me ne, drejt historisë. Zbrit nga trotuari!”

Dolores Huerta

Të nderuar lexonjës! Ndoshta titulli i këtij shkrimi ju duket i çuditshëm. I njëjti është kategori ushqimore, por Huerta e ndërlidh me mosbindjen qytetare, e njohur edhe si padëgjueshmëri qytetare (civil disobedience) që nënkupton përpjekjen e një individi, grupi ose bashkësie shoqërore për t’i ndryshuar politikat qeveritare përmes mjeteve paqësore. Ky lloj aktivizmi shënon “mosnjohjen e vetëdijshme të pushtetit vendës me qëllim të ndryshimit të tij, apo të pushtetit të pushtuesit prej të cilit dëshirohet çlirimi”, flet për një “lloj të luftës kundër legjitimitetit të pushtetit”.  Ky koncept për herë të parë është përdorur në Amerikë nga Henry David Thoreau (1849), i cili mbronte mospagesën e taksave si protestë kundër mbështetjes së skllavërisë nga qeveria.

Në vitet 1980 në Europë është bërë temë e debateve të nxehta dhe kohëve të fundit ka filluar të përdoret edhe te ne. Ndër eksponentët kryesorë të kësaj metode ka qenë Mahathma Gandhi në vitet 1920, i cili e zbatonte këtë metodë, të miratuar nga Kongresi Nacional Indian, kundër qeverisë perandorake britanike. Mosbindja qytetare, e cila përkufizohet si mënyrë veprimi  për të ngjallur ndërgjegjen shoqërore kundër padrejtësive, si mënyrë që mund të përdoret kur janë shteruar të gjitha metodat e tjera ligjore, cilësohet edhe si lëvizje për të jetësuar vlerat shoqërore-morale si drejtësia, sinqeriteti, besnikëria etj. Lëvizjet qytetare që zgjedhin këtë metodë nuk janë kundër sistemit në përgjithësi, por vetëm kundër instancave që manipulojnë. Ato nisen nga parimi se çdokush duhet të japë llogari për shkeljet dhe padrejtësitë. Mosbindja qytetare ndonëse përdor metodat që dalin jashtë kornizave ligjore, në përgjithësi shihet si iniciativë e ligjshme. Disa politologë e konsiderojnë si mënyrë të shtrembërimit të demokracisë dhe liberalizmit. (Kirman, 2004: 202-203; Qosja, 1997: 346-358)

Shembuj konkretë të protestave janë ato të viteve 1960, të vitit 2008 kur ndodhi kriza financiare globale, protestat e Montrealit (2011), të Spanjës vitin e njëjtë, të Oaklandit nën moton “Ne jemi 99 %-ëshi”… Viteve të fundit një varg protestash u identifikuan me parullën “Occupy!”, si “Occupy Wall Street” duke iu referuar egjiptianëve që kishin pushtuar “Sheshin Tahrir”. Spanja, Çile, Bolivia dhe Libani protestuan në vitin 2019 kundër pabarazisë, korrupsionit, Hong-Kongu kundër ndërhyrjes kineze (që shkaktoi kërcënimin e presidentit kinez Xi Ping: “separatizmi mund të sjellë trupa copë e grimë dhe kocka të bëra pluhur”), SHBA-të, Britania, Gjermania, Spanja, Austria, Zelanda dhe Franca u ngritën në këmbë kundër ndryshimeve klimaterike. Në këtë drejtim duhet përmendur edhe 16-vjeçaren Greta Thunberg me protestat e saj emblematike javore në shkollë kundër ndryshimeve klimaterike që shkaktojnë krizës ekzistenciale. Protestat në Berlin, Sydney, Leeds kundër masave Covid-19 janë gjithashtu për t’u zënë ngoje: u protestua lidhur me një çështje shumë sensitive siç është shëndeti; aparati shtetëror paraqitet si mbrojtës i shëndetut publik, ndërsa qytetarët nuk i besojnë atij.

Pra, mosbindja qytetare është një kulturë eveçantë, është psikologji e të qenit në gjendje të ngrihesh në këmbë dhe të rezistosh, t’i dalësh përpara turmës ose të bëhesh pjesë e saj me qëllime prohumane dhe prosociale. Por, sa ne shqiptarët jemi pjesë e aktiviteteve të tilla që mbajnë gjallë dinamizmin tonë dhe balancin e shoqërisë, duke mos lejuar shtetin të bëhet “i paprekshëm”? Ndonëse si bashkësi kemi një histori të bujshme, atë të viteve 1980, të protestave paqësore, të rezistencës joviolente en masse, kur një komb ishte në aksion duke refuzuar regjimin serb, metodë kjo e vetpërmbajtjes që arriti t’ia heqë tullat e para një shteti të fuqishëm si Jugosllavia, të nisë procesin e shpërbërjes së saj, sot jemi shumë të pazëshëm. Të kesh një histori të tillë dhe sot të shfaqesh shumë i zbehtë në shprehjen e zërit vetjak karshi anomalive është deprimuese. Pse pak protestojmë? Pse s’kemi motiv që t’i përmbajmë njerëzit e guximshëm që marrin përgjegjësinë e nismave që na tangojnë të gjithëve? Rasti ynë në RMV është më eklatanti në këtë drejtim. Edhe në një Shqipëri me traditë komuniste dhe me një sistem të “tokmakut shtetëror” që godiste pamëshirshëm mbi qytetarin e vet, brenda periudhës së tranzicionit ka pasur raste të ngritjes masovike të zërit për çështje të ndryshme (shembulli i protestave studentore 2018), gjë që flet për ndryshim të mendësisë, të fitimit të sensit të guximit për të thënë dhe për t’i pushtuar rrugët dhe sheshet në rast të nevojës.

Rasti i fundit “EVN”, gjegjësisht kundër faturave të larta që prekin xhepin qytetar tregon se në çfarë niveli të indolencës jemi, se sa na intereson fati ynë, se jemi nga ata që gjithnjë presim që dikush tjetër ta sjellë ndryshimin, i cili nuk vjen vetë, po edhe nëse vjen me ndonjë rastësi, nuk është afatgjatë dhe efektiv. “Filozofia e kolltukut dhe odës” që mbizotëron tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut është verifikuar empirikisht. Shifrat e njerëzve në rrugë për të protestuar flasin për vete. Ndjenja e konformizmit, si formë e pezullimit të mendimeve dhe veprimeve autonome të një individi në favor të bindjes ndaj konventave dhe normave të imponuara nga një autoritet më i lartë, është mbizotëruese ndër ne. “Pse unë?” është pyetja më e shpeshtë që e shtron shqiptari ordiner në këtë drejtim. Sikur nuk e di se nëse kjo pyetje shtrohet nga gjithkush, do të ishim aty ku jemi, në vend, status quo, sepse gjërat nuk do të ndryshojnë vetvetiu. Ndryshimit nga tjetri i besojnë vetëm ata që nuk logjikojnë, që nuk janë qenie politike të mirëfillta, që nuk përkujdesen për polisin dhe jetën e vet.

Me një fjalë përderisa të mos mësohemi të kemi një vlerë të re të demokracisë, ngritjen e zërit për çështjet tona por edhe për ato globale, gjithnjë do të jemi të margjinalizuar, të injoruar dhe të shpërfillur nga shteti, institucionet, korporatat e të tjera. Siç shprehet Huerta, aktiviste qytetare për drejtësi sociale nga San Diego (SHBA), do të jemi një “marshmallow”, një sheqerkë rozë a e bardhë që do mundet ta shtypë e kapërdijë  çdokush.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button