Raporti i KE-së për RMV-në: Korrupsioni ka lëshuar rrënjë në shumë fusha, të vazhdojë luftimi i tij

Gatishmëri mesatare në luftën kundër korrupsionit, përparim i mirë në hetimin, ndjekje dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit të lartë. Megjithatë, korrupsioni,  vazhdon akoma të jetë i përhapur në shumë fusha dhe  duhet të sigurohet qasje më proaktive nga të gjithë aktorët e përfshirë në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.  Përsa i përket kornizës ligjore,  Maqedonia e Veriut është pjesë e të gjitha konventave ndërkombëtare për anti-korrupsion, përfshirë Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit, ndërsa  përpjekjet për të zbatuar strategjitë kundër krimit të organizuar duhet të vazhdojnë. Këto janë vlerësimet  kryesore të Raportit të Komisionit Evropian në fushën e krimit dhe korrupsionit për Maqedoninë e Veriut, i cili u publikua më 6 tetor të këtij viti, njofton Portalb.mk.

Në raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, termi krim përmendet 63 herë, ndërsa korrupsioni 68 herë në forma dhe kontekste të ndryshme. Në të, rekomandohet që të vazhdohet me zbatimin e strategjive kundër krimit të organizuar dhe të përmirësohet efikasiteti në luftën kundër larjes së parave dhe krimit financiar.

Maqedonia e Veriut ka një farë niveli të përgatitjes, është mesatarisht e përgatitur në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. Progres i mirë është bërë ndërsa vendi konsolidoi  hetimin rekord, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të nivelit të lartë të korrupsionit. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka qenë veçanërisht pro-aktiv në parandalimin e korrupsionit dhe hapi një numër të lartë çështjesh, përfshirë ato që involvojnë zyrtarë të nivelit të lartë nga i gjithë spektri politik, në përputhje me rekomandimin e vitit të kaluar. Përpjekjet vazhduan të ecnin përpara me çështjet e Prokurorsë Speciale, duke vendosur kështu përgjegjësi për përgjimet e paligjshme. Rasti i ashtuquajtur ‘Zhvatja’ ka ngritur shqetësime serioze. Ish-kryeprokurorja speciale u dënua në qershor të vitit 2020 në vendimin e shkallës së parë”, thuhet në raport.

Komisioni Shtetëror kundër Korrupsionit, sipas raportit, meriton të konsolidohet më tej dhe të vazhdojë të mbështetet me një metodologji dhe burime të përshtatshme dhe në këtë drejtim jepen disa rekomandime veçanërisht për këtë Komision.

Për konfliktin e interesit, sipas raportit, Komisioni Shtetëror mund të fillojë një procedurë për përcaktimin e fakteve sipas detyrës zyrtare ose me kërkesë të një pale të tretë.  Për sa i përket masave parandaluese, në raport thuhet se Komisioni ka kompetenca shtesë që forcojnë kapacitetin e tij për të verifikuar deklaratat e interesit dhe pasurive dhe forcojnë autoritetin e tij.  Puna e Komisionit Shtetëror në këtë drejtim është e rëndësishme për të ruajtur besimin e qytetarëve në institucione. Komisioni ka të drejtë të fillojë procedura kundërvajtëse. Buxheti i saj është rritur në mënyrë të vazhdueshme.

Ndërkohë, Ligji mbi mbrojtjen e informatorëve kërkon rreshtim të mëtejshëm me acquis-in e ri të BE.

Përpjekjet vazhdojnë të përmirësojnë transparencën e institucioneve publike. Sidoqoftë, ato duhet të plotësohen nga një mekanizëm efektiv dhe me kohë i kontrollit për prokurimin publik, koncesionet, partneritetet publike-private dhe ekzekutimin e kontratave publike. Ekziston nevoja për të qenë në gjendje të zbatojnë ndëshkimet administrative për autoritetet kontraktuese në rast të shkeljes së ligjit të prokurimit.

Qendra e re e hetimit, policia gjyqësore e themeluar në zyrën e Prokurorit duhet të demonstrojë aftësinë e saj për të mbështetur Prokurorinë, në rritjen e hetimeve të saj, thuhet në raport.

Prokuroria Publike patjetër të demonstrojë kapacitetin e saj për të qenë proaktive në ndjekjen e çështjeve të referuara nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Zyra e Auditimit të Shtetit dhe institucioneve të tjera.

Përveç trendit pozitiv të miratimit të masave të përkohshme për ngrirjen e llogarive bankare dhe pasurisë, sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive kriminale duhet të rritet.

Raporti propozon që vendi vitin e ardhshëm, në  veçanti duhet të punojë  në:

  • Zbatimin e legjislacionit të ri, duke transferuar disa nga të prerogativa të ish Prokurorisë Speciale në  Prokuroria për Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion dhe rregullimi i statusit të përgjimeve në mënyrë që të vazhdojë përgjegjësia për krimet që vijnë nga dhe përreth përgjimeve;
  • Rritjen e pistave të dënimeve përfundimtare në rastet e nivelit të lartë të korrupsionit duke përfshirë konfiskimin e mëtejshëm të pasurive kriminale;
  • Demonstrim të vullnetit politik për të luftuar korrupsionin duke mbështetur organet përkatëse me burime të mëtejshme financiare dhe njerëzore dhe duke siguruar udhëzime të qarta të politikave për të gjitha institucionet shtetërore se si të trajtohet korrupsioni.

Vendi në këtë drejtim ka paralajmëruar një strategji pesëvjeçare, e cila do të luftojë krimin dhe korrupsionin. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në janar të këtij viti miratoi Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konflikteve të Interesit në pesë vitet e ardhshme që duhet ta zbatojnë institucionet, me qëllim të sigurohet ngritje e besueshmërisë së qytetarëve në sistem.

Qëllimet kryesore të strategjisë janë:

  • Rritja e nivelit të përgjegjësisë politike dhe menaxhimi i vetëdijshëm me ndikimet politike në sektorin publik dhe parandalimi i ndikimeve polarizuese në punën e organeve të pavarura.
  • Përforcimi i integritetit dhe llogaridhënies në sektorin publik. Zbatimi i përgjegjësive të sektorit publik në mënyrë të ligjshme, transparente, etike, ekonomike, përgjegjëse dhe në mënyrë efektive.
  • Sigurimi i integritetit dhe transparencës në sektorin publik dhe politikat e burimeve njerëzore bazuar në sistem vlerash dhe kritere cilësore.
  • Përforcimi i sistemeve të kontrollit dhe mbikëqyrjes si dhe digjitalizimi i të gjithë sektorëve të shërbimit publik dhe zvogëlimi i korrupsionit në procesin e ndarjes së granteve, subvencioneve dhe ndihmave të tjera shtetërore.
  • Përforcimi i kapaciteteve dhe përkushtimi i organeve për zbatimin e ligjit, në prokurori dhe në gjyqësor në zbulimin dhe sanksionimin e korrupsionit dhe përforcimin e rezistencës së korrupsionit në radhët e tyre.

Vendi duhet të vazhdojë reformat sepse janë kyçe për integrimin e vendit.  Por një problem tjetër që vë në pikëpyetje  mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare dhe nisjen e bisedimeve është qëndrimi i Bullgarisë. Kjo e fundit, në shtator iu dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së,  ku mes tjerash thotë se gjuha maqedonase nuk ekziston dhe është dialekt i gjuhës bullgare, por edhe se populli maqedonas është projekt i ish liderit të Jugosllavisë, Josip Broz Tito. Kryeministri Zoran Zaev, ka deklaruar se bisedimet mes ministres së Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva dhe ministrit të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, nuk kanë qenë të mira dhe nëse Bullgaria mbetet në atë që ka propozuar, populli i Maqedonisë duhet të përgatitet se në dhjetor nuk do të fillojnë bisedimet me Bashkimin Evropian.

LEXO: U publikua raporti i progresit për Maqedoninë e Veriut, Komisioni Evropian kërkon zbardhjen e rasteve gjyqësore që kanë të bëjnë me korrupsion të lartë

LEXO: Zaev: Nëse Bullgaria mbetet në kërkesat e saja, duhet ta përgatisim popullin e Maqedonisë se nuk do të fillojnë bisedimet

LEXO: Dimitrov: Nëse BE lejon që gjuha maqedonase të jetë pengesë, ajo nuk e meriton mbiemrin “evropian”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button