RMV, fëmijët me nevoja të veçanta vijojnë mësimin në kohë pandemie në 3 forma

Në mungesë të defektologëve që ligjërisht duhet të ketë çdo shkollë fillore në Maqedoninë e Veriut, shumica e komunave të RMV-së këtë e kompensojnë përmes një projekti të United Nations Development Programme (UNDP). Në kushte pandemie, nxënësit me nevoja të veçanta kanë filluar procesin arsimor pa probleme dhe në të njëjtën kohë me nxënësit tjerë, edhe atë në 3 mënyra, shkruan Portalb.mk.

Komunën e Tetovës nga gjithsej 12 shkolla fillore të punësuar janë vetëm dy defektolog të cilët realisht janë të diplomuar në këtë sferë, njëri prej tyre aktivitetin e tij e zhvillon në gjithsej 4 shkolla.

Për të kompensuar këtë, nga Komuna e Tetovës në bashkëpunim me United Nations Development Programme (UNDP) kanë dërguar gjithsej 29 edukatorë special në këto shkolla fillore të cilët çdo ditë mësojnë fëmijët me nevoja të veçanta.

Si e zhvillojnë procesin arsimor në kushte pandemie këto fëmijë?

UNDP për fëmijët me nevoja të veçanta ka ofruar tre alternativa për atë se si mund të zhvillojnë procesin arsimor, gjithmonë duke qenë nën kujdesin e asistentëve personal të angazhuar në bashkëpunim me komunat

  • Me prezencë fizike në shkolla për klasat e 1 deri të 3 (ku prezent janë edukatori special dhe nxënësi)
  • Përmes internetit (kjo formë e mbajtjes së mësimit zhvillohet me ndihmë të prindërve)
  • Me prezencë fizike në shkolla edhe për nxënësit me nevoja të veçanta që janë më të mëdhenj se klasa e tretë.

Nga UNDP për Portalb.mk thanë se aktiviteti i edukatorëve special ka filluar me fillimin e vitit akademik për këtë vit, pra me 1 tetor dhe se specifikisht për komunën e Tetovës kanë angazhuar 29 edukatorë special.

“Në kuadër të programit në bashkëpunim me komunat, aktualisht përmes Komunës së Tetovës janë angazhuar 29 persona të papunësuar si asistent edukativ personal të nxënësve me nevoja të veçanta. Aktiviteti i tyre ka filluar me datë 1 tetor dhe vlen për të gjithë nxënësit e rregullt në procesin arsimor.

Në kushte të pandemisë me kovid-19, aktiviteti i tyre realizohet në dy mënyra: Atje ku munden fëmijët me nevoja të veçanta shkojnë në shkollë me prezencë fizike dhe shërbimi ju bëhet në shkollë ku ata e ndjekin mësimin, ndërkaq në qoftë se këta nxënës duhet të ndjekin mësimin online atëherë kjo realizohet në bashkëpunim me prindërit e fëmijëve duke shfrytëzuar platforma të ndryshme online apo asistentët shkojnë në shtëpitë e nxënësve”, theksoi Ana Dimovska Kotevska nga UNDP.

Të njëjtën e pohoi edhe drejtoresha e shkollës fillore “Kirili dhe Metodi” në Tetovë, ajo potencoi se nuk ka pasur diskriminim për këto nxënës dhe se procesi arsimor ka filluar me datë 1 tetor, me prezencë fizike duke respektuar masat dhe protokollet e posaçme.

“Në shkollën tonë me prezencë fizike kanë filluar fëmijët nga klasa e parë deri në të tretën, këtu përfshihen edhe ata që kanë nevojë për asistent personal, gjegjësisht fëmijët me nevoja të veçanta edhe të tjerët. Kemi një me nevoja të veçanta që edhe pse është në klasën e gjashtë, asistentja e tij personale mësimin e mban me të në një klasë të veçantë, ku janë vetëm ata dy. Mësimin e kanë filluar njëjtë si nxënësit tjerë dhe nuk kanë hasur në probleme”, tha Sihana Kaba Kasami, drejtoreshë e “Kirili dhe Metodi”.

Ndryshe, një vit më herët Portalb.mk informoi për mungesën e defektologëve në shkollat fillore të Komunës së Tetovës dhe nga atëherë deri sot nuk është ndërmarrë asgjë në këtë drejtim, gjegjësisht shkollat vazhdojnë të mos kenë defektolog të punësuar ndërsa fëmijët me nevoja të veçanta jo gjithmonë e marrin mësimin ashtu siç duhet kjo për arsye të ndryshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button