Zaev: Nëse Bullgaria mbetet në kërkesat e saja, duhet ta përgatisim popullin e Maqedonisë se nuk do të fillojnë bisedimet

Kryeministri Zoran Zaev, tha se bisedimet mes ministres së Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva dhe ministrit të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, nuk kanë qenë të mira dhe nëse Bullgaria mbetet në atë që ka propozuar, populli i Maqedonisë duhet të përgatitet se në dhjetor nuk do të fillojnë bisedimet me Bashkimin Evropian, njofton Portalb.mk.

“Bisedimet mes ministrit të Punëve të Jashtme Bujar Osmani dhe kryeministrit Bojko Borisov ishin të mira, por bisedat me ministren Ekaterina Zaharieva nuk kanë qenë shumë të mira. Ajo që është propozuar nuk është fqinjësi e mirë, as vëllazërim, e më së paku evropiane dhe nëse ajo mbetet ashtu duhet që ta përgatisim popullin e Maqedonisë se mundet të mos fillojë konferenca e parë ndërqeveritare, të cilën e presim në dhjetor”, tha Zaev në Probishtip, duke u përgjigjur në pyetje gazetareske.

Megjithatë, Zaev beson se ai nuk është qëndrim i kryeministrit Bojko Borisov, as i popullit bullgar, pa zbuluar se çfarë ka propozuar Bullgaria.

“Ne do të bëjmë gjithçka në ditët e ardhshme që të gjejmë zgjidhje. Ne e pranuam historinë e përbashkët ose historinë e përgjithshme ashtu siç e thotë mikja Bullgaria. Ne kemi edhe histori të veçantë dhe jam i sigurt se ekzistojnë zgjidhje për problemet. Do të gjejmë unë dhe vëllai im Bojko zgjidhje. Kemi zgjidhur pesë personalitete historike dhe tre periudha historike dhe besoj se edhe të katërtën do ta zgjidhim. Jam i sigurt se edhe presidentët e dy vendeve Pendarovski dhe Radev do të japin mbështetje për këtë proces dhe bashkë do të tregojmë vlera evropiane dhe mbështetje të ndërsjellë”, tha Zaev.

Sot, zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov tha se Bashkimi Evropian nuk guxon të lejojë që gjuha maqedonase të jetë pengesë për integrimin tonë. Ai tha se nëse ndodh ajo, nuk mund të besojë në një Bashkim Evropian të tillë.

“Një çështje do të them. Mendoj se nuk është evropiane gjuha maqedonase të bëhet pengesë në ardhmërinë tonë evropiane dhe integrim. Nëse Bashkimi Evropian lejon në njëfarë mënyre që të jetë pengesë për integrimin tonë, atëherë nuk do ta meritojë emrin e saj, mbiemrin “evropian” dhe nuk e di nëse do të mund të besojë në një Bashkim Evropian të tillë. Nuk ka miqësi pa respekt të ndërsjellë. Të gjithë ata që duan ta shohin popullin maqedonas të afërt dhe miqësor, patjetër të na pranojnë ashtu siç jemi dhe gjuhën që e flasim, ne jemi maqedonas dhe flasim gjuhë maqedonase”, tha Dimitrov.

Në mars, Bashkimi Evropian miratoi vendim për fillim të pakushtëzuar të bisedimeve hyrëse me Maqedoninë e Veriut dhe pritet që konferenca ndërqeveritare të mbahet deri në fund të vitit, gjatë kohës së udhëheqësisë gjermane. Bullgaria në shtator dërgoi memorandum sqarues deri te vendet anëtare të BE-së,  ku mes tjerash thotë se gjuha maqedonase nuk ekziston dhe është dialekt i gjuhës bullgare, por edhe se populli maqedonas është projekt i ish liderit të Jugosllavisë, Josip Broz Tito.

Me konferencën ndërqeveritare fillojnë bisedimet, por që të ndodh ajo, të gjitha vendet anëtare duhet që ta harmonizojnë kornizën negociuese, proces të cilin për momentin e bllokon Bullgaria, duke kërkuar lëshime për historinë dhe gjuhën maqedonase.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button