“Erasmus”, ky program që na çon drejt Evropës

Shpeshherë kemi dëgjuar dhe lexuar për programin “Erasmus”. Por çfarë në të vërtetë është ky program dhe çka paraqet për vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt transformimeve evropiane? Tani le t’i hedhim një vështrim këtij projekti gjigant të Bashkimit Evropian.

Erasmus dhe Erasmus Plus që ndryshe quhet (Skema e Veprimit të Komunitetit Evropian për Lëvizjen e Studentëve të Universitetit) është program i Bashkimit Evropian për të mbështetur arsimin, trajnimin dhe sportin në Evropë dhe gjetiu. Buxheti i programit shkon deri 14.7 miliardë euro dhe një kohësisht krijon mundësi për më shumë se 4 milion evropianë të mësojnë dhe trajnohen jashtë unionit dhe paralelisht studentët dhe të rinjtë nga shtetet e Ballkanit Perëndimorë të fitojnë përvojë në shtetet e BE-së. Programi është themeluar në vitin 1987 dhe mban emrin e filozofit dhe humanistit të Renesancës Desiderius Erasmus nga Holanda.

Programi i quajtur Erasmus Plus ju mundëson individëve të të gjitha moshave, të zhvillojnë, të ndajnë përvojë në institucione dhe organizata në vende të ndryshme të BE-së dhe jashtë unionit. Erasmus Plus si program është mjaft atraktiv dhe i kapshëm për të gjithë studentët duke përfshirë universitetet, tink tank-et, organizatat hulumtuese dhe sferën e biznesit.

Qëllimi i programit Erasmus Plus është që të kontribuojë në strategjinë “Evropa 2020” për rritjen e vendeve të punës, barazinë sociale, arsimin dhe trajnimin. Erasmus Plus gjithashtu synon të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm të partnerëve të saj në fushën e arsimit të lartë dhe të kontribuojë në arritjen e objektivave të strategjisë së rinisë së BE-së dhe të vendeve që synojnë hyrjen në familjen evropiane. Përveç edukimit, ky program ka për qëllim që të ulë papunësinë, veçanërisht tek të rinjtë evropianë dhe të WB-6.

Promovimi i mësimit të të rriturve, veçanërisht për aftësitë e reja të kërkuara nga tregu i punës përbërjnë shtyllën kryesore të programit. Inkurajimi i të rinjve për të marrë pjesë në demokracinë qw ofron BE, mbështetja e zbulimeve dhe bashkëpunimit duke mos harruar reformat, janë fokusi i Erasmus Plus-it.

Nxitja e bashkëpunimit dhe e lëvizshmërisë me vendet anëtare dhe partnere të BE-së, vazhdon të jetë një ndërpërparësitë e programit evropian. Për informim tw lexueswve, programi Erasmus më parë ishte i kufizuar për aplikuesit të cilët kishin përfunduar të paktën një vit të studimit të nivelit të lartë, por tani ky rregull ka ndryshuar dhe është si program edhe për studentët e shkollave të mesme.

Për më shumë, më 4 qershor të vitit 2014, komisioni mori njoftimin me shkrim atëherë nga ish Republika Jugosllave e Maqedonisë tani Republika e Maqedonisw sw Veriut që parashikonte hyrjen në fuqi të marrëveshjes Erasmus Plus që përcakton pjesëmarrjen e vendit në programin e ri të arsimit, trajnimit dhe sportit.

Programi Erasmus Mundus ka një dallim me Erasmus Plus, pasi krijon mundësi në nivelin master për kurse dy-vjeçare me kohë të plotë, ndërsa Erasmus Plus bursa është një program shkëmbimi midis dy universiteteve brenda kornizës Erasmus Plus.

Sipas statistikave të programit, qytetarët e Maqedonisë së Veriut (MV) dhe universitetet bashkë me organizatat jo qeveritare, kanë fituar shumë. Prej vitit 1987 deri në vitin 2017, 800 studentë të arsimit të lartë kanë marrë pjesë në program, 1400 pjesëmarrës të shkëmbimit të të rinjve, 1500 nxënës të aftësimit professional, 1000 staf arsimor dhe punëtorë, 100 vullnetarë evropianë bashkë 580 studentë dhe staf i Erasmus Mundusit.

Në Maqedoninë e Veriut, Agjencia Kombëtare për Programet Evropiane të Arsimit dhe Lëvizshmërisë, i është caktuar detyra që të merret me çështjet e programit, pasi është një institucion publik i themeluar me një ligj të miratuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Qëllimi i Agjencisë Kombëtare për Programet Evropiane të Edukimit dhe Lëvizshmërisë është të punojë në promovimin dhe zbatimin e programeve evropiane në fushën e arsimit, trajnimit, rinisë dhe sporteve.

Përfituesit e programeve mund të jenë: nxënësit, studentët, mësuesit, profesorët, dhe personeli tjetër i përfshirë në çdo pjesë të procesit arsimor, kompanitë dhe personat e tjerë juridikë, përfshirë dhomat e tregtisë dhe shoqatat e tjera të personave juridikë, qendrave dhe organeve kërkimore, si dhe shoqatave, thuhet në qëllimet e agjencisë.

Programet e mëparshme evropiane “Të mësuarit gjatë gjithë jetës” dhe “Të rinjtë në veprim” në Maqedoninë e Veriut u implementuan nga Agjencia Kombëtare në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2013, dhe nga viti 2014 aktivitetet nga veprimet brenda këtyre programeve janë transferuar në programin e ri Erasmus Plus.

Në fund, Erasmus Plus është emri i programit të ri që bashkon programet e BE-së për arsimin, trajnimin, rininë dhe sportet në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2020, ku shtetet e Ballkanit Perëndimorë bashkë me universitetet dhe organizatat jo qeveritare të MV-së janë përfituesit më të mëdhenjë të programit evropian.

Se si menaxhohen fondet evropiane të programit Erasmus në MV dhe a ka pasur keqpërdorime të parave evropiane, janë ngritur disa aktakuza, por pa zgjidhje përfundimtare. Siç shihet BE nuk na ndihmon vetëm gjatë pandemisë dhe krizave ekonomike, por në mënyrë të përhershme investon në aftësimin e rinisë sonë për të nesërmen evropiane. Një gjë të tillë duhet ta bëjë edhe vetë qeveria e Maqedonisë së Veriut me hapa konkretë deri në anëtarësimin në BE dhe pas.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button