ANALIZË: Cilat projekte do të “shkurtohen” me rebalancin e buxhetit?

Përgjysmim i mjeteve për ndërtimin e objekteve qeveritare, palestrave sportive dhe shkollave, mjete të reduktuara për gazifikimin dhe për rrugët lokale, më shumë për zhvillimin rural dhe për NATO. Portalb.mk publikon detaje nga pjesa zhvillimore e rebalancit të buxhetit – në cilat ministri dhe agjenci sa do të jenë zvogëlimet, e cilat do të marrin më shumë me arkën e rebalancuar.

Cila ministri, sa fiton ose sa humb…

Përmes Shërbimit për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë, paratë për ndërtimin dhe rikonstruimin e objekteve qeveritare janë pothuajse përgjysmuar, të reduktuara në nivelin e vetëm 70,000 eurove, ndërsa për ndërtimin dhe rikonstruimin e objekteve administrative të organeve shtetërore mjetet janë ulur në 2.8 milion euro.

Ministria e Mbrojtjes nuk pësoi shkurtime të konsiderueshme. Ka zvogëlim të mjeteve për modernizimin e Ministrisë së Mbrojtjes, por ka një rritje në zërin për integrimin në NATO.

Ka pasur një reduktim të ndjeshëm të mjeteve për reformat në polici në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme – në nivelin prej gati 5.3 milion euro, për rikonstruimin dhe pajisjen e ndërtesave janë planifikuar 780,500 euro, ndërsa janë përgjysmuar edhe mjete për ndërtimin, rikonstruimin dhe pajisjen e institucioneve ndëshkuese-korrektuese dhe për reformat e institucioneve ndëshkuese-korrektuese në kuadër të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve.

Ministria e Ekonomisë ka një ulje të konsiderueshme të mjeteve për “gazifikimin”, të parashikuara në një nivel prej vetëm 163,000 euro. Janë zvogëluar edhe mjetet për mbështetjen e zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në 334,000 euro. Buxhetin e njëjtë si deri më tani do ta ketë Drejtoria për Zonat e Zhvillimit Teknologjik Industrial – 6.4 milion euro.

Ministria e Mjedisit Jetësor do të ketë më shumë para me rebalancin e buxhetit – paratë për liqenin e Dojranit rriten në 1.000.000 euro, më shumë mjete do të ketë edhe për sistemin e kolektorit në Ohër dhe Strugë – 5,6 milion euro, ndërsa për rregullimin shtratit të lumit në Poroj dhe të lumit Shkumbin në Shipkovicë nuk janë parashikuar aspak mjete me rebalancin e buxhetit.

Përmes Ministrisë së Transportit, financat për mbindërtimin dhe rikonstruimin e ndërtesës administrative dhe për ndërtimin e banesave sociale mbeten të pandryshuara krahasuar me buxhetin aktual, kurse rritje të mjeteve ka për ndërtimin e ujësjellësit dhe kanalizimit në komuna, ndërsa zvogëlim ka në Projektin e Lehtësimit të Tregtisë dhe Transportit, e poashtu financat për rrugët lokale reduktohen në vetëm 870,000 euro. Për mega-projektin e gazifikimit fondet janë zvogëluar në nivelin prej 9.5 milion euro. Gjithashtu janë ulur ndjeshëm edhe paratë për investime në infrastrukturën hekurudhore, në 15.7 milion euro.

Nga projektet më të rëndësishme kapitale, në Ministrinë e Bujqësisë do të “shkurtohet” hidro-sistemi Zletovica me fonde të reduktuara në 2.9 milion euro, ndërsa ka një rritje të lehtë të financave për hidro-sistemin Lisiçe. Përmes Agjencisë për Mbështetjen Financiare në Bujqësi dhe Zhvillimin Rural, janë rritur ndjeshëm paratë për mbështetjen financiare të zhvillimit rural në 28.1 milion euro.

Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, e cila ka një nga buxhetet më të mëdha, do të ketë më shumë para për ndërtimin, pajisjen dhe mirëmbajtjen e objekteve për mbrojtjen e fëmijëve – 1.3 milion euro, ndërsa për ndërtimin, pajisjen dhe mirëmbajtjen e objekteve për mbrojtje sociale dhe shtëpitë e pleqve, mjetet zvogëlohen fondet në 111,000 euro. Mjetet financiare për inkurajimin e punësimit mbeten në të njëjtin nivel si edhe tani.

Me rebalancin e buxhetit, më pak para përmes Ministrisë së Arsimit do të ketë ndërtim dhe rikonstruimin e shkollave fillore dhe të mesme, kështu që për ndërtimin dhe rikonstruimin e shkollave fillore paratë janë zvogëluar në 1.5 milion euro, ndërsa për ndërtimin e palestrave sportive shkollore në shkollat fillore, në 5.8 milion euro. Për ndërtimin dhe rikonstruimin e shkollave të mesme, mjetet u zvogëluan në 102,000 euro, ndërsa për ndërtimin e palestrave sportive shkollore në shkollat e mesme, në 1.4 milion euro. Ndjeshëm janë zvogëluar edhe fondet për ndërtimin e konvikteve të nxënësve dhe për rikonstruimin dhe ndërtimin e konvikteve studentore, në 447,000 euro.

Në komponentin zhvillimor të buxhetit, përmes Ministrisë së Shëndetësisë, e cila është strategjike në krizën aktuale të Kovid-19, fondet për rikonstruimin dhe meremetimin e objekteve të institucioneve shëndetësore publike mbeten në nivelin e njëjtë prej 3.1 milion euro, kurse për ndërtimin e ambulantave në zonat rurale nuk janë planifikuar aspak mjete, si dhe ka një zvogëlim prej 3.9 milion euro në paratë për pajisjet mjekësore për nevojat e ISHP-ve. Në rebalancin e buxhetit, janë hequr paratë për spitalin e përgjithshëm në Kërçovë, e poashtu zvogëlim të madh ka edhe te mjetet për ndërtimin e Qendrës së re klinike në Shkup dhe Shtip – të cilat janë zvogëluar në vetëm 2.8 milion euro.

Me rebalancin e buxhetit parashikohet deficiti më i mëdha buxhetor deri më tani prej 921,000,000 euro. Këtë vit, sipas parashikimit të qeverisë, PBB-ja do të jetë në minus 4.4%.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button