Filipçe: Spitale të stërmbushura, në Klinikën infektive edhe 10 krevate të lira, hapi i ardhshëm karantinë e plotë

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe sot paralajmëroi se karantinë e plotë është masa e ardhshme e cila do të sillet nëse qytetarët nuk i respektojnë masat, njofton Portalb.

Filipçe potencoi se edhe pse tani për tani jemi larg një skenari të tillë, beson se kjo pako e masave, rritja e kompetencave të inspektorëve dhe apeli deri te qytetarët që të respektojnë masat, do të japë rezultat pozitiv. Sipas tij, nuk përjashtohet mundësia që përsëri të mbyllen çerdhet dhe shkollat.

“Hapi i ardhshëm është karantinë e plotë, ose mbyllje e plotë. Ne tani jemi larg nga ai skenar, por ky do të jetë hapi i ardhshëm. Po i shterim mundësitë, ka mundësi që të intervenohet në transportin publik ose në shkurtimin e orarit të punës në disa kompani ekonomike dhe objekte hotelerike, por ata janë vetëm opsione. Dëshirojmë që të mos ndodh kjo. Masat janë mirë të dimensionuara nëse respektohen, në atë mënyrë do të shmangim karantinën, kufizimin e lëvizjes, por duhet të gjithë të inkuadrohen në atë sistem, posaçërisht qytetarët”, Filipçe.

Filipçe potencoi se duke pasur parasysh se ditëve të fundit në mënyrë drastike po rritet numri i rasteve të reja, në tendencë që ai numër të rritet në stinën së vjeshtës, pranë Klinikës infektive është i përgatitur edhe spitali modular për të cilin ka edhe kuadër, i përgatitur që ta menaxhoj punën.

“Po përgatitet kapaciteti në të gjithë repartet infektive, jo aq shpejt në Shkup, megjithatë në gjithë vendin. Gjatë ditës së djeshme nuk kishte vende të lira në Kumanovë, Strumicë, Veles dhe ata pacientë dërgohen në Shkup. Pesë pacientë janë pranuar në ‘8 Shtatori’, 13 në Klinikën infektive. Aty ka edhe dhjetëra vende të lira dhe po e përgatisim spitalin modular me qëllim që të ulet presioni ndaj spitalit ‘8 Shtatori’ që të munden pacientët tjerë të marrin shërbime shëndetësore. Mund të menaxhohen spitalet, kemi krevate të lira në Klinikën infektive, por qëllimi është që të ulim këtë trend rritës”, theksoi Filipçe.

Për vetëm tre ditë kemi pothuajse 1.000 raste të reja, ndërsa vetëm javën e kaluar janë regjistruar 1.175 raste të reja me Kovid-19. Në 24 orët e fundit 24 orët e fundit nga 2.464 testime të bëra, 393 persona kanë rezultuar pozitiv në KOVID-19, numër rekord që nga fillimi i pandemisë. Kjo rritje drastike e numrit e shtyu Komisionin për sëmundje ngjitëse që të propozojë masa të reja restriktive: mbajtja e maskave në të hapur, ndalesë për grupim në hapësirë publike më shumë se katër persona, në banesë apo shtëpi mund të pranohen vetëm katër mysafir, ndërsa ndalohen edhe tubimet më të mëdha familjare dhe festat. Për këto masa pritet që Qeveria të debatojë në seancën e ardhshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button