Programi Botëror i Ushqimit, fitues i çmimit Nobel për Paqe

Programi Botëror i Ushqimit, u shpall fitues i çmimit Nobel për Paqe për përpjekjet e tij që të luftojë urinë dhe mungesën e ushqimit në botë, transmeton VOA.

Komiteti i Nobelit tha se pandemia e koronavirusit ka thelluar urinë me të cilën përballen miliona njerëz në botë dhe u bëri thirrje qeverive të garantojnë që Programi Botëror i Ushqimit dhe organizata të tjera humanitare të marrin mbështetjen e nevojshme financiare për t’i ndihmuar.

Kryesuesja e komitetit Berit Reiss-Andersen, tha të premten në Oslo se “me çmimin e këtij viti, komiteti dëshiron të përqëndrojë vëmendjen e botës te miliona njerëz që vuajnë ose përballen me kërcënimin e urisë. Programi Botëror i Ushqimit luan një rol kryesor në bashkëpunimin shumëpalësh për ta bërë sigurinë ushqimore një instrument të paqes”, tha ajo.

Në listën e kandidaturave për këtë çmim sivjet ishin 211 individë dhe 107 organizata.

Çmimi përfshin afërsisht 1,1 milion dollarë dhe një medalje të artë që do të jepet në një ceremoni në Oslo, Norvegji, më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së themeluesit të çmimit, Alfred Nobel. Ceremonia e këtij viti do të zhvillohet me pjesëmarrje të vogël për shkak të pandemisë.

Të hënën tre shkencëtarë ndanë çmimin për mjekësinë për zbulimin e virusit të Hepatitit C.

Tre shkencëtarë fituan të martën çmimin Nobel për fizikë, për zbulimet në lidhje me vrimat e zeza.

Çmimi në kimi iu dha dy shkencëtareve për krijimin e një metode të korrigjimit të gjeneve.

Të enjten poetja amerikane Louise Glück fitoi çmimin Nobel të këtij viti për letërsinë.

Javën që vjen ndahet çmimi për arritjet në fushën e ekonomisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button