Tërhiqet libri i “Shoqërisë” , për librat tjerë “ka kohë”

Ministria e Arsimit kohë më parë lajmëroi se libri i “Shoqërisë” për klasën e pestë do të tërhiqet nga përdorimi për shkak të gabimeve në të. Pa precizuar me afate, zv/ministri i arsimit Safet Neziri për Portalb tha se brenda ditëve do të finalizohet vendimi.

Mirëpo problemi qëndron në atë se nxënësit do vazhdojnë të mësojnë me librin e Historisë, Gjeografisë dhe Muzikës në të cilat mund të hasim shumë fyerje dhe ofendime për shqiptarët pasi që Ministria nuk arriti të sigurojë versione të përmirësuara të tyre.

Para fillimit të gjysmë-vjetorit të parë zv. Ministri Safet Neziri tha se këto tekste shkollore me gabime dhe fyerje do të zëvendësohen me versione të përmirësuara. Por, deri më tani Komisioni për shqyrtimin e teksteve shkollore nuk ka dalë me asnjë vendim për këtë çështje.

“Puna për përmirësimin dhe tejkalimin e këtyre problemeve vazhdon, të gjitha komisionet janë të lajmëruara për këtë” thotë Neziri.  

Skeptik se do të arrihet ndonjë marrëveshje për përdorimin e versioneve të përmirësuara të librave deri sa të dalin të rejat  u shpreh kryetari i lidhjes së Arsimtarëve Nuhi Dardhishta.

“Këto libra do të përdoren ashtu si janë dhe aq sa janë paraparë, gjegjësisht  afati i përdorimit është 5 vjet. ”, tha Dardhishta.

Por Neziri serish premtoi se do të zgjidh këtë problem, këtë herë duke marrë  të drejtat autoriale e teksteve shkollore të autorëve nga Britania e Madhe, të cilat do të përkthehen dhe përshtaten për sistemin shkollor të Republikës së Maqedonisë.
 “Ministria e Arsimit dhe qeveria , ka sjellë këtë vendim dhe nëse ky proces zhvillohet me dinamikën e paraparë, gjatë vitit shkollor 2013-2014 rreth 9 tekste shkollore të arsimit fillor të përkthyer nga gjuha angleze do të inkuadrohen në programin arsimor në kohë sa më të shpejtë”, tha për Portalb Safet Neziri .

Lajme të ngjashme

Back to top button