fbpx

S’DI AS VETË SI DOLA

Me Muzon takohemi për kafenë e mëngjesit pas shfaqjes, tre netë rradhazi të premierës së fundit Epsh dhe lakmi të Teatrit të Tetovës. Dukej i lodhur, ajo lodhje e bukur që të kaplon pas punës së kryer kur don edhe të pushosh edhe të ndash mbresat me të tjerët…Vlen për të gjitha llojet e krijimtarisë, ose më saktë: për çdo punë të bërë mirë.

Lindita Kadriu
Lindita Kadriu

…e kam njohur si student të gjeneratës së parë të Fakultetit të artit dramatik në UT, kur punohej në podrume, financat mblidheshin nga popullata me moton 1 markë në muaj nga secili për Universitetin, u çuan peshë vendas dhe diasporë. Kohëra të mira për Universitetin. Më të mira dhe më të dëlira se sot.

…gjeneratën e parë e përbënin aktorë që u dëshmuan në skenat tona, disa prej tyre edhe në produksionet mbarëshqiptare: Adem Karaga, Drita Kaba, Elmir Sejfullai, Naime Azi…Këta, me iniciativë të Muzafer Etemit u organizuan në shoqatën studentore Feniks që me projekte teatrore forconte koshiencën publike për teatër. Teatri i Tetovës që sot me stafin artistik, teknik dhe administrativ numëron 60 veta u themelua falë angazhimit konkret të shoqatës Feniks, paraqitjeve të shumta publike të njerëzve të teatrit dhe iniciativave drejtuar Ministrisë së kulturës, por edhe komunës së Tetovës e cila si atëherë si sot se kishte mendjen te punët e mëdha (më kujtohet, isha gazetare e re asokohe, entuziazmi i njerëzve të teatrit dhe kulturës në përgjithësi për institucionalizimin e kulturës në Tetovë).

Përveç teatrit, u themelua Galeria e arteve në Hamamin e vjetër, tek pjesa më e bukur e qytetit që përbëhet nga Xhamia e Pashës (e Larme), parku i vetëm i mirëmbajtur në qytetin ndër më të gjelbërit në ish Jugosllavi dhe konaku i Mehmed Palloshit.

Kinemaja, eh, ende pret zgjimin tonë, në Qytetin me dy universitete. Digresion: Tetova në të kaluarën ka pasur tre kinemaja, njëra prej të cilave me oborr për projekcione gjatë netëve të ngrohta. Qyteti që keqmenaxhohet nga prefektët shqiptarë, edhe pas tre ministrave shqiptarë të kulturës haberin nuk ia ka plotësimit të nevojës dhe standardit civilizues përtë pasur sallë kinemaje.

Asnjë qendër alternative kulturore në Qytetin me dy Universitete; ndër mijëra studentë ekziston një masë kritike që kultivon idetë alternative, parapëlqen avangardën dhe nuk mjaftohet me celularët e klasit të fundit. Ku kanalizohet energjia e atyre që nesër do e udhëheqin shoqërinë?

Ama  unë kisha nijetin të shkruaja për njërin nga aktorët e gjeneratës së mesme me bagazh më të madh teatror dhe filmik që kishte rol kryesor në Epsh dhe lakmi

S’di as vetë si dola këtu.

Për Muzaferin, regjisorin e ri të shfaqjes Fitim Selimin dhe tekstin e Eugjen O’Nilit që tematizon lëngatën e Njeriut, pra secilës Kohë, në ndonjë nga shkrimet e ardhshme.

Ndërkohë, meqë këto shkrime për Portalb janë kulturore, edhe një info që mbase e keni lexuar, por prap…

Filloi edicioni i 9-të i Festivalit filmik Oda, edhe përkundër shumë telasheve pandemike. Deri më 15 tetor shfaqen nga dy filma në mbrëmje, të ndarë në Filma ballkanikë, europianë, për fëmijë, dhe pjesa Kujtesa kushtuar kolosit të filmit jo vetëm shqiptar dhe jugosllav Bekim Fehmiut.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button
Close