MEDIET DHE TOLERANCA NDËRETNIKE

Tek po shfletoja njërën nga fletoret e mia të mbushura me shkrime të harruara prej kohësh, gjeta dorëshkrimin e intervistës që ia kam dhënë në vitin 2005 poetit, përkthyesit e publicistit të shquar Baki Imerit pas përfundimit të Konferencës ndërkombëtare mbi mediet dhe tolerancën ndëretnike, të organizuar në Ohër nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë. E lexova dhe vendosa ta publikoj për t’ua mundësuar lexuesve të mi njohjen  e vendnumërimit të këtij vendi në shumë aspekte të jetës.

Mendoj se takimet e këtilla janë të qëlluara madje edhe të domosdoshme, megjithatë, ndoshta pak të hershme, sepse ende udhëhiqemi nga të vërtetat diametralisht të kundërta dhe të papajtueshme. E tërë kjo ndodh për shkak se akoma nuk janë tharrë varret dhe plagët që hapi konflikti i vitit 2001. Akoma janë të freskëta frustracionet dhe tmerret e përjetuara. Ndaj ma merr mendja se duhet të kalojë edhe një kohë, derisa të përgatitemi shpirtërisht për ta dëgjuar të vërtetën e tjetrit dhe për t’u ballafaquar me fotografinë që ka tjetri për ne. Kjo u pa edhe nga diskutimet e zjarrta që herë-herë ma mbushnin mendjen se gjendem në sallën e Kuvendin e Maqedonisë, ku zhvillohen debate të gërditshme e qesharake. U ndava me përshtypjen se pala maqedonase akoma nuk është e gatshme dhe e aftë ta pranojë realitetin të cilin duhet ta ndërtojmë, realitetin që nuk mund të korrespondojë me atë që ishte dje.

*Për mua kjo mosgatishmëri deri diku është e kuptueshmne. Maqedonasit, si njëri ndër popujt fatkëqinj të Ballkanit, janë në fazën e konstituimit të etnisë dhe të shtetit nacional dhe, natyrisht, nguten që t’i rrumbullakësojnë synimet e tyre. Por e keqja kësaj qëndron në faktin se ata nuk mbajnë fare llogari që me vrapin e  të tyre mos t’i dëmtojnë të tjerët, veçanërisht shqiptarët, që, siç dihet, janë autoktonë në këto hapësira dhe popullojnë një pjesë të konsiderueshme të këtij shteti. Pikërisht ideja e stërvonuar për t’konstituuar shtetin e tyre nacional ndeshet fuqishëm me  interesat kombëtare të etnisë shqiptare, dhe kjo lind problem të pashmëngshme që na bëjnë të gjithëve të marshojmë në vend duke ndalur rritën e gjithë perspektivave. Në rrethanat e sotme nuk mund të realizohet ëndrra e vonuar maqedonase, sepse këtyre proceseve u ka dalur boja që para një shekulli. Maqedonia është shtet multietnik dhe vetëm si i tillë mund të ekzistojë edhe në të ardhmen. Tjetër punë se disa nacionalromantikë akoma janë në dimensionin e ëndrrallave, që mund të realizohen vetëm nëse do të zhbëheshin, ose asimiloheshin pakthyeshëm shqiptarët  të cilët jetojnë këtu prej shekujsh, që flasin tjetër gjuhë dhe kanë tjetër kulturë… Mjerisht prezenca e tipave të tillë në kreun e këtij shteti nuk është e paktë, po unë më shumë dua t’i besoj forcës së pjesës racionale të palës maqedonase, e cila gjithsesi duhet t’ia marrë një ditë krahun politikës aventuriste që mund të gjenerojë kriza të reja.

Drojën time mbi të ardhmen e qetë të këtyre hapësirave e mbështes në rrefuzimin e idesë për legalizimin e disa institucioneve tona, siç është Universiteti i Tetovës. Ky rrefuzim bëhet me arsyetimin se ne duhet patjetër të integrohemi në institucionet ekzistuese maqedonase, po shqiptarët kanë përvoja të hidhura me integrimet alla ballkançe dhe as që duan të dëgjojnë më për marifete të tilla. Për mua fjala “integrim“ është eufemizëm i asimilimit dhe kështu dyqish e kuptojnë këtë edhe njerëzit e orbitës sime. Këtu qëndron utopia maqedonase, sepse s’ekziston asnjë gjasë që shqiptarët të shkrihen në maqedonas. Nëse nuk mundi t’na zhbëjë si komb Jugosllavia e fuqishme 23 milionëshe e Titos, si do ta arrijë këtë Maqedonia e vogël dhe e dobët që aktualisht jeton nga mëshira e donatorëve të jashtëm? Mund të ndodhë që pas disa dekadash a shekujsh të gjithë ballkanasit të flasin anglisht a gjermanisht…, por të presish që ata të asimilohen në ballkanas të tjerë kjo është më tepër se qesharake dhe ide e marrë. Sa më parë të kuptohet kjo aq më mirë do jetë për të gjithë ne që jetojmë në këto hapësira.

*M’u duk se në konferencë u bë shumë histori dhe kjo nuk më pëlqeu fare, sepse e di se kur ballkanasit bëjnë histori këtë e bëjnë jo për të mësuar prej gabimeve të tyre historike, po për ta problematizuar të sotmen. Ajo që me brengosi ishte e dhëna se shumë pak u fol për rolin që duhet të luajnë mediet sot dhe në të ardhmen. Llafi vjen, për mua është shumë më e tmerrshme kjo që ndodh me një pjesë të medieve të këtij vendi se sa ajo që ndodhi dje. Siç e dini, ka do javë që ka marrë hov dhe po plasohet me të madhe e me tërë agresivitetin idiotik ideja e kombit, tokës, qiellit dhe shtetit biblik maqedonas. Kjo ide përjashton të tjerët nga këto hapësira, i shpall ata të huaj, të tepërt dhe të rrezikshëm për qenien maqedonase. Ndërkaq, vetëkuptohet si duhet vepruar me të rrezikshmit? Ata duhet shkulur, asgjësuar, zhbërë, herrur…, për t’i lënë frymëmarrjen e lirë lules së zgjedhur të perëndisë…

E thashë edhe në takimin e Ohrit se kjo mund të jetë shumë e rrezikshme për të nesërmen e Maqedonisë. Kur dikush e thotë zëshëm dhe e përsërit nga dhjetra herë në ditë se i takon kombit biblik dhe Zotit, atëherë shtrohet pyetja të kujt janë të tjerët? Imagjinoni 1 milion maqedonasit e Perëndisë dhe 6 miliard banorët e globit që sipas idesë së budallaftë të disa medieve maqedonase dalin pjellë e dreqit, satanait, Iblisit, Luciferrit…

Ideja e kombit biblik është e barasvlershme me idenë e racës së pastër e cila i solli botës 50 milionë viktima të pafajshme gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nuk dua t’i barazoj fenomenet dhe vakitë e pabarazueshme të këtij lloji, po vetëm po sinjalizoj se kjo mund të jetë një prej xixave që mund të gjenerojë kobet e të nesërmes.

Ka edhe gjëra të tjera që heshten nga mediet maqedonase, siç janë deklaratat luftënxitëse dhe të pamatura të Boshkovskit dhe Çashules, të cilët edhe tani kur ka pushuar e tëra vinë në Tetovë për t’u kapardisur e për të kompensuar atë që s’patën guxim ta bëjnë dje, për të ndezur gjakrat e njërëzve, duke brohoritur se për veprimet e tyre i përgjigjen vetëm kombit maqedonas. Kjo është ajo që i bën të tjerët të pyesin: cilët janë ministrat, mbretërit, flamujt dhe shtetet e tyre?

Platoni i urtë që para 2600 vitesh shkruajti se për njeriun është më i dashur shteti që ofron më shumë liri dhe të drejta. Është e natyrshme se nëse Maqedonia nuk ua lejon të tjerëve atë që ua lejon maqedonasve mund ta rrezikojë vetveten, sipas yrnekut të shpërbërjes së shteteve ku është kultivuar me sistem intoleranca, ksenofobia dhe mosdurimi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button