RMV, a do të ketë “armëpushim” mes protestuesve për çmimin e energjisë elektrike dhe kompetentëve?

“Nuk mund të ketë ekonomi të shëndoshë përderisa 50% të buxhetit familjar i shkon EVN-së” tha Krenar Osmani në fjalimin e mbajtur sot pas marshit protestues kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike në Tetovë. Një javë më herët nga BDI dhe ASH-AA premtuan se do të përkrahin çdo pikë të kërkesave të organizatorëve të protestave, megjithatë, asnjëri prej tyre nuk ishte në protesta. Rexhepi nga ASH-AA tha se nuk kanë marrë pjesë në protesta që të mos u jepet ngjyrë politike ndërkaq dy deputetët e BDI-së nuk përgjigjen në thirrjet telefonike. Përkrahje për iniciativën e konfirmoi edhe deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli. Portalb.mk mëson se jemi shumë afër realizimit të një projekt-ligji me anë të së cilit do të tentohet realizimi i kërkesave, shkruan Portalb.mk.

Cilat janë kërkesat e këshillit organizativ?

  • Anulimi i rritjes së fundit të çmimit së energjisë elektrike.
  • Zbritja e çmimit të kilovatit për 46%.
  • Eliminimi i monopolit të EVN-së
  • Ulja e TVSH-së nga 18% në 5%.
  • Krijimi i një trupi të tretë arbitrar i cili do të monitoroje punën e EVN-së, si dhe do të shqyrtoje kërkesat-ankesat e konsumatorëve.
  • Falja e borxheve të akumuluara të rasteve sociale
  • Shlyerja e kamatë-vonesave për të gjitha shtresat e konsumatorëve.

Kjo ishte protesta e dhjetë me radhë e organizuar menjëherë pas vendimit që e solli KRRE për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrikë për të gjithë qytetarët e RMV-së, Krenar Osmani falënderoi pjesëmarrësit duke potencuar se do të vazhdojnë protestat deri në plotësimin e të gjitha kërkesave.

Krenar Osmani nga "Boll Më".
Krenar Osmani nga “Boll Më”.

“Me ndihmën dhe përkrahjen tuaj, arritëm që për 10 javë me rend të organizojmë protesta dhe bllokada madhështore me vetëm një qëllim, që të ndalin zhvatjen, vjedhjen, nëpërkëmbjen e xhepit tonë. Ne nuk kërkojmë diçka më shumë se sa ekonomi të shëndoshë, e ekonomi të shëndoshë duke i dhënë 50% të buxhetit familjar EVN-së nuk mund të ketë, kjo gjë duhet të ndaloje dhe nga protestat nuk do të ndalemi derisa të realizohen kërkesat tona” theksoi Krenar Osmani, një prej organizatorëve të protestave nën moton “Boll Më”.

A po i afrohemi “Armëpushimit” mes protestuesve dhe kompetentëve?

Një javë më herët kryeministri Zoran Zaev në një konferencë për shtyp deklaroi se Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të konsideroje uljen e çmimit të TVSH-së për energjinë elektrike nga 18 në 5%.

 “Gjithçka që është e mirë për qytetarët është menjëherë e pranueshme për mua që nga fillimi, por unë jam kryetar i qeverisë dhe ne duhet të llogarisim për të ditur se çfarë do të thotë kjo për stabilitetin ekonomik të vendit, burimet financiare të vendit dhe burimet e ndihmës për ekonominë e Maqedonisë”, deklaroi Zaev një javë më herët.

Megjithatë, edhe pse Krenar Osmani e cilësoi këtë si “hap i parë mirëbesimi”, ai potencoi se me uljen e TVSH-së do të realizohej vetëm një prej gjithsej 8 kërkesave të këshillit organizativ të protestave kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

“Hap mirëbesimi, hapi i parë i mirëbesimin se do të arrihet kompromis apo marrëveshja për realizimin e të gjitha kërkesave, ajo është realisht një nga 8 pikat e katër kërkesave” tha Krenar Osmani.

Protestat kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë eletrike.
Protestat kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë eletrike.

Ndërkaq dhjetë ditë më herët organizatorët e këtyre protestave realizuan takim me koordinatorët e grupeve parlamentare të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe koalicionit Alternativa&Aleanca për Shqiptarët.

A po përgatitet aktualisht projekt-ligj ku do të përfshihen kërkesat e protestuesve?

Krenar Osmani tha se me koordinatoret e grupeve parlamentare është folur në lidhje me mënyrën e implementimit të kërkesave, ai shtoi se është në plan përgatitja e një apo disa projektligjeve në mënyrë që të hynë në rend dite kërkesat e tyre.

“Kemi bë ftesë publike për të gjithë koordinatorët e deputetëve të partive politike, ata duhet të jenë në mesin tonë këtu të protestojnë me ne, i kanë marrë votat tona. Në takim u fol rreth kërkesave dhe mënyrën e implementimin e tyre, a do të shkohet me një projekt ligj të veçantë apo me dy-tre projekt ligje, do të gjejmë modalitetin më të mirë për ta fut në rend të ditës kërkesat” tha Krenar Osmani.

Për këtë, koordinatori i grupit parlamentar të partisë Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët, Zejd Rexhepi, për Portalb.mk tha se do të përkrahin çfarëdo projekt-ligji që do të propozohet nga organizatorët e protestave.

“Në parim ne i përkrahim kërkesat e tyre pasi që është pozitive fakti që kemi të bëjmë me një këshill që nuk ka asnjë përfitim por angazhohet ne dobi te qytetareve, në qoftë se janë ne atë drejtim ,ne absolutisht i përkrahim, unë edhe ne foltore të parlamentit kam fole shumë për këtë, madje kam kërkuar edhe më shumë, gjegjësisht që në kohë pandemie shteti pjesën përbërëse që e ka në elem të ua fale qytetarëve. Çfarëdo lloj ligji që të sjellët ne e përkrahim” tha Zejd Rexhepi, deputet.

Për atë se pse nuk ishte pjesëmarrës në protestat e organizuara sot në Tetovë, ai tha “Ka pasur anëtarë tonë që kanë marrë pjesë në protestat, ne nuk kemi dashur të jemi aty për shkak të asaj që mund të keqkuptohet vetë iniciativa, mund të thuhet se opozita i qëndron mbrapa, ne e përkrahim mirëpo nuk jemi organizator të saj”.

Edhe nga Lëvizja BESA, respektivisht nga deputeti Fadil Zejneli u premtua përkrahje e parezervë në rast të sjelljes së ndonjë ligji i cili do të ulte çmimin e energjisë elektrike, Zendeli përshëndeti iniciativën e qytetarëve dhe premtoi përkrahje me anë të votës në parlament.

Fadil Zendeli
Deputeti i BESA-s, Fadil Zendeli

“Absolutisht që do të përkrahim çdo iniciativë apo organizim demokratik që është në funksion të realizimit të të drejtave të qytetarëve, në rastin konkret ata cilësojnë se me rritjen e çmimit të energjisë elektrike dëmtohet kualiteti i jetesës së tyre dhe ne do ti përkrahim në zgjidhjen e këtij problemi” tha Fadil Zendeli për Portalb.mk.

Ndërkaq edhe pse u munduam të kontaktojmë me koordinatorin e grupit parlamentar të Bashkimit Demokratik për Integrim, Izet Mexhiti, si dhe deputetin Arbër Ademi, të njëjtit nuk u përgjigjen në thirrjet telefonike të gazetarit të Portalb.mk.

Megjithatë, vlen të theksohet se koordinatori i grupit parlamentar të BD-së, një javë më herët pas takimit me organizatorët e protestave kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike, tha se ai dhe partia e tij do të përkrahin çdo iniciativë në drejtimin e uljes të çmimit të energjisë elektrike.

Ndryshe, edhe pse nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) u premtua se do të marrin pjesë në takim me organizatorët e protestave, të njëjtit momentin e fundit dhe pa dhënë asnjë shpjegim e anuluan takimin kështu duke krijuar një konfuzitet për atë se a do të përkrahin projekt-ligjin e mundshëm të propozuar nga iniciativa “Boll Më” apo jo.

VIDEO nga protesta sot në Tetovë.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button