Bullizmi: problem serioz që ndikon në uljen e vetëvlerësimit te nxënësit, shkakton probleme mendore dhe ulje të notave

Për shkak se bullizmi është më shumë prezent nëpër shkolla, Portalb.mk realizoi një bisedë me psikologet e dy shkollave fillore të cilat tregojnë se çfarë pasojash le ai te nxënësit. Ata theksuan se ndikon negativisht duke ju ulur atyre vetëbesimin, shfaqjen e problemeve mendore, ulje të notave dhe përdorim të substancave narkotike.

Bullizëm janë sjelljet e përsëritura, të dëmshme e agresive ndërmjet personave që ndryshojnë në nivelin e tyre të forcës dhe mund të jenë si fizike, ashtu edhe psikologjike. Ato përfshijnë goditjet, rrahjet, ngacmimet verbale, sjelljet fyese, përjashtimin ose thjesht presionin për t’iu përshtatur atyre që dëshiron apo thotë bullisti.

Psikologia e shkollës fillore “Dervish Cara”  theksoi se pasoja më e përhapur e bullizmit te nxënësit është ulja e vetëvlerësimit.

“Ne duhet të pranojmë se fenomeni i bullizmit është një çështje e rëndësishme së cilës i duhet kushtuar mjaft vëmendje. Efekti i bullizmit është një problem shumë i madh pasi ai ndikon negativisht në mënyrën e perceptimit të fëmijëve për veten e tyre, shkatërron vetëvlerësimin dhe vetëbesimin. Unë kam realizuar një pyetësor në lidhje me bullizmin dhe rezultatet treguan se fëmijët që ngacmojnë shokët e tyre në shkollë janë djemt dhe se djemtë bien pre e bullizmit më tepër se vajzat. Forma më e shpeshtë është ajo psikologjike, e vënies së pseudonimeve, talljes dhe përjashtimit nga grupi social. Bullizmi ka pasoja të rënda fizike dhe psikologjike, pasoja më e përhapur tek adoleshentët e rinj është ulja e vetëvlerësimit.- theksoi për Portalb.mk, Shpresa Qamili, psikologe e shkollës fillore “Dervish Cara”.

Nxënës, shkollë, korona
Shkollë fillore në RMV

Nga ana tjetër, psikologia e shkollës fillore “Sabedin Bajrami” theksoi se përveç humbjes së vetëbesimit, bullizmi ndikon edhe në mënyra të tjera si probleme mendore, ulje të notave dhe përdorim të substancave narkotike.

“Në shkollën tonë zakonisht nuk kemi raste të bulizmit të identifikuara si të tilla. Por, ndodh që te ketë diçka të ngjajshme por nuk janë emërtuar si raste te bullizmit për shkak se nuk kemi hasur në pasojat dhe dëmtimet fizike apo psiqike që mund të  jenë rrjedhojë nga bullizmi. Bullizmi ndikon të fëmijet në këto forma: Probleme mendore – fëmijët që kanë rënë pre e bullizmit kanë rrezikshmëri më të lartë ndaj depresionit, ankthit, pagjumsisë, mungesës së vetbesimit dhe mendime për lëndim të vetes deri te vetvrasja. Nota të këqija në mësim-ata mund të kenë frikë të shkojnë në shkollë apo të marrin rezultate të larta. Ata gjejnë mënyrë shmangie lënien e orëve të mësimit . Përdorimi i substancave narkotike: nxënësit janë më të rrezikuar ndaj përdorimit të alkoolit apo drogave të tjera. Dhuna-shumë nga fëmijët që kanë rënë pre e shfaqin me dhunë te të tjerët. – theksoi për Portalb.mk, Xhemile Sinani, psikologe e shkollës fillore “Sabedin Bajrami”.

Nga anketa e realizuar nga Portalb në lidhje me bullizmin, rezultatet e përgjigjeve tregojnë se më të prekur nga këto situata bullizmi janë fëmijët në shkollë fillore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button